Europa Udhëtime

Bruksel, udhëtimi im i parë vetëm

Mbi dhjetë vjet më parë, në pranverën e vitit 2013, e gjeta veten si finaliste në një konkurs për video, duke fituar një udhëtim falas në Bruksel për Festivalin e Forumit Rinor të Parlamentit Evropian. Isha ende në vitin e dytë të universitetit dhe kjo mundësi paraqiste për mua një aventurë, sepse ishte udhëtimi im I pare jashtë Shqiërisë vetëm. Nuk mund të them se rashë në dashuri me Brukselin, por padyshim mund ta shihja veten duke jetuar atje. Kalova vërtet shumë bukur! Kjo është mënyra ime e veçantë për të vlerësuar një qytet. A do të më pëlqente të jetoja aty? Shumica e qyteteve që kam vizituar nuk kanë marrë një përgjigje pozitive, sikurse Parisi. Unë nuk do të jetoja dot kurrë në Paris.

Për fat të mirë, angazhimi në festival ishte i shkurtrër, duke më lënë shumë kohë të lirë gjatë qëndrimit tim katërditor. Duke pasur parasysh natyrën time introverte, të njihja njerëz të rinj në festival ishte e sikletshme, sidomos me të gjithë pjesëmarrësit të angazhuar me projektet e tyre. Nuk mbaj mend gjithçka në detaje nga ky udhëtim, por ajo që po përpiqem të bëj, është të përshkruaj një ndjesi.

Ditën e parë takohem me finalistët e tjerë të konkursit dhe të gjithë së bashku shkuam për të parë Muzeun Magritte. Rregulli i përgjithshëm në Bruksel ishte që të gjithë ata nën 27 vjeç, përfitonin zbritjen e studentëve. Pra, ne paguam vetëm 2 € për biletën, në vend të 8 € që ishte çmimi i plotë. Ishte viti 2013, por megjithatë Brukseli ishte një qytet shumë i lirë në krahasim me qytetet e tjera, si Vjena për shembull. Ekspozitat e muzeut më pëlqyen shumë. Disa nga veprat e René Magritte i kisha parë më parë në printime dhe kartolina, por nuk e dija artistin pas tyre.

 Dola e fundit nga muzeu dhe të gjithë më pritën për rreth 15 minuta. Ky ishte momenti kur grupi pati disa tensione dhe vendosi të ndahej. U bashkova me dy miq të tjerë për të vizituar më tej qytetin. Për fatin tonë nuk ra shi. Pas shëtitjes u rikthyem në festival për të prezantuar punimet tona dhe për të shpallur fituesin. Mund të them se ishte një fitore e merituar, një video ‘stop-motion’ e realizuar shumë mirë, që për fat të keq nuk ishte e imja. Megjithatë, duke e krahasuar videon time me atë që fitoi konkursin, mund të them se isha shumë me fat që fitova këtë udhëtim.

Një ditë tjetër, mbaj mend që kam ecur në sheshin qendror dhe piva një birrë në një bar që ishte në një cep shumë të bukur të Grand-Place. Aty zbulova për here të parë limitin për të konsumuar pijen e porositur Brenda një ore. Provova ‘waffle’-t e famshme Belge në një dyqan buzë rruge dhe të them të drejtën u zhgënjeva disi. Ndërsa eksploroja Qytetin e Vjetër, sigurisht që shkova në kërkim të “Manneken Pis”. Babai im kishte një statujë të tij kur isha e vogël, dhe isha shumë kurioze të shihja statujën e vërtetë.

Një pasdite isha me një mik shqiptar që jetonte atje dhe ndeshëm një koncert të ‘Bonobo’ që ishte gati duke filluar, dhe vendosëm të futeshim për ta pare. Nuk kisha dëgjuar kurrë më parë për këtë artist, por ai kishte një bandë dhe këngë fantastike. Vendimi më i mirë për të përqafuar spontanitetin tim që me thënë të drejtën ndodh rrallë. Pas koncertit u drejtuam për në festën që ndodhte më pas, në një lokal aty afër. Ishte një grup tjetër që luante ‘live’: dy saksofona dhe një bateri, me fytyra të mbuluara. Ata luajtën në mënyrë brilante hitet ndërkombëtare të momentit, vetëm me ato 3 instrumente. Kështu nata u përmbyll me birrë të mirë me gjysëm çmimi falë biletave të koncertit dhe shumë argëtim.

Kur erdhi rradha për të vizituar Atomium-in, vendosa të merrja metro-në sepse ndodhej goxha larg qendrës. Ndërtesa ishte e bukur dhe interesante nga jashtë, por nuk hyra dot brenda. Vizitova gjithashtu edhe Muzeun e Instrumenteve Muzikore. Kishte disa instrumente me forma shumë të çuditshme dhe mund ta dëgjoje secilën se si tingëllonte me kufjet që ofronte muzeu.

Nga piktura dhe dizajni tek arkitektura dhe muzika, udhëtimi kulmoi në Artin e Shtatë. Shkova në Cinematek, i vetmi destinacion që besoj vërtet se është i domosdoshëm për tu vizituar në Bruksel. Cinematek është shumë gjëra, përveç të qenit Arkivi Mbretëror i Filmit në Belgjikë, ata kanë dhe një muze modest, me objekte filmi dhe kamera të vjetra nga më të ndryshmet. Pasi eksplorova muzeun dhe bëra një sasi të ekzagjeruar fotosh, vendosa të ndjek shfaqjen e një filmi të vjetër pa zë dhe bardh e zi. Më pas zbulove se shoqërohej me muzikë ‘live’ në piano. Ishte kaq e mrekullueshme! Fatkeqësisht filmi ishte frëngjisht me titra gjermanisht. Ishte një nga rastet kur përdora vato pak njohuri të gjuhës frënge.

Ditën e fundit vizitova Muzeun e Modës dhe Dantellave. Isha shumë e apasionuar pas tekstilit dhe rrobaqepësisë gjatë asaj kohe dhe kjo vizitë ishte e domosdoshme. Muzeu kishte një koleksion të viteve 60-të dhe 70-të. Ishte një udhëtim në kohë përmes modës. Ekspozita e dantellave ishte më e vogël, por gjithashtu interesante. U largova e frymëzuar nga ai vend dhe mirënjohëse për kohën post-moderne ku po jetoj.

Brukseli tani është si një koleksion momentesh befasuese dhe kujtimesh të bukura, të cilat uroj ti kem përçuar në këtë artikull.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *