Dua ta filloj këtë blog me këtë fjali: Amsterdami, “Vegasi” i Europës!. Jo për kazinotë, por për atmosferën unike, numrin e madh të turistëve dhe energjinë e qytetit. Megjithatë të gjitha këto në versionin europian. Qyteti i vjetër i Amsterdamit është si një muze i hapur arkitekturor. Shtëpitë karakteristike buzë kanaleve dhe urat e shumta ofrojnë një pamje të këndshme në çdo kthesë. Megjithatë, shëtitja shpesh bezdisej nga dyndja e biçikletave, që udhëheqin Amsterdamin.



Arritëm në Amsterdam mesditën e një të premteje nëntori, të përgatitura për mot të ftohtë dhe shi. Por fati ishte në anën tonë — fundjava kaloi pa asnjë pikë shi dhe madje me pak rreze dielli, sa për ta bërë qytetin edhe më të bukur. Pas check-in-it në hotel, drekuam në Gourmet Burger dhe më pas u nisëm për një shëtitje mes kanaleve të famshme të Amsterdamit. Në orët e pasdites, planifikuam të vizitonim Muzeun Van Gogh, por për fat të keq, zbulova se kishim rezervuar gabimisht bileta për një muze tjetër.
E zhgënjyer që nuk isha treguar më e kujdesshme gjatë rezervimit, u nisëm për tek Van Gogh & Rembrandt in Amsterdam. Më shumë se sa muze, ishte një instalacion video që ndërthurte veprat dhe perspektivat e dy artistëve të mëdhenj. Edhe pse një përvojë interesante, do e përshkruaja si një “kurth turistësh”. Mbrëmjen e kaluam duke eksploruar qytetin e ndriçuar nga dritat e Vitit të Ri, të vendosura në çdo cep të qendrës historike.



E shtuna filloi në Brunchie, një vend i famshëm për mëngjes. Shkuam rreth orës 10:00, për të shmangur radhët e gjata. Për të shijuar pak nga të gjitha, porositëm “French Toast”, “Eggs Brunchie” dhe “Pannenkoek”. Të gjitha ishin shumë të shijshme, edhe pse porcionet ishin të vogla. Pas mëngjesit, vizituam Pallatin Mbretëror dhe sheshin Dam, duke shijuar atmosferën e gjallë të qytetit.



Në mbrëmje, vendosëm të eksploronim lagjen e kuqe të Amsterdamit, një kuriozitet që duhej shuar. Ishte shumë më e përqendruar dhe turistike nga sa e prisja, por gjithsesi një përvojë interesante.
E diela ishte dita e rezervuar për të eksploruar qytetin me biçikletë dhe varkë. Herët në mëngjes, mora një biçikletë me qira dhe shëtita nëpër rrugët e sheshta me kalldrëm të Amsterdamit. Ndalova në pika të ndryshme për të bërë foto dhe për të shijuar qetësinë e mëngjesit pa lëvizje.




Më vonë, bëmë një xhiro me varkë nëpër kanalet e Amsterdamit, ku mësuam shumë detaje interesante për jetesën, traditat, arkitekturën dhe historinë e qytetit, përfshirë Shtëpinë e Anne Frank. Për fat të keq, biletat për ta vizituar ishin shitur për datat tona. Për këtë arsye, ju këshilloj të rezervoni të paktën një muaj më parë. Pas shëtitjes me varkë, mora disa ‘snacks’ me vete dhe pasditen ja dedikova Vondelpark. Shijova një shëtitje mes gjelbërimit dhe shtëpive karakteristike në sfond. Kështu u mbyll dita, me këtë atmosferë të qetë.
Përpara se të përgatitesha për rrugën e kthimit, bleva disa zhardhok zambaku dhe një magnet, për të marrë pak Amsterdam me vete në shtëpi. Edhe Amsterdami ishte një qytet që më surprizojë dhe u fut në listën time të qyteteve europiane që do të vizitoja sërisht, sëbashku me Pragën, Londrën, Lisbonën dhe Romën. Gjatë vizitës sime të rradhës do të doja të vizitoja patjetër muzeun e Van Ghog, të vërtetin kësaj rradhe, si dhe Muzeun e Seksit.



* Pasthënie mbi biçikletat: Shumica e trotuareve janë të sheshta për të lehtësuar qarkullimin e biçikletave, dhe korsitë e dedikuara për to nuk binin shumë në sy, dhe kërkonin kujdes të veçantë nga këmbësorët.
Diçka që më tërhoqi vëmendjen ishin vetë biçikletat — të vjetra, të thjeshta dhe shpesh që kërcisnin gjatë pedalimit. Elektriket ishin shumë të rralla, dhe kjo më shtoi ndjesinë autentike të këtij qyteti të ngarkuar me histori dhe tradita.


