Europa Udhëtime

Verë 2024, Korfuz, Greqi

Nisemi nga Saranda një të mërkurë në mëngjes, për të marrë tragetin për 5 netë në Korfuz. Shoqja ime kishte blerë biletat vajtje-ardhje online, së bashku me ato për makinat. U nisëm rreth orës 9:30 dhe pas një orë e gjysmë arritëm në Korfuzin me diell gjatë një vale të nxehti, me temperatura që arrinin 45 gradë Celsius dhe më shumë. Na duhej të prisnim rradhën në diell për të kontrolluar pasaportat. Lëshuam çantat në shtëpi dhe shkuam në plazhin më të afërt rreth tetë minuta larg, Glifada.

Ishte një plazh me rërë dhe i populluar. Megjithatë, kaluam shumë mirë. Kishim mjaft çadra për të gjithë dhe gjithashtu karrige plazhi, kështu që rëra nuk ishte shumë shqetësuese. Hëngrëm drekë tek Jimmy’s, një restorant përballë kishës në qendër të fshatit Pelekas. Ishte një darkë e këndshme, edhe pse për ushqimin nuk mund të them se ishte më i miri dhe mendojmë se na faturuan më shumë se sa çfarë porositëm.

Më pas shkuam në Paleokastritsa. Kjo ishte një zonë e madhe me shumë plazhe. Plazhi qendror nuk ishte shumë i bukur, provuam një gji tjetër më tej, dhe ai rezultoi me një resort të madh dhe një zonë të vogël me plazh publik që ishte plot. Na iku një pjesë e mirë e ditës, megjithatë qëndruam në Rovinia, plazhi I tretë. Na u dash të ecnim pak në këmbë. Duet të kishe një makinë të lartë që mund ta bënte rrugën deri në fund. Megjithatë kishte vend ku mund të parkoje makinën për 4 Euro. Ky breg ofronte një pamje shumë të bukur, megjithatë vende-vende kishte shkëmbinj të mëdhenj dhe në qendër bëhej me rërë. Pas plazhit darkuam në Alatopipero, në zonën e qytetit të vjetër. Ushqimi na pëlqeu vërtet shumë dhe provuam thuajse pak nga çdo gjë. Më pas pritëm rradhën për të ngrënë një akullore tek Papagiorgis Patisserie-Gelateria që na shijoi shumë. Bëmë një shëtitje në qytet, pamë nëpër dyqane, dhe ‘Namaste‘ ishte dyqani më I veçantë, megjithëse, jo domosdoshmërisht për ‘Souvenirs’. Sê fundí u kthyem në shtëpi pas një ndalese në supermarket.

Dita e nesërme rezervonte një aventurë. Do të shkonim në Porto Timoni. U ngritëm herët në mëngjes, përgatitëm ushqime për me vete dhe në orën 08:30 u nisëm për rrugë. Rruga me makinë zgjaste rreth një orë. Tek plazhi ku ndaluam, duhej të merrnim një varkë taksi për të lundruar rreth 3 minuta. Porto Timoni është një plazh që kishte dy brigje të një gadishulli fare pranë njëri-tjetrit. Do të mund ta krahasoja me Porto Palermon, por këtu brigjet ndaheshin nga një brez shumë i ngushtë pemësh dhe nuk arrije t’i shikoje të dyja brigjet njëkohësisht, vetëm nëse ngjiteshe në një viewpoint që ndodhej rreth 20 minuta në këmbë. Ju rikujtoj që temperatura ishte 45 gradë dhe një nismë e tillë ishte stërmunduese, kështu që ne thjesht vendosëm çadrat, kishim mjaftueshëm ujë, ushqime dhe pije të tjera me vete, sa të rrinim dhe të shijonim thjesht plazhin deri në orën 5 pasdite. Luajtëm me letra, u hodhëm nga shkëmbi, dëgjuam muzikë dhe të tjera si këto. Në momentin e kthimit, telefonuam varkën dhe menjëherë u kthyem në plazhin ku kishim lënë makinën.

Këtë herë varka na la pak më thellë dhe shumë gjëra na u lagën. Për këtë arsye na u desh të qëndronim rreth 30 minuta më shumë përpara se të hipnim në makinë. U kthyem në shtëpi të drobitur, megjithatë mbrëmja rezervonte një surprizë të këndshme. Darkën e hëngrëm në një restorant italian me një kopësht të fshehur në mes të qytetit që gatuante shumë mirë, Boschetto.

Dy ditët në vazhdim do të ishin mjaft të qeta. Vendosëm të shkonim në Barbati Beach dhe konkretisht tek Bahia Mare. Përgjithësisht operonte me rezervime, por ne shkuam herët mesa duket dhe gjetëm vend. Shezllonet fillonin nga 25 Euro dhe në të majtë kishte një plazh publik. Të paktë ishin njerëzit që dilnin herët në plazh. Përgjithësisht vinin vonë dhe iknin herët. Bregu ishte me gurë mesatarë dhe uji ishte shumë i ngrohtë. Shërbimi tek Bahia Mare ishte shumë i mirë dhe i shpejtë, çmimet nuk ishin të lira, e megjithatë e justifikonte.

Shkuam dhe një herë të fundit në Qytetin e Vjetër për të ngrënë sufllaqe tek Mythos and Grill, akullore dhe për të pirë një gotë, duke qenë se zonën e jetës së natës e kishim pak larg. Ditën e fundit në mëngjes, lëshuam shtëpinë dhe u kthyem në port për të nisur rrugën e kthimit. Ishin disa pushime të cilave njerëzit i dhanë më shumë kuptim, se sa vetë plazhet që ofronte Korfuzi.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *