48 orë diku Afrika Udhëtime

Uganda, Perla e Afrikës

E vërtetë, po e filloj këtë artikull me këtë titull jo origjinal, por me të vërtetë nuk mund të mendoja për një më të mirë. Intensiteti i natyrës në Uganda ishte i papërshkrueshëm. Rrugën e nisëm herët në mëngjes në Diani, Kenia dhe në Entebbe mbërritëm natën vonë. Uber-i u fut në autostradë, por shpejt u kthye në një rrugë të pa shtruar, me vetëm disa drita të zbehta krahe rrugës. Vetëm të nesërmen në mëngjes mundëm të kuptonim gjelebërimin dhe ndjesinë e zonës rreth e qark. Bujtina ishte e bukur, me një kopsht të vogël të mbushur me bimë autoktone si lule dhe ananas.

Mëngjesin tjetër  e morëm me nge dhe hëngrëm mëngjes në ballkon për të shijuar pamjen. Më pas, u nisëm në kërkim të molit. Informacioni në internet nuk ishte i mjaftueshëm, madje edhe tek moli ishte e vështirë të gjeje ndonjë informacion. Kemi ecur nëpër një treg shumë të varfër për të arritur në port. Disa vendas tek moli ma thanë se do të duheshin tre orë e gjysmë për të shkuar në ishull. E kishim ende lodhjen e rrugës së një dite më parë dhe nuk kishim dëshirë të kalonim më shumë se shtatë orë në një varkë. Dikush tjetër u përpoq të na bindte se me skaf ishte vetëm një orë larg dhe do të mund të shihnim edhe gorillat. Ne e dinim që nuk ishte kështu, pasi gorillat gjenden vetëm në Bwindi Impenetrable Forest,, larg nga Entebbe.

Në pamundësi për të gjetur një opsion të përshtatshëm, vendosëm të marrim një uber për në Kopshtin Botanik të Entebbe. Kishte një tarifë të vogël hyrjeje, dhe shoferi i Uber mund të na çonte deri në zemër të kopshtit. Kaluam rreth një orë e gjysmë duke shëtitur përreth, duke bërë foto dhe duke shijuar pamjen në qetësinë. Kopshti ishte i mbushur me pemë madhështore, zogj të ndryshëm dhe disa majmunë të veçantë, bardh e zi, të quajtur Colobus. Gjatë shëtitjes sonë, disa vëzhgues zogjsh ndanë me ne disa kuriozitete. Më pas, ecëm drejt bregut të liqenit Viktoria dhe pritëm një varkë për të bërë një lundrim të shkurtër. Pamjet ishin freskuese, me pyje përgjatë bregut dhe disa kabina të shpërndara, secila e rrethuar nga xhungla e saj e vogël.

Më pas u drejtuam në qytet për drekë, duke u siguruar që të ktheheshim në kohë për perëndimin e diellit. Morëm përsëri një Uber, i cili eci nëpër stendat e tregut që tani ishin bosh, ndërkohë që vetëm gjashtë orë më parë ishin plot e përplot me njerëz. Destinacioni ishte një bar përtej portit buzë liqenit. Morëm një birrë vendase duke parë perëndimin e bukur të diellit në Entebbe.

Dita e dytë rezervonte një aventurë madhështore—rafting në Nil, lumi më i gjatë në Afrikë. Deri vonë, gjithmonë kisha besuar se ishte lumi më i gjatë në botë, siç e kishim mësuar në shkollë, por rezulton se Amazona është pak më e gjatë. Nili rrjedh nga liqeni Viktoria, i njëjti liqen që vizituam një ditë më parë në Kopshtin Botanik.

White Nile Rafting Ltd na mori në orën 5 të mëngjesit në bujtinë. Zakonisht, ata pikën e nisjes e kanën nga Kampala, por bënë një përjashtim për një tarifë shtesë. Një autobus i madh, vetëm për ne të dyja, për të shkuar në Jinja. Ajo ishte rreth tre orë larg, në varësi të trafikut dhe ishte qyteza më e afërt me pikën e rafting. Kam dremitur për pjesën më të madhe të udhëtimit, por shoqja ime pa lindjen e bukur të diellit. Mbërritëm rreth orës 9 të mëngjesit, në kohë për mëngjes, i cili ishte i përfshirë. Përpara se të ngjiteshim përsëri në autobus, morëm helmetat e sigurisë dhe një leksion mbi kodet e komunikimit që duhej të ndiqnim në rast të një rënie të shkallës 5. Shpejtësitë e shkallës 5 konsiderohet ekstreme: “Klasa V: Ekspert — rënie të gjata, të dhunshme që kërkojnë navigim ekspertësh. Të përshtatshme për ata me aftësi të avancuara dhe nivele të larta të aftësisë fizike.” (Eola, 2024). E gjitha pritej të zgjaste 4-5 orë, duke mbuluar tetë rënie të rëndësishme gjatë 30 kilometrave. 

Kur mbërritëm në breg, rishikuam udhëzimet, veshëm jelekët e shpëtimit dhe u nisëm. Kaluam pak kohë vetëm me komardare përpara se të ngjiteshim në varkë. Unë kisha provuar më parë rafting në lumin Osum gjatë një udhëtimi me kolegët, e cila ishte e këndshme, por asgjë në krahasim me këtë. Edhe pse nuk na duhej të vozisnim shumë me lopata, kur e bënim pranë rënieve të vrrullshme, ishte aq intensive saqë ishte e kotë – rënia ishte e pashmangshme, veçanërisht në nivelin e pestë, dhe 2 rënie ishin të këtij niveli. Gjatë rrugës ndeshëm edhe dy rënie të shkallës 6, por dolëm nga uji dhe ecëm duke mbajtur pajisjet përtej ujërave të rrezikshme. U lehtësova nga kjo gjë, sidomos pas rënies së parë të klasës 5. Rëniet e tjera varionin nga shkalla 1 deri në 4, duke ofruar një përzierje të ekuilibruar të adrenalinës dhe lundrimit të qetë, ku thjesht ndiqnim rrjedhën dhe shijonim pamjen dhe natyrën e mahnitshme të Ugandës. Tani e kupton pse konsiderohet “Perla e Afrikës”. Të paktën kështu ishte për mua, pasi ky ishte vetëm shteti i tretë afrikan që po kisha parë në këtë kontinent masiv.

Gjatë lundrimit të qetë, hëngrëm fruta ekzotike, shijuam panoramën dhe shkëmbyem mendime me udhërrëfyesit tanë. Një varkë sigurie na shoqëronte gjatë të gjithë kohës, aty ishin ushqimet, pijet, kutia e ndihmës së parë dhe çdo gjë tjetër që mund të na duhej. Gjithashtu na shoqëruan kanoe të tjera solo të cilat na ndihmonin dhe udhëzonin, veçanërisht gjatë kthesave dhe rënieve sfiduese. Më në fund zbritëm në një fushë, bëmë disa foto me varkën dhe pritëm autobusin. Rruga e kthimit ishte e mbushur me shaka nga momentet që sapo kishim jetuar. Në stacion na priste një barbekju e merituar. U ndërruam dhe shijuam një vakt të bollshëm përpara se të bënim fotot e fundit me ekipin e White Nile Rafting Ltd.

Në rrugën e kthimit, nuk ishim më vetëm ne të dyja; të tjerë na u bashkuan deri në Kampala. Trafiku ishte i rënduar, duke e bërë rrugën të gjatë dhe të mundimshme. U përpoqa të fle por nuk munda. Ishim të drobitura por të lumtura. Rrugët që po kalonim tani ishin të gjalla dhe me shumë njerëz që vazhdonin ditën e tyre. Pamja ishte e drobitur si ne, por ata nuk ishin të lumtur. Mbërritëm në bujtinë shumë vonë, për ne s’kishte më asgjë në Uganda. Bëmë një dush, paketuam kujtimet dhe u përgatitëm për fluturimin drejt shtëpisë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *