Plazhet e Kenias më kishin thënë se janë të mrekullueshme. Fatkeqësisht, nuk mundëm të shkonim në Lamu në veri. Një nga arsyet ishte se unë personalisht nuk doja të humbisja përvojën e trenit nga Nairobi në Mombasa, si në “Out of Africa”. Treni u nis në orën 8 të mëngjesit, në këtë rast nuk ka kohë afrikane, siç e kam përmendur më parë. Sediljet ishin pak të ngushta, por gjithsesi të rehatshme. Gjatë udhëtimit, shijuam peisazhin me shkurre, lexuam, unë fjeta aty-këtu, dëgjuam muzikë dhe zhvilluam biseda kuptimplota. Gjithçka shkoi shumë mirë për 6 orët që ishim në tren derisa mbërritëm në Mombasa dhe aventura filloi me të vërtetë.
Në Mombasa morëm një TukTuk për në qendër të qytetit, e cila është mjaft larg nga stacioni i trenit. Fillimisht ndoqëm një rrugë të prishur që ishte e gabuara, por pasi shoferi pyeti për rrugën e gjetëm atë të duhurën. Kjo nuk ishte zgjidhja më e mirë, pasi të ecje nëpër zonat rurale me bagazhe të ekspozuara nuk të jepte shumë siguri. Unë rekomandoj të merrni një mikrobuz për këtë rrugë, edhe pse kushton më shumë, ofron më shumë siguri dhe rehat. Kur mbërritëm në agjencinë e autobuzëve, zbuluam se nuk kishte autobuzë për pjesën tjetër të ditës që të dërgonin në Malindi. Kështu që i kërkuam shoferit tonë të TukTuk të na çonte në stacionin e transportit publik. Me të mbërritur, ne u rrethuam nga shoferë që ofronin shërbimet e tyre për në Malindi. Kjo skenë më bëri të kthehesha në kohë dhe udhëtoja nga Durrësi në Tiranë me autobuzat apo furgonët e linjës. Ne vend të Matatut që kushtonte 300 KES, zgjodhëm një furgon për 400 KES, duke qënë se ofronte pak më shumë hapësirë, por përsëri sihim shumë ngusht.
Një këshillë e vogël për zonjat: Mombasa ka një komunitet të konsiderueshëm mysliman, kështu që do të ishte mirë të visheni thjesht dhe me shpatulla të mbuluara për të shmangur vëmendjen e padëshiruar. Pas një udhëtimi prej tre orësh e gjysëm, arritëm në Malindi. Nuk dukej si qendër qyteti, megjithatë në këtë pikë ishim mësuar me infrastrukturën e tillë. Uber këtu funksiononte ndryshe — duhet të negocioje tarifën e udhëtimit me shoferët nga aplikacioni, përndryshe askush nuk e pranonte kërkesën tuaj për të udhëtuar, aq më tepër që nuk kishte shumë makinat në dispozicion. Edhe këtë herë, një TukTuk na erdhi në ndihmë, duke na dërguar tek vila që kishim rezervuar, Swordfish Villas, të cilat nuk ndodheshin buzë plazhit.
Ishim pa dyshim të rraskapitura, pasi u larguam nga hoteli në orën 6:30 të mëngjesit në Nairobi dhe mbërritëm në orën 18:00, u përballëm me një tjetër sfidë: recepsioni nuk kishte kompjuter dhe rezervimi ynë nuk ishte në të shënimet e tyre. Kjo ishte qershia mbi tortë! Pasi pritëm një orë pranë pishinës, situata u zgjidh. Rezultoi që nuk kishte asnjë situatë për tu zgjidhur, vilën tonë ia kishin dhënë dikujt tjetër, por vilat ishin identike, kshu qe thjesht ne na caktuan një tjetër vilë. Kjo ishte hera e parë që vërtet jetuam shprehjen e ‘Pole Pole’ në një kontekst jo pozitiv. Më në fund u sistemuam, u freskuam dhe shkuam në një restorant italian buzë plazhit për të përfunduar ditën tonë të gjatë.
Malindi ka një komunitet italian dhe shumica prej tyre menaxhojnë restorante ose hotele. Rosada, një tjetër restorant italian dhe plazh, është një vend që unë do ta rekomandoja shumë. Nëse rezervoni përpara dhe shpenzoni mbi 5000 KES, merrni falas shezllonet më të mirë të plazhit nën hijen e një pemë të mrekullueshme. Aty kaloi gjithë dita duke pushuar dhe duke shijuar plazhin. Shoqja ime, si një eksploruese e vërtetë, shëtiti përgjatë plazhit, nga veriu në jug, duke folur me vendasit dhe duke mësuar për kulturën e tyre. Oqeani këtu është i bukur, por shumë ndryshe nga sa jam mësuar në Shqipëri. Bregu ka rërë të bardhë të butë, megjithatë uji kishte alga deti dhe gura e të llojeve të ndryshme.
Batica ishte diçka që më tronditi, nuk isha mësuar të shihja një ndryshim kaq të madh në breg. Më 28 maj të vitit 2024, rreth orës 13:00, oqeani u tërhoq gjithmonë e më shumë, por në orën 18:00, ai kishte avancuar dhjetëra metra. Ishte hera e parë për mua që dëshmoja diçka të tillë. Nuk kishte më breg, oqeani ishte në këmbët tona, pranë shezlloneve.



Atmosfera në mbrëmje ndryshoi 100% në krahasim me atë gjatë ditës. Dritat e bukura dhe muzika të jepnin një ndjesi krejtësisht tjetër. DJ vendas luajti një larmishmëri hitesh të vjetra si Shakira dhe gjithashtu muzikë vendase duke na paraqitur një zhanër të ri muzike. Do të shtoj disa prej tyre në listën time “Travel Discoveries” në YouTube. Ndërkohë njerëzit që argëtoheshin dhe mbushnin klubin ishin të ndryshëm duke përfshirë italianë dhe vendas. Gjatë të gjithë kohës që na u desh të udhëtonim nga vila në Rosada, kemi udhëtuar me TukTuk. Ndiheshim shumë të sigurta sapo ngjiteshim në një të tillë ose kur na shoqëronte një vendas. Kjo më kujtoi fenomenin e “BESËS” shqiptare. “N’Besën tënde!”
Në rregull, t’i rikthehemi udhëtimit tani. Të nesërmen, organizuam një makinë për të na çuar në Diani, me një ndalesë në Watamu për një guidë me varkë. Në pikën e Biletave Detare në Watamu, unë rekomandoj të paguani me para në dorë për të shmangur procesin e gjatë të regjistrimit për pagesën me kartë. Guida kushtonte rreth 30$ për person. Pas një pritjeje të shkurtër, lundruam drejt delfinëve. Ne ju afruam shumës, por duke qënë se kishte shumë varka që i ndiqnin me shpresën për të kapur një foto të bukur, asnjëri prej tyre nuk bëri një kërcim të madh. Më pas shkuam për ‘snorkeling’. Kishte disa peshq shumëngjyrësh, por jo shumë korale dhe gjithashtu kishte shumë njerëz që u zhytën njëkohësisht. Përfunduam duke pirë shumë ujë të kripur. Ndalesa jonë e fundit ishte një ishull i vogël i formuar gjatë zbaticës përballë plazhit Garoda. Një vend i bukur me rërë të bardhë dhe ujë të pastër. Sigurisht, shumë turistë, madje takuam një nga fqinjët tanë nga Vilat Swordfish. E shijuam shumë kohën që kaluam aty.
Pa pritur, varka na la në mes të oqeanit dhe na u desh të ecnim rreth 150 metra deri në breg me çantat në krah. Guida na premtoi një TukTuk, por pas disa telefonatave dhe shumë pritjeve, më në fund erdhi një që të të na dërgonte aty nga nisën udhëtimin me varkë ku na priste edhe shoferi ynë. Peisazhi kishte ndryshuar krejtësisht; varkat e fundit të mbetura tashmë kishin ngecur në rërë për shkak të zbaticës. Ishte një pamje dëshpëruese, aty kishte lindur një shkretëtirë.






Më në fund rinisëm rrugën për në Diani, ku na priste një tjetër sfidë — këtë herë aspak e këndshme. Ngecëm në trafik për katër orë, përpara se të hipnim në traget për të kaluar në anën tjetër. Ky traget ishte e vetmja mënyrë për të shkuar nga Mombasa në Diani. Mbërritëm në hotelin tonë, Diani Beachalets, natën vonë, vetëm për të zbuluar se nuk kishim ajër të kondicionuar. U sajuam me disa ventilatorë. Shkuam në restorantin më të afërt që ishte hapur në atë orë me uber, një shërbim që nuk e rekomandoj për në Diani. TukTuk-ët janë një alternativë më e mirë, ju mund të merrni numrin e tyre ose të caktoni paraprakisht një orar kur dëshironi që te vijnë për t’ju marrë.
Mëngjesin tjetër zbuluam një plazh të qetë që ishte praktikisht në oborrin e shtëpisë sonë. Një vend kaq i paqtë dhe privat, që të jepte një ndjesi lehtësuese. Eksploruam zonën, shijuam plazhin e qetë dhe pamë një karvan me deve që kalonte pranë nesh. Më vonë, pranë Diani Watersports, përveç pamjes magjepsëse, pamë edhe shfaqjen e balonave që fluturonin. Provova aragostë për herë të parë dhe ishte vërtet shumë e shijshme për vetëm 18$.




Në mbrëmje, shkuam në një festë latine tek Funky Monkey, ku kërcyem nën ritmet e muzikës salsa dhe bachata. Të nesërmen, eksploruam një plazh të ri ku jetonin gjithashtu edhe dy majmunë që livadhisnin të lirë, duke i shtuar emocionet vizitës sonë. Duhet të ishim të kujdesshme me gjërat tona, pasi majmunët rrëmbenin me shpejtësi gjithçka që mundnin, veçanërisht ushqimet. Njëri më vodhi një kek i vogël ndërsa isha duke fjetur. Më pas i ofruam majmunit një banane dhe xhestet e tij ishin të adhurueshme. Gjatë kësaj kohe, kishim ndryshuar hotelin për të marë sa më shumë nga ajo që ofronte Diani. Atë natë shkuam në Manyatta, e cila ishte më e qetë se zakonisht.
Dita jonë e fundit në Diani përfshinte përsëri kalimin e urës për në Mombasa, dhe fluturimin drejt Nairobit. Nuk e dinim që Diani kishte gjithashtu aeroport. Fatmirësisht mbërritëm në kohë, megjithatë fluturimi ynë për në Nairobi ishte me vonesë. Ishte pjesa e fundit e aventurës sonë Keniane, përpara se të niseshim për në Entebbe, Uganda.



