Amerika Veriut Mënyrë Jetese Udhëtime

Java ime kurioze në Oklahoma City

Më në fund erdhi koha për kapitullin e Oklahoma! Nuk di as nga t’ia filloj. Një javë në Oklahoma kaloi shumë shpejt. Fluturova nga Manhattan në Dallas dhe ndalesa e parë nga aeroporti për në OKC, ishte tek ujëvara e bukur Turner Falls. Ishte mahnitëse, duke qënë si nuk ishim në stinë thatësire, dhe për ta bërë më emocionuese, kishte një zip line shumë të bukur me të cilin bëm një xhiro të mbushur me adrenalinë. Një vend fantastik për një piknik që mund ta arrije direkte me makinë.

Plani ishte të ndalonim në “Two Frogs” për drekë, gjatë rrugës për në OKC, por fatkeqësisht e gjetëm të mbyllur. Kjo ishte e pazakontë për këtë restorant shumë të frekuentuar. Një ditë më parë, një tornado kishte kaluar ne qytetin para, Marietta, dhe kishte shkaktuar shumë dëme materiale. Kështu që gjithçka ishte mbyllur për këtë shkak. Këtu përjashtohej një restorant i vogel ku përfunduam. E di që shkova në Oklahoma për të ndjerë pak nga Amerika, prandaj këmbëngula të shkoja në një ‘diner’ tipik. Momenti që hyra brenda, e kuptova që kjo zgjedhje ishte gabim. Vendi kishte një erë të fortë vaji të djegur që ishte kthyer në acid. Nuk kam ndjerë kurrë një erë të ngjashme më parë. E lam pas këtë ngjarje dhe vazhduam rrugën për në OKC.

Qëndrova tek shtëpia e një miku dhe isha në shoqëri të mirë shumicën e kohës, megjithatë pata kohë edhe për të eksploruar vetë. Ditën e parë fjeta deri vonë për shkak të dy ditëve në Manhattan. Për herë të parë gjatë këtij udhëtimi u ndjeva sikur kisha të gjithë kohën e botës dhe mund ta merrja ngadalë udhëtimin. Shkuam për brunch tek The Hatch, një vend shumë I këndshëm, me menu të plotë dhe me ushqim të shijshëm. Më pas eksplorova qendrën e qytetit gjatë ditës. Të them të drejtën, midis aq shumë rrokaqiejsh, ndesha shumë pak njerëz. Bëra një shëtitje deri pranë Kopshtit Botanikdhe më pas u ktheva në shtëpi. Pjesën tjetër të ditës e mora me nge.

Vizita kryesore ditën e nesërme ishte Guitar Center. Ishte një vend fantastik. Pavarësisht koleksioneve dhe markave që dispononin, u ndjeje si në shtëpinë tënde dhe mund të provoje çdo kitarë që të pëlqente, pa u ndjerë në siklet. Kjo ndoshta edhe për shkak të qasjes vetë-shërbim që kishin. Kitara që dominonte ishte ajo e Dimebag Darrell. Provuam disa instrumente, njëri më magjik se tjetri dhe u larguam me planin që mund të ktheheshim përsëri.

Gjatë mbrëmjes vendosa të dilja vetëm për një shëtitje me makinë. U ndjeva sikur isha në film gjatë gjithë kohës. Vendosa pak muzikë dhe endesha përqark rezidencave, zonave të biznesit dhe thjesht qytetit. E shijova shumë këtë moment. Megjithëse të them të drejtën, GPS ishte vërtet i rëndësishëm. Qe vështirë të orientohesha në ato distanca të gjata. Mu deshën 7 ditë që të mësoja rrugën rreth shtëpisë.

Në një prej ditëve vizituam Factory Obscura, ekspozitën ‘Mix-Tape’, dhe udhëtuam në disa botë imagjinare që ofronte ekspozita. Një eksperiencë që e rekomandoj plotësisht. Më tej vizituam Craig’s Curious Emporium, të rrethuar nga kristalet më të larmishme, në një atmosferë magjike. Këtë rradhë nuk shpëtuam dot pa blerë diçka.

Destinacioni tjetër ishte OKC Underground, për të cilën do të rekomandoja që të vizitohej e para. Kjo sepse nuk është në të njëjtin nivel me vendet e tjera, prandaj ka një ndjesi zhgënjyese po të shihet e fundit. Këtu do të keni mundësi të komunikoni me ndërtesa të ndryshme në OKC, përmes tuneleve nën tokë. Në mbrëmje shkuam në parkun e madh përgjatë lumit Oklahoma dhe bëmë xhiro me ‘skooter’ gjatë të gjithë parkut që dukej sikur nuk mund të mbaronte.

Dita e fundit në OKC iu dedikua eksplorimit të natyrës. Thuajse gjatë të gjithë rrugës na shoqëronin peizazhe të largëta dhe turbina ere kudo. Duhet të them që aksesi në këto vende kërkonte një leje specifike nga të zotët e tokës. Diku rrotull Indian Lake, në zemër të Chickasaw Nation, vizituam një shpellë shumë interesante. Pasi parkuam makinën, na u desh të bënim një ecje të shkurtër, gjatë së cilës ndeshëm fusha të mbushura me lule të verdha dhe të kuqe. Kjo pamje quhet edhe Tapeti Indian. 

Hyrja për në shpellë ishte vertikale, pikërisht poshtë këmbëve tona. Edhe pse nuk ishte shumë e madhe, ishte mjaftueshëm për t’u ndjerë në zemër të tokës. Destinacionet në vazhdim ishin dy ujëvara në veri të Hickory Creek. Nuk ishin aq madhështore sa Turner Falls, por gjithsesi shumë të këndshme për një piknik. Kështu u mbyll një javë e mbushur me kuriozitet në Oklahoma City. Aventura e radhës do të ishte shumë intensive, sepse bëhet fjalë për Las Vegas.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *