Kam dashur të ndaj udhëtimin tim të paharrueshëm në Kolumbi prej shumë kohësh. Ky udhëtim pati një ndikim të thellë në jetën time, duke më bërë një person më të lumtur, edhe pse aventura ka përfunduar. Dy javë në Kolumbi, duke filluar në Bogota, shënuan fillimin e kësaj eksperience transformuese.
Mbërritja dhe përshtypjet e para
Arritëm të shtunën rreth orës 19:00, me internet të kufizuar në aeroport dhe pa roaming. Për këtë arsye morëm një taksi direkte në aeroport për rreth 8 dollarë, që dukej jashtëzakonisht e lirë. Një shoqërues na çoi tek taksia që ndodhej larg daljes së aeroportit dhe na u desh të ecnim ca, ndryshe nga opsionet më të shtrenjta që nisen nga terminali i mbërritjes. Më vonë zbuluam se edhe tarifa prej 8 dollarësh ishte e tepërt. Gjatë gjithë pjesës së mbetur të udhëtimit, udhëtuam me Cabify, i cili ofronte taksi të besueshme dhe shoferë të pavarur. Në këtë mënyrë, udhëtimet tona me taksi kushtonin mesatarisht 3$, edhe pse Bogotá është një gjytet vërtet i madh.
Destinacioni ynë fillestar ishte hoteli në zonën e Santa Fe. Është e rëndësishme të theksohet se të qenit e aftë në spanjisht ju ndihmon shumë Bogotá. Anglishtja flitet ose kuptohet rrallë, përfshirë edhe stafin e recepsionit në hotel. Hoteli ynë ishte një hotel me 3 yje, por me dhoma të mëdha, shumë i pastër dhe me mëngjes të përfshirë. Kur pyetëm se sa e sigurtë ishte zona, përgjigja e recepsionit ishte: “Varet nga orari”. Megjithatë, ne nisëm një shëtitje eksploruese dhe zbuluam tiparet e para dalluese të Bogotás. Në të njëjtën rrugë gjeje zona të ndricuara me lokale dhe njerëz që argëtoheshin dhe po ashtu qoshe të errëta dhe të rrezikshme në pamje të parë. Kjo pamje vazhdoi gjatë gjithë shëtitjes sonë. Për më tepër, gjatë ecjes ndërkohë dhe që bisedonim, frymëmarrja ishte sfiduese. Në atë kohë, pyesja veten nëse kjo mund të ishte një shenjë ankthi, edhe pse ndihesha e emocionuar dhe e përgatitur mirë për udhëtimin. Të nesërmen në mëngjes, ndërsa kërkoja një rrugë të përshtatshme për të vrapuar, ndesha kuriozitetin se Bogotá qëndronte në një lartësi prej 2600 m mbi nivelin e detit, duke shpjeguar kështu vështirësinë në frymëmarrje. Mungesa e oksigjenit në këtë lartësi ishte shkaktarja. Për darkë, zbuluam një vend pranë hotelit, ku bënin Smoothie-n më të lezetshëm të përgatitur me fruta ekzotike. Ky vend u bë një ndalesë e rregullt gjatë qëndrimit tonë atje.




Gjullurdia e mëngjesit të së dielës
Të nesërmen, ishte e dielë, çrregullimi i gjumit apo ‘jetleg’ na zgjoi në 5 të mëngjesit. Rreth orës 6:30 ishim rrugës për në ‘Carrera 10’, duke parë se si qyteti zgjohej gradualisht, me çiklistët dhe vrapues që dominonin pamjen. Një treg i gjerë tezgash, i shtrirë në më shumë se 5 km që rrjetëzoheshin në qytet , filloi të popullohej ngadalë. Ne ndaluam në një dyqan-zinxhir kafeje ‘Juan Valdez’ që unë e rekomandoj plotësisht. Më pas u nisëm për një eksplorim të qytetit të pafudn që ishte shndërruar në një pazar të hapur. Artizanatet, produktet e dorës së dytë, ushqimet e ndryshme të rrugës dhe frutat e shijshme ekzotike ishin kudo me bollëk. Më pas, shkuam në Muzeun e Arit dhe Muzeun Botero, që të dyja e kishin falas hyrjen për të huajt – një surprizë e këndshme. Të dy muzetë ia vlejn të vizitohen dhe kërkojnë rreth 1-2 orë, në varësi të interesit të dikujt për detajet. ‘La Candelaria’ na mirëpriti me artin e saj të rrugës, duke ofruar pamje të gjalla dhe plot ngjyra për të bërë foto. E përfunduam xhiron tonë në një shesh të mbushur me karroca ushqimesh, duke shijuar në mënyrë të pashmangshme me ushqimet e larmishme të rrugës.



Një pasdite me ecje të tepruar
Të lodhur nga dita që e kishim nisur shumë herët, u kthyem në hotel. Gjatë rrugës tregu i zhurmshëm dhe i ngjeshur kërkonte të ishe vigjilent për të parandaluar ndonjë hajdut që mund të të rrëmbente telefonin apo kuletën. Pasdite, filluam kërkimin për të blerë kartat SIM vendase. Meqenëse ishte e diel, e vetmja mundësi që kishim ishte një qendër tregtare. Pavarësisht domosdoshmërisë për ti blerë kartat sa më parë, vendimi për të ecur deri atje për 40 minuta nuk ishte zgjidhja më e mirë. Kemi përshkuar lagje me ndërtesa kryesisht një ose dykatëshe, me arkitekturë tradicionale, por rrugët e zbrazëta krijonin një atmosferë të sikletshme. Megjithatë, arritëm në qendrën tregtare, ku ndryshe nga këshillat popullore që favorizonin operatorin Claro, zgjodhëm Tigo, sepse shërbimi tek Claro linte për të dëshiruar. Shitësi tek Tigo na mësoi gjithashtu një shprehje vendase, “Melo Melo Karamelo”, që do të thotë se gjithçka është shkëlqyer dhe/ose në rregull.
Duke u kthyer në muzg, përsëri në këmbë, zgjodhëm të merrnim rrugën kryesore, edhe pse ishte më e gjatë. Kështu zbuluam lagje të lezetshme, por ndeshëm edhe një lagje me ‘drita të kuqe’ thjesht 5 minuta më tutje, gjatë të njëjtës rrugë. Përzierja unike e karakteristikave të kundërta në Bogota të bënte pështypje – zona të gjalla me lokale krah me qosheve të errëta dhe lagjet miqësore për familjet pranë zonave me dritave të kuqe. Rruga e kthimit përsëri në këmbë ishte e panevojshme. Pas një pushimi të shkurtër në hotel shkuam për darkë. Darka e parë e vërtetë në Kolumbi dhe përfunduam në një restorant peruan. Pjatat ishin të bollshme dhe porositë shoqëroheshin edhe me gatime shoqëruese, si supa, që ishin sa dy racione të plota.



Aventurat spontane dhe një kthesë e fatit
Dita pasuese në Bogota filloi në mënyrë të ngjashme rreth orës 5 të mëngjesit. Në orën 6 të mëngjesit, dola për vrap, duke përfunduar 10K me një ritëm të qetë. Një tjetër shok na u bashkua atë ditë, kështu që bëmë pothuajse të njëjtën shëtitje nëpër qytet, si një ditë më parë. Megjithatë tregu nuk ishte njësoj si një ditë më parë, por më i vogël dhe më i qetë. Shijuam ‘Chicharróns’ dhe gjithashtu bleva një varëse të punuar me dorë nga indigjenët, duke negociuar gjithmonë për çmimin. Pas kësaj i rikthyem në hotel për të pushuar.
Plani për perëndimin e diellit përfshinte malin Montserrat dhe megjithëse mbërritëm në stacionin e teleferikut në kohën e duhur, ndeshëm një radhë të konsiderueshme që na detyroi të prisnim afërsisht një orë e gjysmë. Kishte perënduar kur arritëm në majë dhe shumë shpejt filloi të binte dhe shi. Pasi shijuam disi pamjen panoramike për rreth 30-40 minuta, ju rikthyem rradhës së zbritjes duke pritur edhe një orë tjetër.
Dita e fundit pësoi një ndryshim të planeve. Kishim rezervuar një makinë me qira, të cilën nuk arritëm ta merrnim dot për shkak të nevojës për një kartë krediti fizike për të bëre pagesën. Ajo ishte e vetmja mënyrë. Për këtë arsye shkuam në terminalin e autobuzave dhe u nisëm për në Pereira, që më pas të shkonim në Salento. Duke parë rrugën gjatë udhëtimit me autobuz, kuptuam që ishte fat që nuk arritëm ta merrnim makinën me qira, sepse rrugët ishin të ngushta dhe kryesisht me punime.
