Udhëtime

30 në 30: Një udhëtim ndër 30 vende dhe më shumë

Është 19 tetor 2023. Ndërsa ulem për të reflektuar mbi udhëtimet e mia, nuk mund të mos ndiej një mirënjohje të thellë për aventurat dhe përvojat që kanë formësuar jetën time. E dini si është puna, unë kisha një dëshirë personale: të vizitoja 30 vende të botës deri në moshën 30-vjeçare. Për disa ky numër është shumë modest, për disa të tjerë është kuptimplotë. E di që zbulimi i vendeve të reja, që mund të jenë spektakolare ose pak më ndryshe nga vendlindja ime, më jep njëfarë gëzimi dhe përkatësie ndaj këtij planeti ku jetojmë.

Në të majtë: Fluturimi im i parë drejt Turqisë; Në të djathtë: Harta ime 30 në 30

Vendi i parë që mbaj mend të vizitoja, përveç Shqipërisë, ishte Turqia. Prindërit e mi vendosën të shkonin atje për festat e Vitit të Ri. Ishte një nga vendet e pakta që nuk kishte asnjë kërkesë për vizë për shtetasit shqiptarë në vitin 1997. Ishte gjithashtu një nga herët e para që udhëtoja me avion. Kaq emocionuese!

Gjatë 30 viteve të jetës sime, kam udhëtuar në vende të afërta dhe të largëta (kryesisht të afërta). Udhëtimet e para ishin me familjen time dhe i mbaj në kujtesë si momente shumë të çmuara.

Rikthehemi në tetor 2023, kishte mbetur edhe një vend në listën time: San Marino, i njohur si “La antica terra de la Liberta” ose “Toka e lashtë e Lirisë”. Pse San Marino, mund të pyesni? Epo, si fillim ishte i vetmi vend, vizitën e të cilit munda ta përballoja në atë moment, si nga koha që do më merrte, po ashtu edhe nga paratë. Por përtej kësaj, San Marino kishte një joshje unike.

Qyteti i vjetër, San Marino, Republika e San Marinos, 2023

I vendosur lart në një kodër në zemër të Italisë, San Marino është një mikroshtet me një histori të pasur dhe një zotim për liri dhe pavarësi. Dukej si mënyra e përsosur për të përmbushur qëllimin tim, një metaforë për ndjekjen e lirisë dhe realizimin e qëllimeve personale. Arkitektura e lashtë e republikës së vogël dhe pamjet panoramike ishin një sfond i përshtatshëm për të kthyer shikimin ndaj vetvetes dhe për të festuar momentin historik të vizitës së 30 vendeve.

Për disa, numri i vendeve të vizituara mund të mos dëshmojë një jetë me udhëtime të bukura. Por për mua, ishte një rrugëtim domethënës që më zgjeroi horizontet, më bëri më të hapur ndaj diversitetit dhe më gjithëpërfshirëse.

Të udhëtoja në 30 vende deri në moshën 30-vjeçare ishte dëshira ime personale, por thesari i vërtetë qëndronte tek kujtimet, historitë dhe rritjen që çdo aventurë solli në jetën time. Do të doja të ngrija një dolli për 30 vendet e ardhshme dhe më gjerë, secili një kapitull i ri në historinë e jetës sime.

ps: Po vendos më poshtë listën e vendeve.

  1. Shqipëri

2. Turqi

3. Greqi

4. Maqedoni e Veriut

5. Mali i Zi

6. Egjipt

7. Kroaci

8. Rusi

9. Kosovë

10. Belgjik

11. Austri

12. Bosnje Hercegovinë

13. Bullgari

14. Lituani

15. Zvicër

16. Norvegji

17. Portugali

18. Shtetet e Bashkuara të Amerikës

19. Mbretëria e Bashkuar

20. Itali

21. Vatikan

22. Francë

23. Spanjë

24. Serbi

25. Hungari

26. Republika Çeke

27. Kolumbi

28. Emiratet e Bashkuara Arabe

29. Suedi

30. San Marino

31. Armeni

32. Kenia

33. Uganda

34. Gjermani

35. Rumani

36. Netherlands

*Lista vazhdon: Përditësuar 05 Mars 2025

 

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *