Vrapi

Rrugëtimi im nga divani në gjysmë maratonë: Si e arrita qëllimin tim të vrapit

Unë kam qenë pjesëmarrëse e rregullt në kategorinë 10K të Maratonës së Tiranës nga viti 2017 deri në vitin 2019. Në atë kohë, e filloja stërvitjen time vetëm 2 muaj përpara, për t’u stërvitur mjaftueshëm për të vrapuar 10 kilometra. Pas kësaj ndodhi Covid-19 dhe të gjithë e dimë se si shkuan gjërat. Jo vetëm për shkak të pandemisë, por edhe për shkak të stilit tim të jetesës (shumë punë dhe aspak pushim) ​​dhe gjendjes sime emocionale, arrita të shtoj 20 kg. Isha rreth 80 kg kur vrapova 10K në 2019.

Në vitin 2021, për Qëllimet e mia të Vitit të Ri, vendosa të bëj aktivitet fizik, i cili jo vetëm që do të testonte vendosmërinë time, por edhe do të më transformonte si fizikisht ashtu edhe mendërisht. Zgjidhja ime? Të  vrapoja rrgullisht. Do të doja të theksoja faktin se unë doja të vrapoja, ishte diçka që e dija se më jepte një ndjenjë lirie dhe që më pëlqente shumë kjo ndjenjë. Qëllimi im kryesor ishte të vrapoja, jo të humbisja peshë. Kjo ide më ndihmoi të përqendrohesha më shumë në performancën dhe qëndrueshmërinë time, sesa në kontrollin e peshores. Humbja në peshë ishte thjesht një bonus shumë i madh!

Përgatitja e Planit: Të dilja për vrap një herë në javë

Qëllimi për Vitin e Ri ishte i thjeshtë, por edhe sfidues: u zotova të vrapoja të paktën një herë në javë, për të paktën 40 minuta ose 6 kilometra. Ju mund të pyesni veten pse zgjodha një qëllim kaq modest. Arsyeja ishte e qartë në mendjen time: e dija se nëse do ta vendosja objektivin shumë ambicioz dhe do të humbisja stërvitjen e një jave, presioni për ta arritur objektivin në javën në vijim, i cili do të përkthehej në 4 herë vrap gjatë një jave, do të kishte të ngjarë të më bënte të hiqja dorë fare. Pra, u vendos një herë në javë.

Kjo qasje ndryshoi shumë gjëra për mirë. Më lejoi të ndërtoj qëndrueshmëri, duke rritur gradualisht fuqinë time dhe duke shmangur rraskapitjen që shkaktohet shpesh nga qëllimet tepër ambicioze. Nuk dola për vrap vetëm për dy javë, kur shkova për ski në fundjavë dhe ato herë arrita t’i kompensoj në javët në vijim. Tani përpiqem të marr atletet e vrapit me vete dhe të vrapoj kudo që të jem.

Progresi dhe Objektivat Kryesore

Çuditërisht, rutina ime e vrapit një herë në javë u shpërblye jashtëzakonisht. U përpoqa të ndiqja strategjinë që përdorja kur stërvitesha për garat 10K. Fillova ta zgjas vrapin gradualisht, duke shtuar 5 minuta çdo javë. Ndërsa 20 minutat fillestare dukeshin si një përjetësi, shpejt e gjeta veten në mendësinë e vrapuesve, ku minutat dukej se fluturonin.

Ato 2-3 kilometrat e para të mundonin, por sapo kapja ritmin, dukej sikur një çelës ndizej. Isha më në harmoni me trupin tim, e vetëdijshme për shpejtësinë dhe e aftë për të mbajtur një ritëm të rehatshëm. Nuk kam qenë kurrë një person i shpejtë, kështu që isha më e fokusuar tek distanca dhe me listën e duhur të këngëve që më shoqëronin në kufje, vrapi më dukej si shëtitje.

Qëndrueshmëria është Çelësi

Një mësim vendimtar ishte rëndësia e mbajtjes së një ritmi të qëndrueshëm. Është e lehtë të përfshihesh në ekzaltimin e vrapit dhe të fillosh me vrap të shpejtë, vetëm për të humbur fuqinë më vonë. Për ta parandaluar këtë, u përqendrova të vrapoja me një ritëm që ndihesha rehat, gradualisht shpejtësia u rrit ndërsa aftësia ime fizike përmirësohej. Kjo qasje më ndihmoi të shmang lëndimet dhe të mbaja motivimin për të vazhduar.

Gjurmimi i progresit: Koha dhe Distanca

Ndjekja e ecurisë sime ishte jetike për të më bërë të vazhdoja. Kjo më dha një mënyrë të prekshme për të parë se ku kisha arritur. Kam monitoruar si kohën që vrapoja, ashtu edhe distancën e përshkuar. Dua të përmend se kjo është diçka personale. Unë nuk jam këtu për t’ju treguar se si të nisni të vraponi. Unë besoj se çdo person ka një qasje unike ndaj sportit dhe e imja mund të mos ju përshtatet. Unë nuk jam trajner. Megjithatë, jam një person që me të vërtetë i pëlqejnë numrat dhe më duhet të shoh përparimin me numra, qoftë distancë, ritëm, lartësi, apo ç’të jetë. Gjithmonë mund të gjeja një tregues për të qenë krenare për veten.

Rëndësia e Personalizimit

Përsëri, (dhe nuk mund ta theksoj sa duhet) ajo që funksionoi për mua mund të mos funksionojë për ju. Vrapi u bë pasioni im sepse më pëlqen vërtet të vrapoj. Emocioni i kalimit të vijës së finish-it më motivoi të qëndroja aktive. Është thelbësore të eksploroni aktivitete të ndryshme për të gjetur atë që ndez pasionin tuaj dhe ju mban të përkushtuar ndaj një stili jetese më të shëndetshëm.

Asnjëherë nuk është vonë për të filluar

Në tetor 2021, arrita një moment historik të rëndësishëm në udhëtimin tim – përfundova gjysmë maratonën time të parë dhe e bëra atë 20 kilogramë më e lehtë se kur rifillova vrapin në janar të po atij viti. Ishte një dëshmi e fuqisë së qëndrueshmërisë dhe vendosmërisë personale. Këto tingëllojnë si fjalë të mëdha dhe të vështira për t’u bërë realitet, së shpejti do të publikoj një tjetër post në blog duke theksuar se si angazhimi dhe këmbëngulja që investova në vrap nuk prishën ekuilibrat në fushat e tjera të jetës sime.

Mos harroni, nuk është kurrë vonë për të filluar. Qoftë vrap, çiklizëm, not, apo ndonjë aktivitet tjetër. Megjithatë, bukuria e vrapit është se kërkon investim minimal dhe nuk ka kufizime kohore. Kurdo të ndjeheni gati, hidheni atë hap.

Konkluzioni

Shpresoj që rrugëtimi im i vrapit t’ju frymëzojë për të vendosur dhe arritur qëllimet tuaja mbi aktivitetin fizik. Kini parasysh, çelësi është të filloni nga pak, të jeni të qëndrueshëm, të personalizoni qasjen tuaj dhe të gjeni diçka për të cilën jeni të apasionuar. Duke vepruar kështu, ju do të çlironi potencialin tuaj, hap pas hapi.

Ndiqni zhvillimin tim në Strava për të parë historinë e vërtetë pas vrapimeve dhe bashkohuni me mua për të përqafuar një mënyrë jetese më të shëndetshme dhe aktive.

Ndërmerrni riskun për diçka që ju pëlqen! #KetiRuns

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *