Në mars 2023, unë dhe prindërit e mi nisëm një udhëtim plot kuriozitet për në Emiratet e Bashkuara Arabe.Zakonisht unë jam arkitektja e planeve të udhëtimit, por këtë herë zgjodhëm lehtësinë e një agjencie udhëtimi, të shoqëruar nga një udhërrëfyes gjatë gjithë vizitës sonë.
Eksplorimi i Emirateve të Bashkuara Arabe filloi në Abu Dhabi, ku mbërritëm në orën e pazakontë, rreth 2 e mëngjesit më 26 mars 2023. Pas një nate të qetë, të nesërmen hëngrëm mëngjes në hotel dhe u nisëm për në Heritage Village.
Ndërkohë që binte në sy një vend i bukur për të bërë foto pranë devesë, pjesa tjetër e fshatit la një përshtypje modeste. Ndalesa e rradhës ishte Xhamia e Sheir Zayed, e cila ofronte një pamje befasuese ku do të rekomandoja të sillnin veshje konservatore për gratë nga shtëpia për t’iu përmbajtur zakoneve lokale. Nuk ia vlen të shpenzoni para për veshje që do t’i përdorni vetëm një herë. Do t’ju duhet të mbuloni flokët, krahët dhe këmbët, me rroba të gjera dhe të mos vishni asgjë transparente. Mjedisi i bardhë, i kombinuar me diellin intensiv, kërkonte syze dielli për një eksperiencë komode.




Pas xhamisë së famshme dhe një xhiroje me autobus mes për mes qytetit, u nisëm për në Dubai, duke shijuar një udhëtim piktoresk prej një ore e gjysmë nëpër shkretëtirë. Mbrëmjen e rezervuam për tu qetësuar në ambjentet rreth hotelit që të kishim mjaftueshëm energji për itinerarin e ditës tjetër.
Eksplorimi ynë në Dubai filloi me një udhëtim panoramik, që kalonte nga lagjia më e vjetër ‘Al Bastakiya’, pazarin aty pranë dhe një ndalesë në pallatin e Sheikut të Dubait, Mohammed Al Maktum. Më tej bëm një ndalesë të shkurtër pranë Burj Al Arab, hotelin ikonë për të bërë foto. Gjatë gjithë udhëtimit me autobus, udhërrëfyesi ynë ndau informacione të hollësishme për Emiratet e Bashkuara Arabe, duke e bërë udhëtimin sa informues aq edhe të këndshëm.
Dreka në ishullin artificial Jumeiras Palm ofroi një shije luksi, e ndjekur nga një shëtitje në qendër të qytetit dhe një zhytje në detin ftues me uj mjaftueshëm të ngrohtë. Pas drekës, shkuam në Dubai Marina, një parajsë rrokaqiejsh luksoze. Aty bëm aktivitetin e rradhës, një udhëtim rreth dy ore me varke midis brigjeve që populloheshin nga ndërtesat më të larta dhe më moderne. Në anije na u ofruan pije dhe ushqime të shpejta, muzikë e cila e plotësoi këtë përvojë ëndërrimtare.
Mbrëmja ishte spektakolare, me një vizitë në qendrën tregtare më të madhe në botë, Dubai Mall dhe darkën në një restorant, ballkoni i të cilit ofronte pamje nga shatërvani kërcimtar dhe Burj Khalifa, ndërtesa më e lartë në botë. Ky aktivitet shërbeu si një prezantim i këndshëm i kuzhinës tradicionale arabe mes atmosferës futuriste.
Në ditën tonë të fundit, pas një mëngjesi të bollshëm, vendosëm të vizitonim pikërisht Burj Khalifa, aksesi në të cilën kushtonte rreth 60€. Me shumë durim prita rreth 1 orë në rradhë, e rrethuar nga turistë. Ashensori na dërgoi në katin e 124-të me një shpejtësi mbresëlënëse, dhe pa u ndjerë aspak.



Megjithë dyndjen e njerëzve dhe zhurmër përqark, hapësira ofronte dy gate plot me dritare, pranë të cilave mund të bëje foto të mahnitshme. Për një përvojë më të qetë dhe gjithëpërfshirëse, unë do të rekomandoja të eksploroni ndërtesat e tjera me bare në katet e larta, për shembullin në katin e 120-të. Ndërsa Burj Khalifa qëndron si ndërtesa më e lartë në botë, me mbi 160 kate, vizita ju lejon të hyni vetëm deri në katin e 125-të. Për të shijuar plotësisht pamjet panoramike të Dubait, përtej dyndjes së njerëzve, merrni parasysh alternativat e e tjera që ofrojnë një përvojë më ekskluzive për ta shijuar realisht pamjen gjatë një aperitivi.
Pas drekës, nisemi për Safari dhe darkë në shkretëtirë, eksperiencë që kishte një tarifë prej 45 €. Përvoja përfshinte një ndalesë në një zonë me ‘quadbikes’, me të cilat mund të bëje xhiro në dunat e rërës. Për ta mbajtur parasysh: Sigurojeni telefonin mirë gjatë xhiros me motoçikletë, nëse ju bie në rërë, mund të jetë e vështirë për ta gjetur. Pas kësaj shëtitjes u rikthyem tek ‘Jeep’ për tu futur edhe më thellë në shkretëtirë. Sfiduam dunat e rërës të shoqëruar me muzikë ritmike arabe, një eksperiencë sa energjike aq edhe emocionuese. Mbrëmja kulmoi në një kamp në shkretëtirë, ku bëra një xhiro të shkurtër me deve dhe një tatuazh me këna. Gjatë darkës shijuam shfaqje që përfshinin kërcime dervishësh dhe lojë me zjarr.
Ky udhëtim me guidë i ofruar nga agjencia e udhëtimeve na mundësoi të eksplorojmë vende dhe aktivitete të shumta në një hark të shkurtër kohe, duke e bërë udhëtimin tonë në Emiratet e Bashkuara Arabe vërtet të paharrueshëm. Ndërsa buxheti fiks ndikoi në vendinin për të shkuar me agjensi, kjo zgjedhje e bëri udhëtimin më komod dhe pasuroi përvojën tonë të përgjithshme. Aventura e Emirateve të Bashkuara Arabe ishte me të vërtetë një udhëtim për t’u çmuar.
