48 orë diku Amerika Veriut Udhëtime

48+ orë në Manhattan

Udhëtimi im i parë në Manhattan ishte në tetor 2018 dhe vizitova vendet kryesore të kësaj pjese të gjallë të botës. Megjithatë, ajo është histori për një herë tjetër. Vizita ime e fundit në prill 2024 ishte e shkurtër. Kisha në plan të vizitoje vende të tjera të SHBA-së, krahasuar me herën e fundit, por udhëtimi më i lirë nga Evropa ishte përmes aeroportit JFK në New York. Kështu që vendosa të kaloj dy ditë në Manhattan për të takuar miqtë atje dhe për të hequr të tjera aktivitete nga lista ime e dëshirave. Arrita atje rreth orës 20:00 dhe duke qenë gjithmonë me buxhet të kufizuar, mora transportin publik për të arritur në Hostel, i cili me sa kuptova, është i vetmi në Manhattan.

Fillimisht mora trenin e aeroportit, i cili nuk konsiderohet pjesë e metrosë, por mund të paguhet me të njëjtën kartë. Një udhëtim tani kushton 8 dollarë, krahasuar me 5 dollarë në vitin 2018. Shkova në stacionin Xhamajka dhe prej andej mora trenin E për në ‘Down Town’, më pas një tren tjetër, duke më lënë pesë minuta larg nga hosteli. Nuk u ndjeva e qetë dhe e sigurt në metro për të qenë e sinqertë. Qëndrova pranë pasagjerëve të tjerë që mbanin bagazhe, me mendimin se mund të ndanim pak a shumë të njëjtin destinacion. Disa trena ishin jashtë shërbimit, dhe të tjerë anashkaluan disa stacione, duke e bërë udhëtimin shumë konfuz në krahasim me gjashtë vjet më parë dhe në krahasim me sistemet e metrosë në qytetet e mëdha evropiane si Parisi. Megjithëse, sinqerisht, nuk kam qenë në Paris që nga viti 2020.

Sapo dola nga stacioni i metrosë, u ndesha me një makinë të zezë me xhama të hapur, që kishte vendosur në kupë të qiellit këngën “Kontroll” të Noizy-t. Megjithëse nuk më pëlqen ai artist, më dha një ndjesi sikur isha në shtëpinë time dhe siguri në atë orë të vonë dhe të lodhshme. Për fat të mirë, më ofruan një dhomë më të mirë nga ajo që kisha rezervuar, dhe kalova nga një me 6 shtretër, në një dhomë me katër shtretër për vajza. Eshtë e panevojshme të thuhet se sapo vura këmbën në dhomë, u shtriva për të fjetur. Hosteli ishte shumë i mirë dhe dnodhej pranë ‘Central Park’. Diçka tjetër që më pëlqeu prej tij ishin burimet apo çezmat e dedikuara me ujë të pijshëm. Recepsionistja më tha se uji i  rubinetit në New York është “Shampanja e ujit të rubinetit” në SHBA. Megjithatë, unë piva vetëm nga vendet e përcaktuara për të mbushur ujë.

Të premten, e fillova ditën herët me një vrap në ‘Central Park’, aktiviteti i parë në listën time. E shijova në maksimum. Ndërsa vrapova, eksplorova parkun dhe gjeta statujën e Lizës në Botën e Çudirave, ku ndalova për pak çaste për të bërë foto dhe për të shijuar pamjen përpara se të kthehesha në hostel. Aktiviteti i rradhës ishte eksplorimi i Harlem.

Nuk kisha qenë atje më parë dhe prisja diçka si “La Candelaria” në Bogotá, por nuk ishte ashtu. Ndoshta nuk kam kaluar aty ku duhej. Megjithatë, gjeta disa vepra të bukura arti në rrugë. Pas një shëtitje të gjatë, u drejtova për në ‘Times Square’. Kisha qenë atje në vizitën time të fundit dhe nuk më pëlqen turma e përhershme, por do takoja një mik i cili do të vinte nga Brooklyn, duke e bërë Times Square një pikë takimi diku në mes për të dy. Hëngrëm drekë në një vend me taracë pranë Qendrës Rockefeller dhe më pas kaluam nëpër Times Square, aty ku zbarkojnë të gjithë turistët.

Ende duke luftuar ndryshimin e orës, u ktheva në hostel për të pushuar dhe për t’u përgatitur për një natë të gjatë. Në mbrëmje, takova një mik tjetër që jetonte rreth një orë larg Manhattanit. Kishim bërë një plan të qartë i cili përfshinte shëtitje nëpër qytet deri në mesnatë dhe më pas do të shkonim në klubin ‘The Basement’ në Brooklyn. Kjo ishte një tjetër eksperiencë që doja të provoja. Biletat për koncertin e asaj nate i kishim blerë që më parë dhe gjithçka dukej në rregull.

Morëm metronë, e cila përsëri nuk të jepte siguri dhe më tej morëm një Uber për të shkuar fiks tek ‘The Basement’. Kishte rradhë për tu futur, por lëvizte në mënyrë të qëndrueshme. Të gjithë ishin të veshur me lëkurë dhe dukeshin shumë ‘hard core’, ndërsa unë isha me atlete dhe pantallona jeans. Pas rreth 30 minutash pritje, arritëm tek kontrolli i hyrjes. Nuk na lejuan të futeshim dhe na kërkuan të largoheshim. Ne diskutuam pak me truprojën tek dera, por ishte e pamundur të hynim. Pas 20 minutash na erdhi një e-mail që thoshte: “Çdo biletë që blihej online kishte kushtin që pranimi brenda në klub përcaktohej tek dera. Nëse na refuzonin, atëherë do të na rimbursonin biletën.” Diçka që nuk e kisha lexuar tek kushtet kur bleva fillimisht biletën.

Të zhgënjyer, shkuam tek vendi tjetër më i mirë, “Nowadays”. Rregullat e shtëpisë nuk lejonin celularët dhe mhabetin në pistën e vallëzimit. Për fat, afronin tapa për veshët, të disponueshme falas, të cilat i përdora pasi volumi i muzikës ishte tepër i lartë. Ndonëse muzika nuk nuk më ngjiti shumë, atmosfera ishte e këndshme dhe kaluam bukur. Një djal vendas na tha se me siguri na kishin refuzuar në The Basement sepse ishte një festë ‘Leather Fetish”. Nuk e di nëse ishte e vërtetë apo ai e tha për të më bërë të ndihem më mirë, por funksionoi. U lehtësova disi. Një mik që e vizitoi vitin e kaluar nuk u përball me një sfidë të tillë, kështu që duhet të ketë qenë një festë me temë, për të cilën nuk ishim përgatitur. E mundur apo jo?! Do t’ju lë ju vetë të vendosni.

U larguam nga klubi pas orës 6 të mëngjesit, tashmë kishte zbardhur përjashtë, ecëm pak, morëm metronë për në qytet dhe aty rruga ime dhe e mikut tim u nda. Ai u kthye në shtëpi ndërsa unë në hostel. Pas rreth katër orësh gjumë, u zgjova nga alarmi. Nuk mund ta kaloja ditën duke fjetur me planet që kisha bërë për këtë ditë.

Eksperienca e rradhës ishte më e bukura në Manhatan. Kisha blerë një biletë për në Broadway, shfaqja “Harry Potter dhe fëmija i mallkuar” e cila kushtonte rreth 90$. Shpenzimi më i vlefshëm deri në atë moment. Unë jam një  “Potterhead” që i kam shumë përzemër filmat (megjithëse nuk i kam lexuar librat — nëse keni lexuar “Reflektime mbi 2023”, do ta dini që nuk jam një lexuese e zjarrtë). Kur isha në Londër, i bëra të gjithë miqtë e mi të prisnin në rradhë, vetëm që të vishja shallin Slytherin dhe për të përjetuar Platformën 9 3/4 në stacionin hekurudhor King’s Cross. Po, jam fanse e shtëpisë Slytherin.

Le të kthehemi në Manhattan! Megjithë vendin e kisha diku siper, duke qenë një teatër shumë i pjerrët, pamja ishte gjithsesi e mahnitshme. Ishte shfaqja e parë që shihja në Broadway dhe ishte mahnitëse. Zgjati rreth tre orë me një pushim të shkurtër në mes të performancës . ‘Spoiler alert’: Dementor zbresin nga tavani dhe madje mund të prekin ata që ndodhen në rreshtat e parë. Efektet speciale gjatë dueleve dhe momenteve të tjera magjike ishin magjepsëse, dhe unë mbeta e mahnitur. U ndjeva vërtet e transportuar në një tokë magjike.

Më vonë, takova një shoqe tjetër që jetonte në Manhatan. Hëngrëm një drekë të vonuar në West Village. Më pas ajo më tregoi zonën përreth duke bërë shëtitje dhe përfunduam në Battery Park, duke shijuar pamjen e bukur të rrokaqiejve të New Jersey gjatë natës. Të ulura në një stol parku, e shijuam atë pamje në heshtje. Ishte mënyra e përsosur për të përmbyllur 48+ orët e mia në Manhattan.

Ndalesa e radhës ishte Oklahoma City, kështu që më duhej të kapja një fluturim në orën 8 të mëngjesit nga JFK për në Dallas. Edhe pse nuk ishte një fluturim direkt për në OKC, unë e mora me sportivitet udhëtimin, sepse hej, është Amerikë. Është me të vërtetë e madhe, dhe aventura ime në Oklahoma e më tej mund ta dëshmojë këtë. U zgjova në orën 4:30 të mëngjesit, me orarin e gjumit të shkatërruar plotësisht dhe u nisa përsëri për në aeroport.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *