Cathedral, Santa Maria del Fiore
48 orë diku Europa Udhëtime

Dy ditë, dy qytete, një koncert — Firence & Bolonja me buxhet të caktuar

Më datë 15 Qershor, pavarësisht ndeshjes së parë për Shqipërinë, knndër Italisë, në kampionatin Europian, ishte edhe koncerti, Firenze Rocks, i cili kulminonte me grupin TOOL. Ne zgjodhëm të shkonim tek ky i fundit. U nisëm me fluturimin e orës 6 të mëngjesit nga Tirana për në Bolonja. Pas mbërritjes në Bolonja ndërruam 2 autobusë për të mbërritur pranë autostacionit, ku morëm autobusin e orës 10:40 nga itabus. Flixbus dukej më i përpiktë. Kaluam disa minuta paniku duke qenë se autobusi u vonua. Më pas kishte trafik të rënduar gjatë daljes nga Bolonja.

Pas mbërritjes në Firence, afro 2 orë më vonë, morëm tramvajin për rreth 40 minuta që na ndaloi pranë hostelit ku kishim rezervuar vetëm për një natë. Duke qenë se ky udhëtim ishte i minutës së fundit, nuk përfituam nga çmimet. Edhe pse rezervuam rreth 2 javë përpara, 80% e hosteleve në Firence, ishin 100% të rezervuara. Qëndruam në hostel diku një orë e gjysmë për t’u qetësuar. Udhëtimi deri ne keto momente konsistonte në një taksi për të shkuar në Rinas, avioni, një sërë autobusësh dhe së fundmi trami.

Hosteli kishte një pishinë të këndshme, nga e cila përfitova bëj pak banjo dielli dhe “chill”. Rreth orës 4 pasdite lamë hostelin dhe destinacioni i parë ishte një vend për të ngrënë drekë. Shkuam diku pranë “Mercato Centrale Firenze”, në një restorant të vogël buzë rruge. Nisëm shëtitjen drejt qendrës së qytetit. Ndalesa e parë ishte Katedralja ikonë e Firences, Santa Maria del Fiore. Katedralja është e madhe dhe dominuese, me mermerë të bardhë dhe të zi. Gjë që më duket karakteristikë e Firences. Pjesë e katedrales është edhe kulla e famshme “Campanile di Giotto”.

Duke qenë se kohën e vizitës e kishim shumë të kufizuar, e kishim të pamundur të mbanim radhët e gjata për t’u futur brenda katedraleve dhe muzeve të ndryshëm. Për këtë arsye humbëm dhe mundësinë për të parë nga afër David-in e madhërishëm, por u mjaftuam me kopjen e tij në hyrjen e “Palazzo Vecchio”.

“Palazzo Vechio” ishte një tjetër pikë shumë interesante për t’u vizituar, me hyrje të lirë. Ai lidhej me “Uffizi Galleries”, dhe të dy ishin ndërtesa vërtet të mëdha, duke marrë parasysh rrugicat e ngushta të qytetit të Firences. Shëtitjen e vazhduam përmes “Ponte Vecchio”, një urë që të transporton lehtësisht në kohët e mesjetës me dyqane të vogla nga të dyja anët dhe ballkone që ofronin pamje mbi lumin Arno.

Destinacioni i radhës ishte “Piazzale Michelangelo”, një shesh i vogël mbi kodër, ku mund të shije të gjithë pamjen e bukur të qytetit, me katedralen kryelartë. Rruga për atje ishte sfiduese për shkak të shkallëve dhe malores, kështu që nuk do ta rekomandoja në orët e nxehta të ditës. Gjithashtu, mos harroni të merrni ujë me vete. Uji në Firence dhe Bolonja është i pijshëm dhe mund të mbushni shishet në cezmat publike.

Pam nga "Piazzale Michelangelo", Firenze 2024

Ndërkohë që po afronte koha për të shkuar në “Firenze Rocks 2024”,bëmë një ndalesë për aperitiv dhe morëm autobuzin C3 për t’u afruar tek hipodromi ku mbahej koncerti. Transporti publik në Firence dhe Bolonja lejon pagesën me kartë debiti apo krediti në terminalet brenda autobuzit. Nëse keni biletë, ajo duhet validuar dhe është e vlefshme për 70–90 minuta.

Pas një pritjeje të gjatë për të hyrë në koncert, më në fund arritëm të futeshim. TOOL ende nuk kishin filluar, prandaj bëmë një xhiro rreth hipodromit. Shfaqja edhe pse e thjeshtë, ishte shumë e bukur dhe grupi performoi në mënyrë brilante. Pas koncertit, vendosëm ta sfidonim veten duke ecur për në hostel. Edhe pse ishte vetëm 30 minuta larg, na u duk shumë më gjatë.

TOOL Performing, Firenze Rocks 2024

Të nesërmen në mëngjes, pas dorëzimit të çelësave, hëngrëm mëngjes në hostel dhe morëm të njëjtin tram për të shkuar në stacionin e autobusëve “Villa Costanza”. Rruga e kthimit ishte më e shpejtë dhe pas mbërritjes në Bolonja, shkuam në “Parco della Montagnola” për një kafe. Vendosëm çantat në një “Luggage Deposit” dhe vazhduam eksplorimin e qytetit.

Ndalesa e parë ishte “La Piccola Venezia”, një kanal i vogël që imiton Venecian e vërtetë. Vazhduam drejt “Tombe dei Glossatori”, ku ndodheshin tre qivure prej guri nga vitet 1200. Më pas, shkuam në qendrën e qytetit të vjetër, ndaluam tek shatërvani i Neptunit, “Piazza Maggiore” dhe “Basilica di San Petronino”. Karakteristika e veçantë e kësaj basilike ishte mermeri i bardhë dhe rozë për pjesën e poshtme dhe tullat për katet e sipërme. Pikërisht në krah të saj ndaluam për një aperitiv.

Vizituam gjithashtu “Portici di Bologna” me afresket e saj të vjetra. Thuajse i gjithë qyteti i vjetër i Bolonjës i kishte trotuaret të shoqëruara me kupola gjatë gjithë rrugës. Shëtitja më pas na dërgoi në “Piazza Santo Stefano” dhe “Le due Torri: Garisenda e degli Asinelli”. Njëra nga kullat, ziliqare për Kullën e Pizës, ishte anuar mënjanë, në një tentativë për të prekur tjetrën. Mendoj se për këtë arsye zona ishte e rrethuar dhe vizitat në këto kulla ishin të ndaluara.

Pas një dreke në qendër, u rikthyem pranë “Tombe dei Glossatori”, ku ndodhej stacioni i autobusit për në aeroport, duke përmbyllur kështu aventurën tonë të fundjavës.

Ne bëmë një vizitë të shpejtë rreth qytetit dhe pikasëm disa vende interesante, megjithëse unë besoj se të gjitha qytetet italiane janë plot me sheshe, kisha dhe vende historike interesante, për të cilat asnjë udhëtim nuk mjafton për t’i përtypur.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *