48 orë diku Amerika Jugut Kolumbi Udhëtime

48 Orë në Kartagjenë, Kolumbi

U nisëm nga Medellin në orën 5 pasdite dhe mbërritëm në Kartagjenë, fiks për në darkën. Mund të them që hoteli ishte më i kushtueshmi krahasuar me Bogotán, Salenton dhe Medellinin. Për më tepër, e vetmja dritare që kishte dhoma hapej në korridor. Megjithatë, vendndodhja ishte shumë e përshtatshme, fiks në zemër të qytetit të vjetër. Darkën e hëngrëm në një restorant shumë të këndshëm fare pranë hotelit që quhej ‘Buena Vida’. Gatimi dhe atmosfera ishin shumë interesante, por ishte pak i kripur për Kolumbinë. Megjithatë, nëse dëshironi të darkoni mirë dhe t’ia bëni qejfin vetes, e rekomandoj shumë.

Të nesërmen kuptuam vërtet diferencën midis qytetit të vjetër dhe pjesës tjetër të Kartagjenës, e cila rrethohej nga qiellgërvishtës. Më i larti prej tyre ishte një hotel, 202 metra i gjatë, më pak se një e katërta e Burj Khalifa në Dubai. Megjithatë, edhe pse jo shumë të larta, ishin të shumta dhe të krijonin idenë e një Manhattani të vogël. Për fat të keq, në 48 orë që kishim në dispozicion, nuk arritëm ta shikonim pjesën moderne të qytetit.

Dita e parë në Kartagjenë ishte rezervuar për ‘Islas del Rosario’. Duke qenë se bregu rreth qytetit nuk ishte i përshtatshëm për të bërë plazh, duhej të merrje patjetër një varkë dhe të shkoje në gadishullin ose ishujt kolumbianë të Karaibeve. Ne kishim rezervuar një paketë për tek PA’UE Beach Lounge, që përfshinte udhëtimin në ishull vajtje-ardhje, si dhe drekën. Ishujt ndodhen në fund të gadishullit ‘Barú’. Plazhet më të afërta ndodheshin në këtë gadishull, me brigje të gjata me rërë të bardhë, si  Playa Blanca‘. U nisëm rreth orës 8 nga porti në Kartagjenë dhe pas 45 minutave me skaf mbërritëm.

Porosita mëngjesin dhe menuja ishte me ‘Empanadas’ të mbushura me peshk dhe përbërës të tjerë interesant. Menuja e drekës ishte ‘Mojarra Frita’, e përbërë nga një peshk Mojarra, arepas, patate delli të skuqura dhe me oriz kokosi. Të gjitha gjërat ishin shumë të shijshme, përfshirë edhe koktejet.

Shijuam plazhin, i cili ishte shumë i ngjashëm me Ksamilin, por megjithatë shumë i qetë. Bëmë një shëtitje rreth xhunglës së vogël që rrethonte resortin dhe vendosëm të bënim një masazh i cili zgjaste 30 minuta dhe kushtonte 50$. Kini parasysh se kudo mund të bëje pagesa me kartë, por në rastin e masazhit do të ishte mirë të kishe para ‘cash’ me vete. Nëse dëshiroje të eksploroje më tej, ishte mundësia të bëje një shëtitje me varkë rreth e qark ishujve, megjithatë unë nuk e bëra. Pas plazhisjes, provuam disa ‘stand-up paddles’ dhe më pas erdhi ora për t’u kthyer.

Rreth orës 3 pasdite nisëm të ktheheshim në qytet. Kthimi zgjati rreth një orë. Këtë herë nuk lundruam në det të hapur, por u përpoqëm të qëndronim sa më afër brigjeve të ‘Barú’. Deti ishte ngritur dhe skafi po ecte ngadalë. Kjo gjë e bënte të pamundur shijimin e detit gjatë pasdites apo perëndimit. Pasi u qetësuam në hotel, mbrëmjen e kaluam në lagjen më të gjallë të Kartagjenës, Getsemani. Kjo është një lagje në qytetin e vjetër, e cila ruan shpirtin Kolumbian. Rrugicat e saj janë të mbushura me ekspozita arti dhe performanca, tradicionale dhe moderne. Çdo kthesë e Getsemanit të rrëmben dhe të bën pjesë të vetes. E shijova tej mase shëtitjen atë mbrëmje. Darkën e hëngrëm në Terraza Municipal, një shesh i vogël buzë detit, i rrethuar nga kamionçina që ofrojnë ushqime të ndryshme, nga pica tek sushi. Perfekt për të kënaqur shijen e secilit nën atmosferin e bregut të detit. Kështu u përmbyll mbrëmja jonë e dytë në Kartagjenë.

Dita e fundit ishte rezervuar për të eksploruar qytetin e vjetër. Ashtu sikurse në Bogota, e konsumova mëngjesin dhe mora një kafe tek Juan Valdez dhe nisa shëtitjen drejt mureve të qytetit. Nga aty mund të shikoje detin, por panorama ishte e zhveshur dhe nuk ishte mbresëlënëse. Pranë mureve ndodhej galeria ‘Las Bóvedas de Santa Clara‘, plot me dyqane suveniresh dhe atmosferën kolumbiane. Një udhëtim i shkurtër në kohë.

Më pas ju drejtova fortesës San Felipe de Barajas. Rruga ishte pak e gjatë për ta bërë në këmbë nën diellin përvëlues tropikal. Bileta për të hyrë në fortesë kushtonte rreth 7$. Fortesa Ishte ndërtuar mbi një kodër të vogël buzë detit, në shekullin XVII. Ajo është e famshme për sistemin e ndërlikuar të tuneleve nëntokësore. Ishte argëtuese të endeshe nëpër tunele, pa u orientuar se në cilin krah të do të shfaqeshe. Për më tepër, duke qëndruar në majë të kodrës, fortesa ofronte një pamje shumë të bukur, krahasuar me atë në murin e qytetit. Nën të ishte edhe monumenti i Çizmeve të Vjetra, në kujtim të poetit Luis Carlos Lopez.

Destinacioni i radhës ishte Muzeu i Smeraldit. Ai ishte shumë interesant dhe hyrja ishte pa pagesë. Përmbante shumë kuriozitete rreth smeraldit kolumbian, megjithatë ishte shumë i vogël. Në dalje të tij kaloje në ekspozitën e një dyqani, ku mund të blije bizhuteri me gurë smeraldi. U kthyem në Getsemani, për ta parë gjatë ditës dhe më pas u nisëm për darkë. Perëndimin e shijuam në “El Baluarte San Francisco Javier“. Aty u përmbyllën 48 orët në Kartagjenë. Në orën 10 të mbrëmjes, morëm autobusin drejt Santa Marta, stacioni i parë drejt San Gill.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *