Të tjera Udhëzues Vrapi

Larja e Atleteve të Vrapit: Udhëzues Praktik

Larja e atleteve ka qenë gjithmonë një detyrë që më dukej si një angari e pashmangshme. Për një kohë të gjatë, nuk e kisha guximin t’i fusja atletet e mia të preferuara në lavatriçe. Sidomos kur bëhej fjalë për një palë atlete që kushtonin plot 200 dollarë, ideja më dukej e papranueshme. Këto atlete i bleva gjatë një udhëtimi në Kolumbi në shkurt të vitit 2023. Duke qenë se kam një këmbë të gjerë, e kam të vështirë të blej online. Udhëtimi në Kolumbi ishte një mundësi e mirë për të gjetur atë që kërkoja. Kështu do të isha gati për Maratonën e Tiranës 2023, maratonën time të parë të plotë.

Kërkimet online më kishin drejtuar te Adidas Adizero Boston 11, që më dukeshin të forta dhe të rehatshme. Përveç kësaj kishin një çmim më të arsyeshëm krahasuar me versionet profesionale. Ishin perfekte për vrapimet e gjata, me jetëgjatësi rreth 3000 km. Ato do të ishin më se të mjaftueshme per aq sa varpoja unë. Atë vit për shëmbull kam vrapuar rreth 550 kilometra në mos gabohem. Gjatë vizitës në Medellin, i gjeta në ngjyrë jeshile dhe të zeza. Fatmirësisht më rrinin shumë mirë. Pas afro gjashtë muajsh, erdhi momenti t’i laja.

Në mungesë të kohës, vendosa të provoj lavatricen. Kishte ardhur koha që t’i përballoja frikërat e mia dhe t’i fusja atletet e mia të preferuara në një cikël larjeje. Më poshtë po ndaj një udhëzues praktik për t’ju ndihmuar në larjen e atleteve tuaja të vrapit.

Udhëzues Praktik për Larjen e Atleteve të Vrapit

1. Përgatitja e Atleteve:

   – Filloni duke hequr lidhëset dhe shollat e brendshme të atleteve. Këto pjesë shpesh mbajnë pluhur dhe papastërti të mbledhura nga përdorimi.

   – Shollat dhe lidhëset vendosini në një legen me ujë të ngrohtë dhe detergjent të lehtë për larje, duke i lënë të zhyten gjatë kohës që atletet lahen në lavatriçe.

2. Vendosja në Lavatriçe:

   – Atletet futini në një çantë cope me vrima ose në një këllëf të vjetër jastëku për të shmangur dëmtimin gjatë larjes. 

   – Shtoni disa peshqirë të vjetër në lavatriçe për të siguruar një amortizim më të mirë dhe për të zbutur lëvizjet e forta gjatë larjes.

   – Përdorni një cikël të butë larjeje, ideal për rroba pambuku, me një temperaturë maksimale prej 40 gradë Celsius. Koha e ciklit që zgjedh unë është 59 minuta.

3. Pas Larjes:

   – Pasi cikli të përfundojë, nxirrni atletet nga lavatriçja dhe nxirrini të thahen përjashtë. Mos përdorni makinën tharëse, pasi nxehtësia mund ti dëmtojë.

   – Ndërkohë, shollat dhe lidhëset i shpërlajmë mirë me ujë të rrjedhshëm dhe i nxjerrim të thahen gjithashtu.

4. Pastrim i Detajuar:

   – Nëse atletet kanë ende njolla ose papastërti në zona specifike, përdorni një furçë të vjetër dhëmbësh dhe pak sapun për të pastruar zonat problematike. Atletet e mira për shembull kishin ende papastërti tek qafa ku rrinë lidhëset dhe tek motivet e gomës. Pasi t’i keni pastruar, shpërlajini me ujë të pastër dhe lërinii të thahen.

5. Përfundimi:

   – Unë i thash më pak se një ditë për tu tharë plotësisht në një ditë të nxehtë vere. Pasi i vendosa lidhëset dhe shollat atletet ishin gati për t’u përdorur sërisht. Dukeshin si të reja.

Kjo metodë jo vetëm që do t’i mbajë atletet të pastra dhe të freskëta, por gjithashtu do ti rrisë jetegjatësinë, që të jeni gjithmonë gati për vrapin e radhës dhe investimi i radhës tek atletet e vrapit të ndodhë sa më vonë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *