Amerika Jugut Kolumbi Mënyrë Jetese Të tjera Udhëtime

Çaste Ekstreme në San Gil

Pas aventurës së rrugës për të mbërritur në San Gil, Santander, në Kolumbi, erdhi momenti i asaj aventure që ishte shkaku i gjithçkaje. Veranda e hostelit ku po qëndronim binte mbi protestën disa ditore të fermerëve të zonës kundër “Corporacion Autonoma de Santander — CAS San Gil.” Kjo ishte një agjenci shtetërore përgjegjëse për menaxhimin e burimeve të rinovueshme në zonën e Santanderit. Protestuesit pretendonin se kjo agjenci u kishte marrë tokat për t’ia dhënë një kompanie hidrokarburesh. Prej disa ditësh ata kishin ngritur disa strehëza dhe protestonin duke kënduar nga zemra.

Eksperienca e parë që kishim rezervuar ishte ‘Torrentismo’ në Ujëvarën e Juan Curry, një zbritje 80 metra me litar përgjatë ujëvarës. Aktiviteti përfshinte zbritjen nga pika më e lartë e ujëvarës deri në bazë dhe ndodhej vetëm 30 minuta larg qytezës. Edhe pse instruktori jepte disa këshilla dhe të ndihmonte të filloje zbritjen, gjatë rrugës ishe i vetëm, dhe ishte një emocion i papërshkrueshëm. Temperatura e trupit ndjehej e ngrohtë nga adrenalina, ndërkohë që uji i ujëvarës të freskonte gjatë gjithë kohës. E gjithë zbritja nuk zgjat shumë dhe nuk kërkon ndonjë përvojë të mëparshme.

Pas lartësive të ujëvarave, radhën e kishte nëntoka e Santanderit. Vizituam Shpellën e Lopës në Curiti. Quhej kështu sepse kjo zonë ka pasur shumë lopë, dhe disa prej tyre kanë ngecnin në shpellë. Shpella ishte e mbushur me ujë deri në rreth 1.2 metra dhe rruga zgjaste rreth një orë e gjysmë. Gjatë rrugës ishte një segment prej 7 metrash ku duhej të ecje nën ujë për të kaluar në anën tjetër, dhe për t’u kthyer pasi ishte e njëjta rrugë. Guida kishte një çantë kundër ujit ku futëm celularët. E gjithë eksperienca ishte fantastike. Në dhoma të ndryshme të shpellës pamë stalaktite dhe stalagmite nga më të ndryshmet. Njëra dhomë quhej Dhoma e Kristalit, sepse të gjitha stalaktitet ishin prej kripe dhe dukeshin vërtet si kristale. Pak më tutje ishte një formë e madhe kërpudhe që rrinte pezull. Në këto dhoma niveli i ujit ishte më i ulët dhe ishte momenti për të bërë foto. 

Nuk ishim përgatitur për një shpellë me këtë nivel uji, por pikërisht kjo ishte ajo që e bëri realisht eksperiencën unike. Kthimin për në hostel e bëmë me furgonët e linjës deri në qytet. Vizituam pak qytetin dhe mbrëmjen e kaluam mes muzikës së protestuesve në verandë.

E nesërmja rezervonte aktivitetin që do t’i kulmonte të gjitha të tjerat: ‘Bungee Jumping’ nga 70 metra lartësi. Vendi i hedhjes ishte vetëm 4 minuta me makinë nga hosteli ynë. Nuk hëngrëm mëngjes dhe u nisëm menjëherë për atje. U peshuam dhe plotësuam një formular shumë të gjatë ku deklaronim se nuk vuanim nga zemra, nuk kishim bërë ndërhyrje kirurgjikale kohët e fundit dhe shumë të tjera si këto. Mund të them që ky është momenti kur të mblidhen të gjitha dyshimet që mund të kesh për të bërë një hedhje të tillë. Momenti i kërcimit në vetvete nuk ishte i vështirë. Kishim kërkuar më parë për këtë agjenci dhe kishim krijuar një besim paraprak tek ata. Shërbimi ishte shumë profesional dhe siguria merrej seriozisht. Instruktori që të shoqëronte tek vinçi lart ishte shumë i qetë dhe i qartë, dhe këtë gjë ta përçonte edhe ty. Para hedhjes na dha disa udhëzime për qëndrimin gjatë hedhjes. Në momentin kur tha “hidhu,” thjesht kërceva pa e menduar asnjë sekondë. Çdo gjë ndodhi shumë shpejt. Arrita deri poshtë dhe llastiku më ktheu edhe një herë lart. Në momentin që lëkundjet u qetësuan, tërhoqa një litar dhe u ktheva me kokën lart. Çdo gjë kishte mbaruar.

Të emocionuar shumë nga ajo që përjetuam, vendosëm të ktheheshim në këmbë deri në hostel, duke qenë se ishte vetëm 20 minuta në këmbë, mes gjelbërimit të San Gil. Drekën e kaluam në Barichara, një fshat i vogël tradicional që ka ruajtur arkitekturën koloniale, rrugicat me kalldrëm dhe natyrën përreth. Për fat të keq, i gjithë fshati ishte në qetësi dhe shumica e bizneseve në atë orë ishin të mbyllura. Vizituam ekspozitën “Damas Doradas” të piktores Alma Luz Monsalve. “Kjo seri pikturash paraqiste një dekonstruksion të përpiktë të pikturës së Gustav Klimt “Zonja në Ar.” Monsalve riinterpreton lëvizjen dekorative të Art Nouveau për të propozuar një dekolonizim estetik, duke riatdhesuar konceptin harmonik të arit në origjinën e tij simbolike. Pikturat e saj paraqisnin gra indigjene kolumbiane, duke nxjerrë në pah pasurinë stërgjyshore dhe shpirtërore.” (Baricharavive, 2023)

Më pas vizituam Katedralen e Baricharës, e cila ishte vërtet shumë e madhe duke marrë parasysh madhësinë e fshatit. Në çdo drejtim mund të gjesh një pikë panoramike që përmbledh bukurinë e natyrës së Baricharës. Një pikë e tillë ishte ndalesa jonë e radhës përpara se të merrnim furgonin e linjës për t’u kthyer në San Gil. Atë mbrëmje duhej të ktheheshim në Bucharamanga për të marrë avionin për Bogota. Taksia u vonua një orë për të na marrë, ndërkohë që kishim rreth tre orë e gjysmë rrugë përpara. Shoferi po nxitonte shumë dhe rruga ishte me kthesa të vazhdueshme, pa sinjalistikë dhe shumë e ngushtë. U përpoqëm disa herë ta ngadalësonim, por më kot. Ai nuk nxitonte për ne, por për vete. Pas një rruge që u ndje dy herë më e gjatë se ç’ishte, ngatërroi rrugën për në aeroport disa herë. Kur më në fund arritëm, ishim mirënjohës që zbritëm nga ajo makinë dhe që kishim ende kohë për të kapur fluturimin e parë për në shtëpi.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *