Opinione Të tjera Udhëtime

Pse linjat ajrore me kosto të ulët rezultojnë të shtrenjta?

Linjat ajrore me kosto të ulët kanë revolucionarizuar udhëtimet në Shqipëri, duke e bërë më të lehtë për më shumë njerëz të eksplorojnë vende të huaja dhe të ‘arratisen’ më shpesh. Megjithatë, ndërsa këto linja ajrore kanë fituar popullaritet, tarifat e tyre kanë marrë një kthesë befasuese. Ajo që dikur dukej si një opsion i përshtatshëm për xhepin, i ka lënë klientët si unë me vetulla të ngritura dhe pa kursyer asgjë. Me udhëtimet e fundit që kam bërë unë dhe miqtë e mi, me linja ajrore me kosto të ulët, kam vënë re se kostoja e ulët qëndron për ta dhe jo për ju si klient. Më lejoni të ndaj përvojën time të fundit me linjat ajrore me kosto të ulët dhe pse ato mund të mos jenë zgjidhjet ekonomike që pretendojnë të jenë.

1. Jo aq të lira sa dikur:

Linjat ajrore me kosto të ulët hynë në treg me çmime të ulëta joshëse, por me rritjen e pjesës së tyre të tregut, u rritën edhe tarifat e tyre. Krahasuar me linjat ajrore tradicionale, avantazhi i tyre i kostos është zvogëluar me kalimin e kohës dhe gjetja e një oferte fantastike nga një kompani ajrore tradicionale tani është një dukuri e zakonshme, veçanërisht nëse jeni fleksibël me datat e udhëtimit.

2. Aeroporte të papërshtatshme:

Për të ulur kostot e tyre, linjat ajrore me kosto të ulët shpesh zgjedhin aeroporte më të vogla dhe pa kapacitet, të vendosura larg destinacionit aktual. Kjo zgjedhje vjen me një çmim të lartë për klientët, pasi ata duhet të përballojnë shpenzime shtesë të udhëtimit dhe të përballojnë orë më të gjata udhëtimi. Merrni për shembull udhëtimin tim të fundit në Suedi. Pas uljes në orën 21:00, e gjeta veten të mbërthyer në një aeroport me shërbim të dobët, vetëm një sportel, deri në mesnatë për shkak të kontrollit të pasaportës i cili vononte shumë. Shumë njerëz në Shqipëri (përfshirë mua) zgjedhin këto linja ajrore sepse ofrojnë fluturime direkte. Por e dini çfarë, nëse duhet të merrni një tren për më shumë se 1 orë, nuk është një fluturim direkt. Ju thjesht po merrni një tren ose autobus, në vend të një avioni tjetër.

3. Kostot e fshehura logjistike:

Edhe pse udhëtimi im fillestar në Suedi dukej i përballueshëm me 220 €, shpenzimet shtesë u grumbulluan shpejt. Nga një biletë prej 7 € për të arritur akomodimin tim në qytetin e afërt të Nykoping, pasi arrita të dal nga aeroporti 3 orë më vonë se sa pritej, në një udhëtim me tren 13 € për në Stokholm dhe një autobus 22 € për tu kthyer në aeroport, shpenzimet e mia totale arritën në 262 €. Këto shpenzime, shpesh të anashkaluara, kontribuojnë ndjeshëm në koston e vërtetë të udhëtimit.

4. Vonesat që kërkojnë kohë:

Linjat ajrore me kosto të ulët kanë reputacionin e vonesave të mundshme dhe udhëtimi im i kthimit nuk përbënte përjashtim. Një vonesë prej 4,5 orësh e çoi kohën time të udhëtimit 16 orë rraskapitëse, duke shtuar stresin dhe zhgënjimin tek një aventurë emocionuese. Dhe për t’i bërë gjërat edhe më keq, kuponi i ushqimit i parashikuar për vonesat e shkaktuara mbulonte vetëm 4 €, të cilat mezi mjaftonin për një kafe (as edhe një makiato nuk mund të blije) në aeroportin e vogël në Suedi.

5. Politika stresuese e bagazheve:

Sikur të mos mjaftonin vonesat dhe shpenzimet, linjat ajrore me kosto të ulët zbatojnë politika të rrepta të bagazheve, duke lejuar vetëm një çantë shpine ose një send personal. Ky kufizim mund të rrisë kostot veçanërisht për udhëtarët që eksplorojnë qytete të reja, pasi ju pengon për të blerë ‘souvenirs’ të ndryshme apo për të paketuar të gjitha veshjet apo sendet që ju nevojiten. Asnjë çantë shtesë, asnjë laptop apo çantë aparati fotografik, ju duhet t’i vendosni të gjitha në një çantë shpine. Nëse po ecni nëpër qytet dhe shihni diçka të këndshme për të blerë, ohhh, vërtet duhet të mendoni shumë nëse mund ta vendosni në çantën tuaj aktuale. Ndërkohë që mund të blini bagazhe shtesë për 15 €, që për një fluturim me dy drejtime është dyfish, kjo shton koston e përgjithshme dhe blerja e një valixheje të re në destinacion ku jeni, mund të mos jetë gjithmonë një zgjidhje praktike. Kostoja totale në rastin tim do të ishte 292 €.

Si përfundim, linjat ajrore me kosto të ulët mund t’u përshtaten ende disa udhëtarëve, veçanërisht atyre me orare dhe destinacione specifike të udhëtimit. Sidoqoftë, është thelbësore të jeni të vetëdijshëm për kostot e fshehura, vonesat që kërkojnë kohë dhe kufizimet e bagazheve që shoqërojnë udhëtimet ekonomike. Përpara se të rezervoni një fluturim, merrni parasysh koston totale, komoditetin e aeroporteve dhe potencialin për vonesa. Për disa, të paguajnë pak më shumë për një biletë me një linjë ajrore tradicionale, mund të ofrojë një udhëtim pa stres dhe andralla, gjëra për të cilat mund t’ja vlejë shpenzimi shtesë për të kapërcyer të gjithë dramën.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *