Pas shtatë vjetësh, më në fund mora vendimin të kthehesha në palestër. Pse pikërisht tani? Epo, në postimin tim “Duke reflektuar për vitin 2023”, ndava një nga qëllimet e mia për vitin 2023: për të marrë pjesë dhe për të përfunduar një maratonë të plotë, konkretisht Maratonën e Tiranës 2023, e cila si zakonisht zhvillohet në fund të tetorit.
Rrugëtimi filloi pas përfundimit të një Triathloni Olimpik në maj 2023, i ndjekur nga një Sprint Triathlon në qershor. Pas një muaji rikuperimi, fillova stërvitjen time për maratonën, në mes të korrikut, pavarësisht nga kushtet sfiduese të motit . Temperaturat e larta dhe lagështia e pasditeve, e bëjnë Korrikun një nga periudhat më të vështira të vitit për të filluar stërvitjen e një gare të gjatë. Pavarësisht këshillave të profesionistëve që theksojnë rëndësinë e stërvitjes për forcë, së bashku vrapin, unë i injorova dhe u fokusova vetëm tek vrapi. Megjithatë, realiteti goditi pas Triathlon-it Olimpik. Kuptova se vetëm stërvitja “brick”, pra bicikletë e kombinuar me vrap, nuk mjaftonte për të përballuar një garë që zgjati më shumë se katër orë. Muskujt e mi, veçanërisht ato të barkut, ndjenë një sforcim të tepruar.
Duke reflektuar mbi përvojat e mia të kaluara, m’u kujtua se kur vrapova gjysmëmaratonën time të parë në vitin 2021, përfshiva edhe stërvitje për forcë gjatë seancave që mësoja Krav Maga. Megjithatë, gjatë vitit të kaluar, e kisha lënë pas dore tërësisht stërvitjen e forcës, duke u fokusuar vetëm në vrap, not dhe çiklizëm. Ndonëse nuk më ka pëlqyer asnjëherë të shkoj në palestër, fillova ta frekuentoj me shumë ngurrim gjatë muajit të fundit të stërvitjes, gjë që rezultoi e pamjaftueshme.



Pavarësisht se përfundova me sukses 42K, edhe pse ngadalë, dhe madje sigurova vendin e tretë për kategorinë e Femrave Shqiptare, nuk mund të anashkaloja faktin që kisha ecur gjatë disa segmenteve të garës, veçanërisht kur dielli përvëlues të sulmonte pingul. PAs vijës së finishit, kur një burrë m’u afrua me lajmin e fitimit të një çmimi , pësova një tronditje të këndshme duke marrë parasysh fatin që kam zakonisht nëpër gara.
Kur e kthej shikimin pas, nuk pendohem për kohën e shpenzuar duke vrapuar, por nuk mund të mos e pyes veten se si përfshirja e një sasie të vogël të stërvitjes së forcës mund ta kishte përmirësuar performancën time dhe përvojën e përgjithshme. Ju mund të gjurmoni rrugëtimin tim të stërvitjes për maratonën dhe triathlonin, duke përfshirë oraret dhe strategjitë e ushqimit gjatë garës, në llogarinë time Strava.
Pas një periudhe rikuperimi dyjavore, u ri-ktheva në palestër dy herë në javë. Për fat të mirë, instruktori më rekomandi “Functional Cross-fit”, një rutinë që më përshtatej, duke i rritur përpjekjet gradualisht. Sigurisht, vazhdova aktivitetet e mia në natyrë gjatë fundjavave, ose duke vrapuar ose duke u bashkuar me një grup çiklistësh për rrugë deri në 50-60 kilometra të gjata. Dy herë në javë mund të mos duket shumë, por qëndrueshmëria është thelbësore, veçanërisht për dikë si unë që nuk i pëlqen ambientet e e mbyllura sportive. Siç e kam theksuar në “Rrugëtimi im nga divani në gjysmë maratonë”, fillimi me hapa të vegjël dhe të qenit realiste është thelbësore për ruajtjen e qëndrueshmërisë. Që atëherë, nuk kam humbur asnjë ditë stërvitje, duke u siguruar që të kompensoj çdo seancë të humbur në javën e ardhshme. Jam e kënaqur me transformimin gradual të trupit tim, por mbi të gjitha, ndihem më e fortë dhe më e shëndetshme.