48 orë diku Amerika Veriut Udhëtime

48 Orë në Las Vegas

Pas aventurave në Oklahoma City, u nisëm për në Las Vegas rreth orës 11:50 paradite dhe mbërritëm rreth orës 12:30 në mesditë. Fluturimi zgjati rreth 2 orë e 45 minuta. Sapo mbërritëm, porositëm një Uber dhe ndaluam në një market rrugës për të blerë ‘snacks’ dhe gjëra të tjera që mund të na duheshin gjatë fundjavës. Përgjatë brezit të hoteleve dhe kazinove nuk kishte markete të thjeshta, prandaj vendosëm t’i merrnim gjërat paraprakisht. Gjatë atyre ditëve qëndruam në ‘Excalibur’, ndërsa përballë dritares sonë qëndronte krenar ‘Luxor’. Pasi u sistemuam në dhomë u nisëm menjëherë për të eksploruar.

Pas aventurave në Oklahoma City, u nisëm për në Las Vegas rreth orës 11:50 paradite dhe mbërritëm rreth orës 12:30 në mesditë. Fluturimi zgjati rreth 2 orë e 45 minuta. Sapo mbërritëm, porositëm një Uber dhe ndaluam në një market rrugës për të blerë ‘snacks’ dhe gjëra të tjera që mund të na duheshin gjatë fundjavës. Përgjatë brezit të hoteleve dhe kazinove nuk kishte markete të thjeshta, prandaj vendosëm t’i merrnim gjërat paraprakisht. Gjatë atyre ditëve qëndruam në ‘Excalibur’, ndërsa përballë dritares sonë qëndronte krenar ‘Luxor’. Pasi u sistemuam në dhomë u nisëm menjëherë për të eksploruar.

Në të gjitha hollet e hoteleve kishte makineta me lojëra fati. E nisëm eksplorimin nga ‘New York — New York’ dhe më pas hëngrëm një drekë të vonuar në një restorant italian përgjatë ‘The Strip’. Përsëri pas drekës, shëtitëm për një kohë të gjatë, duke kaluar pranë ‘Flamingo’, ‘MGM Grand’, ‘The Venetian’ e shumë të tjerëve. Në orën 21:30 kishim blerë biletat për të parë shfaqjen “Mad Apple” të Cirque du Soleil. Për fat të keq, trupa e shfaqjes që dëshironim të shihnim fillimisht ishte pushim atë javë. Megjithatë, “Mad Apple” ishte një kombinim i cirkut, baletit, këngës dhe ‘stand-up comedy’. Një varietet që shkonin shumë mirë me njëri-tjetrin dhe të mbërthenin me kërshëri. 

Të ekzaltuar nga shfaqja, vendosëm të bënim një xhiro me “The Big Apple Coaster” që ndodhej pikërisht në hotelin “New York — New York”. Bileta e parë e ditës kushtonte 25 dollarë dhe të tjerat pas saj kushtonin 10 dollarë për atë ditë. Gjithashtu, duhej të ishe të paktën 137 cm e gjatë dhe e xhiro zgjaste më pak se 3 minuta. Sigurisht, bileta ishte pak e shtrenjtë për vetëm 3 minuta, megjithatë ishte mjaftueshëm emocionuese dhe mund të them se ia vlejti. Mbrëmjen e mbyllëm në një klub me balerina ekzotike. Ishte hera e parë që vizitoja një të tillë dhe e vetmja gjë që mund të them është se pamja ishte më e trishtë sesa skenat që kisha parë në filma.

Ditën e dytë e nisëm në bufenë e hotelit për ‘brunch’, për të vazhduar në zonën e pishinës për disa momente qetësie. Plani i pasdites ishte të vizitonim “The Sphere”, ndërtesa që i mori vendin e parë Avicii Arena-s në Stokholm, si ndërtesa më e madhe sferike në botë. Për të shkuar blemë biletë për Monorail-in dhe u nisëm drejt sferës gjigande prej drite. Për sa i përket Monorail-it, nuk ishte i shtrirë mjaftueshëm dhe stacionet brenda hoteleve madhështore ishin vështirë për t’u gjetur. Prandaj lëvizjet tona përgjatë ‘The Strip’ ishin një kombinim i shëtitjes dhe lëvizjeve me Monorail. Kur na duhej të dilnim nga zona e populluar dhe me shumë trafik e kazinove, porosisnim Uber. 

Shfaqja tek “The Sphere” ishte e regjisorit të nominuar për Oscar, Darren Aronofsky, dhe quhej “Postcard From Earth”, Kartolinë nga Toka. Shfaqja fillonte në orën 21:30, por ne mbërritëm rreth një orë më parë dhe thjesht shijuam pamjet e Sferës nga jashtë. Ishte vërtet magjepsëse. Duke qenë se kishim rehatinë e kohës, bëmë foto dhe video pa fund, nga afër dhe nga larg. Kur më në fund u hapën dyert, takuam një prej robotëve të shumtë që ndodheshin në holl. E pyetëm robotin për Shqipërinë dhe pasi na tregoi pak mbi vendin tonë, Shqipërinë, i lamë radhën të tjerëve të bisedonin me të. 

Shfaqja ishte impresionuese. Mesazhi ishte sa tronditës aq edhe shpresëdhënës dhe futurist. “E dija që ishte një ide e çmendur. Por nuk mund ta imagjinoja realisht se si do të më bënte të ndihesha një ekran sa 4 fusha futbolli amerikan.” — Darren Aronofsky, 2023. Ekrani më i madh në botë të krijonte iluzionin sikur vërtet ishe brenda një bote tjetër, kjo për shkak të harkut 270 gradë. “Filmi është xhiruar me një kamera 18K, të cilës i duhej një ekip prej 12 vetash për ta operuar dhe për të parandaluar nxehjen e tepërt.” — ScreenRant, 2023.

Në përpjekje për të mbajtur gjallë magjinë e Sferës, destinacioni i radhës ishte Fremont Street, ose ndryshe Las Vegas-i i vjetër. Këtë destinacion na e rekomandoi njëra prej balerinave një ditë më parë, duke thënë se kjo është zona që frekuentohet më së shumti nga vendasit. Përpara se të niseshim, ndaluam në një ‘7-Eleven’ pranë Sferës, ku pritëm edhe Uber-in. Kur hipëm në makinë, shoferi i shqetësuar deri diku na njoftoi që kishim gjetur vendin më të papërshtatshëm për të bërë ndalesën tonë, pasi kjo zonë konsiderohej e rrezikshme nga vendasit, edhe pse kaq afër një destinacioni të rëndësishëm turistik dhe teknologjik.

Mund të them se Fremont Street ishte vendi ideal për të vizituar pas Sferës. Kjo sepse rruga ishte tepër e ngushtë në krahasim me “The Strip”, kazinotë ishin fare pranë njëra-tjetrës dhe të linin përshtypjen e një shesh xhirimi filmash. Për më tepër, e gjithë rruga kishte një ekran LED, që mbulonte qiellin me yje dhe ofronte një alternativë shpërthyese me ngjyra në vend të tij. Pikërisht në këtë rrugë ishte hapur kazinoja e parë ‘Golden Gate’ dhe mund të gjeje ende versionet e vjetra të kazinove që vizituam një ditë më parë, si ‘Flamingo’ e të tjera. Për fatin tonë, një bandë po performonte, duke krijuar një atmosferë shumë të këndshme.

Ditën e fundit paradite, vendosëm të provonim jetën e kazinove përpara se të niseshim për rrugë. Kjo është e bukura e Las Vegas-it, nuk ekziston as mbrëmja dhe as mëngjesi, festa vazhdon 24/7, pa pushim. Kjo ishte hera ime e parë në kazino, dhe qëllimi ishte të eksploroja lojëra të ndryshme. Rregulli i parë që vendosëm ishte të mos shpenzonim më shumë para sesa një shumë limit që vendosëm. Provova disa nga makinetat, të cilat nuk më pëlqyen aspak. Edhe pse me disa fitoje shuma të vogla, shumica ishin lojëra pasive që nuk më intriguan fare. Më pas provova ruletën. Kjo ishte e vetmja lojë që më pëlqeu. Ashtu sikurse mund të keni lexuar në “Rrugëtimi im nga divani në gjysmë maratonë”, unë i kam shumë qejf numrat dhe matematikën në përgjithësi, prandaj llogaritja e probabiliteteve dhe kombinimeve të ndryshme më bëri të përfshihesha shumë. 

Më në fund ishte koha të provoja pokerin. Poker kisha luajtur shumë herë më parë midis miqsh, por loja në Las Vegas ishte disi ndryshe. Hoteli ynë nuk dispononte tavolina pokeri, prandaj shkuam tek ‘Luxor’. Loja ishte kundër shtëpisë dhe për të marrë pjesë në lojë të nevojiteshin të paktën 60 dollarë. Dorën e parë fitova disa para fal letrës më të lartë, asit që kisha në dorë, por fati i fillestarit nuk vazhdoi më tej. Dorën tjetër e humba dhe mbeta me më pak se 60 dollarë. Duke pasur në mendje limitin që vendosëm, u largova nga loja. Duhej të ishe e gatshme të luaje shumë para, krahasimisht me ruletën, që loja të bëhej emocionuese.

Pasi i harxhuam të gjitha paratë që kishim caktuar për të provuar fatin, u kthyem në hotel për të paketuar dhe për të nisur aventurën e radhës drejt “The Grand Canyon”, në Arizona. Mund të them me plot bindjen, që 48 orë intensive në Las Vegas janë mëse të mjaftueshme për të provuar të gjitha emocionet që ofron ky qytet i çuditshëm, ku festa nuk ndalon asnjëherë. Të njëjtën gjë dëgjuam edhe nga miqtë tanë që kishin shkuar më parë, si dhe nga të tjerë që takuam gjatë udhëtimit tonë. Kështu që kur të planifikoni udhëtimin tuaj për atje, mos u mundoni të rezervoni më shumë se dy ditë për këtë destinacion.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *