Po mendoj të bëj një Sprint Triathlon këtë pranverë. Do të jetë hera e parë që zhvilloj një garë të tillë në det. Të vetmet gara ku kam marrë pjesë deri tani — tre Sprint dhe një Olimpik — janë zhvilluar në Liqenin e Farkës. Megjithatë, vendimi për të marrë pjesë në këtë garë më solli ndërmend pikërisht garën e vitit 2023 në disiplinën Olimpike: 1.5 km not, 40 kmbiçikletë dhe 10 km vrap. Unë isha garuesja që mbajti peng organizatorët dhe bulevardet e Tiranës, derisa e përfundova me kohën 4:48.
Është kënaqësi shumë e veçantë të përfundosh një garë. Por kur e mbyll e fundit fare, nuk të lë një shije të mirë. Përveç 2–3 të njohurve që më dhanë kurajë herë pas here, isha vetëm. Ngarkova biçikletën në makinë dhe u ktheva po vetë në shtëpi. E theksoj këtë pjesë sepse shpeshherë gjejmë sebep për të mos realizuar gjërat që na japin kënaqësi, duke pritur edhe të tjerët. Të gjithë kanë orën e tyre, dhe në jetën dinamike të sotme, është e vështirë që këto orë të përputhen. Çfarë do bësh në këtë rast? Do presësh për diçka që nuk është e garantuar dhe do humbasësh. Asnjëherë nuk do të piqen kushtet 100% për të bërë diçka. Prandaj, gjej mënyrën për ta bërë të funksionojë, edhe vetëm.
Kalojmë tek pasojat e garës: përveçse isha përcëlluar në shpatulla nga dielli, ndihesha totalisht e drobitur. Pjesëmarrja në këtë garë, përveç disiplinës në stërvitje dhe organizimit të kohës, për mua ishte si një test i rezistencës për garat e gjata. Pikërisht pas katër muajsh, në tetor, do të bëja maratonën time të parë — 42 km — dhe e konsiderova si pjesë të stërvitjes. Dy javë pas distancës Olimpike, bëra triathlonin e fundit në distancën Sprint. Dhe tani që kanë kaluar thuajse dy vite, më mungon kjo përvojë dhe jam shumë entuziaste për garën e radhës. Megjithatë, kam edhe një burim tjetër entuziazmi.


Në shtator 2023, një muaj e gjysmë përpara garës 42 km, u riktheva në palestër. Kam shkruar një artikull tjetër për atë eksperiencë dhe mund ta lexoni këtu. Megjithatë, këtë herë dua të thellohem në një tjetër këndvështrim. Kur fillova stërvitjen, kuptova që muskujt e barkut, ekuilibri dhe forca në përgjithësi, nuk ishin aspak në nivelin e duhur për të zhvilluar një garë që do të zgjaste 4 orë e 48 minuta, siç kisha bërë unë. Maratonën e mbylla për 5 orë e 21 minuta — përsëri vetëm — dhe megjithatë nuk ndihesha e drobitur. Isha e lodhur, po, këmbët i kisha të mpira, por nuk ndihesha pa energji. Atë ditë jam kthyer me biçikletë në shtëpi dhe të nesërmen isha në punë. Edhe pse kisha bërë vetëm një muaj stërvitje në palestër për të gjithë trupin dhe zgjati thuajse një orë më shumë se Triathloni Olimpik, e përballova shumë më mirë garën. Unë vërtet kisha notuar, vrapuar dhe kisha bëre kilometra të tërë me biçikletë, por pjesën tjetër të trupit e kisha lënë pas dore. Që atëherë nuk hoqa më dorë nga palestra, dhe tani ndjehem vërtet në formë për një Triathlon.


Përtej stërvitjes në mënyrë holistike, të bësh një Triathlon Olimpik është shumë ndryshe nga përmbyllja e një Maratone. Më poshtë do të ndaj disa nga pikat ku ato ndryshojnë, sipas eksperiencës sime:
Kohëzgjatja e garës
Maratona është një garë që zgjat më shumë në kohë sesa një Triathlon Olimpik. Rekordi botëror për Triathlonin Olimpik mbahet nga Emma Snowsill, 2010 ITU World Championship Final — 1:49:43 për femrat, dhe Alex Yee, 2022 WTCS Cagliari — 1:40:19 për meshkujt. Ndërkohë, rekordin botëror për maratonën e mban i ndjeri Kelvin Kiptum, Chicago 2023 — 2:00:35 për meshkujt, dhe Ruth Chepngetich, Chicago 2024 — 2:09:56 për femrat. Mendoj se koha është një tregues i mirë për të dëshmuar gjatësinë e një gare, duke qenë se po krahasojmë dy disiplina të ndryshme.
2. Mundësitë për të mos mbetur e fundit
Nëse je stërvitur për maratonën dhe ndihesh në formë, gjasat janë që s’do mbetesh kurrë në fund, sidomos në gara popullore me pjesëmarrje të madhe. Ndërkohë që triathlonet nuk e kanë të njëjtin popullaritet, pikërisht për disa nga arsyet që po përmendim këtu. Kufizimet e vendndodhjes së garës dhe kostoja e infrastrukturës përgjithësisht janë më të larta.
3. Pjesëmarrja e limituar
Ne vijim te sa u tha me siper, edhe mundësitë për të marrë pjesë në një triathlon jane me te pakta. Deri para pak kohësh, në Shqipëri organizoheshin vetëm tre triathlone në vit, dhe vetëm një prej tyre ofronte kategorinë Olimpike. Për këtë arsye, është më e vështirë të familjarizohesh me kushtet e një gare të tillë.
4. Kompleksiteti i stërvitjes
Stërvitja për triathlonin është një sfidë më vete, me orare që duhen koordinuar e planifikuar. Duhen të paktën katër muaj për t’u përgatitur për një Triathlon Olimpik — të paktën aq përgatitje bëra unë. Megjithatë, unë isha aktive dhe nuk po e filloja nga zero. Orari i pishinës, menaxhimi i “brick training”, ushqimi dhe gjumi i mirë kërkojnë shumë organizim. Nga ana tjetër, stërvitja për maratonën është sfidë që të edukon durimin. Edhe pse u stërvita vetëm tre herë në javë për katër muaj, momentet e vrapimeve të gjata ishin një test i një natyre ndryshe.
5. Ngarkesa fizike
Maratona është fizikisht një garë më e vështirë, dhe jo vetëm sepse është më e gjatë. Alternimi i disiplinave në triathlon vë në lëvizje muskuj të ndryshëm dhe ngarkesa shpërndahet. Ndërkohë që në një maratonë, këmbët e tua godasin asfaltin gjatë gjithë kohës — një veprim që përsëritet për orë të tëra.


6. Pajisjet dhe logjistika
Triathloni shoqërohet me pajisje nga më të ndryshmet. Duhet të mendosh për transportin e biçikletës, këpucët e biçikletës, helmetën dhe të tjera si këto. Ndërkohë që për të vrapuar të nevojiten vetëm atletet. Në rregull, ndoshta më shumë se kaq, por besoj e kuptoni se ku dua të dal.
Sot, ndërsa përgatitem për garën e radhës, nuk më entuziazmon vetem gara ne vetvete, por edhe stervitja drejt saj.