Kohët e fundit kam nisur një udhëtim të vetëm në Suedi, dhe në këtë artikull të detajuar, do ndaj me ju përjetimin dhe zbulimet e mia. Nga mbërritja në Nyköping, tek eksplorimi i Stokholmit dhe sfida në ishullin Runmarö, udhëtimi im në Suedi ishte i mbushur me momente unike.
Aventura filloi me një mbërritje të vonuar në aeroportin e Nyköping në orën 21:00. Rreth mesnatës arrita të dal nga aeroporti. Kjo për shkak se një oficer i vetëm policie kontrollonte pashaportat, duke rezultuar në radhë të gjata për bashkëudhëtarët nga rajoni i Ballkanit. Lexoni këtë artikull se si ti shmangni situata të tilla. Nëse nuk jeni nga ky rajon, mos u shqetësoni – ky detaj nuk do të ndikojë në udhëtimin tuaj.
Duke qënë avioni im gjithsesi do të mbërrinte pas mesdite, kisha rezervuar një B&B në qytetin e afërt Nyköping. Aeroporti ishte thuajse i mbyllur në këtë orë të vonë. Një tjetër udhëtare shqiptare, e cila kishte bërë së fundmi të njëjtin udhëtim, më këshilloi të prenotoja një Flixbus, për të mbërritur në qytez. Fatmirësisht, rezervova në çast dhe mbërrita në qytez brenda 10 minutave. Me të arritur në B&B, e gjeta veten para një dere të mbyllur, pas nuk kishte ‘check-in’ pas orës 23:00. Pas disa trokitjeve me vendosmëri, më në fund dera u hap.
Dita 1: Nga ABBA në Vozitjen e Qytetit të Vjetër
Të nesërmen në mëngjes, u nisa për në Stacionin Qendror për të shkuar me tren në Stokholm. Fatkeqësisht, kishte vetëm një ekran informativ në gjuhën suedeze, një makinetë shitëse shumëgjuhëshe dhe asnjë personel. Megjithatë, udhëtimi me tren ishte shumë i këndshëm, me pamje piktoreske që më qetësuan. Brenda një ore, isha në stacionin qendror të Stokholmit, vetëm 8 minuta në këmbë nga hosteli ku kisha rezervuar. Nxitova të kapja orarin që kisha rezervuar në muzeun e ABBA. Edhe pse pak me vonesë, më mirëpritën. Me të mbërritur, vendosa çantën time të shpinës në një dollap me çelës kundrejt një tarife, kini parasysh që shërbime të tilla shpesh herë nuk janë të përshira në biletë. Aboneja 72-orëshe, kushtoi rreth 5€ dhe rezultoi shumë e vlefshme, duke më dhënë akses tek autobuzat, metroja dhe tragetet. Muzeu ishte interaktiv, me një kurim mbreslënës, e rekomandoj shumë si destinacion.
Pas muzeut bëra një shëtitje të qetë deri në hostel, duke shfrytëzuar mundësinë për të eksploruar më tej qytetin. Pasi mora një sy gjum dhe hëngra një drekë freskuese, u nisa në qytetin e vjetër të Stokholmit. Megjithëse kishte një bukuri të ngjashme turistike si qytete të tjera evropiano-veriore, sheshi i muzeut Nobel binte në sy, megjithëse më i vogël se pritshmëritë e mia.



Dita 2: Çaste adrenaline
Aventurën e vazhdova me vizitën tek BodyFlight, një eksperiencë fantastike që simulonte rënien me parashutë në ambiente të mbyllura. Provova edhe ngjitjen dhe zbritjen e furishme në lartësitë e një tuneli. Një tjetër vizitore më ndihmoi të bëja një video. Për shkak të presionit të lartë i ajrit, ndër të tjera, mu desh të hiqja edhe vëthin që kam në hundë. Një tjetër ndalesë intriguese ishte Avicii Arena, ndërtesa më e madhe e rrumbullakët në botë. U përpoqa të rezervoja një xhiro që kur isha në Tiranë, por ishin të gjitha të shitura. Kjo më lumturoi disi sepse kur mbërrita atje, nuk më intrigoi mjaftueshëm.
Ndalesa tjetër ishte Hornstulls marknad, një treg i vogël buzë detit, që hapej fundjavave. Aty mund të gjeje rroba të përdorura, artikuj të punuar me dorë dhe një atmosferë që më pëlqeu shumë. Një këshillë: Ky është i vetmi vend që do të ndeshni vështirësi për pagesën me kartë. Prandaj merrni pak para nëse do të dëshironi të blini diçka, përndryshe, nuk do ju duhen asgjëkundi tjetër. Drekën me ushqime vendase e shijova në një restorant lundrues buzë detit.




Ndërsa po perëndonte, u mrekullova me pamjet panoramike nga kopshti i Bashkisë së Stokholmit. Nëse do ta dija më parë, do kisha organizuar një piknik. Më pas vizitova muzeun Fotografiska, më shumë për t’i parë arkitekturën. Duke u kthyer në qytetin e vjetër, prisja me padurim qiellin e roz në të kuqerremtë të perëndimeve të Stokholmit. Nga ana tjetër, pallati mbretëror i Stokholmit dhe peizazhi i qytetit nuk më lanë ndonjë përshtypje të madhe, krahasimisht me Oslon. Po e krahasoj me një vend tjetër skandinav sepse nuk më duket e drejtë ta krahasoj me vende të tjera me kultura mjaft të ndryshme.
Dita 3: Gara në ishullin Runmarö: Një finale e denjë
Në ditën time të fundit, nisa udhëtimin e paharrueshëm për në ishullin Runmarö, që ndodhet një orë e gjysmë larg Stokholmit. Motivi i kësaj aventure ishte një garë vrapi për të cilën isha regjistruar me shumë entuziazëm. Mora me qira një dollap në stacionin qendror të Stokholmit për të lënë çantën e shpinës dhe u nisa me autobus. Pas një ore mora tragetin për në ishull. Trageti nuk përfshihej në abone dhe kushtonte 5€ për një drejtim. Xhiro me traget ofronte pamje që dëshmonin bukurinë natyrore të Suedisë. Bukuria unike e ishullit, (një ishull si asnjë tjetër që nuk kam vizituar më parë) dhe ngazëllimi i garës krijuan një përvojë të paharrueshme. Edhe pse ishte ngrohtë dhe diell, noti nuk rekomandohej për shkak të mjedisit të papërshtatshëm. Gara ishte e shkurtër, vetëm 5.7 Km. Shtegu vijonte midis pyjeve dhe ishte i mirë shenjuar.




Pasi i lash lamtumirën ishullit Runmarö, u ktheva në Stokholm përsëri me traget dhe autobus. Pasi hëngra drekë, bëra dhe një shëtitje të fundit në qytet dhe u ktheva për në aeroportin e Nyköping. Autobuzi ishte i vetmi mjet që të ndalonte në aeroport, megjithatë i’u deshën 30 minuta më shumë se treni. Kur mbërrita në aeroport zbulova se fluturimi im do të vonohej 5 orë. Më ofruan një kupon ushqimi prej 4 €, vlerë e cila nuk mbulonte dot as një makiato, e lëre më një vakt. Kjo përvojë më shtyu të shkruaj “Pse linjat ajrore me kosto të ulët rezultojnë të shtrenjta?“.
Përmbledhje dhe këshillat praktike
Duke reflektuar mbi aventurën time suedeze, nxorra disa pika:
- Uji i rubinetit është i sigurt për t’u pirë në Suedi.
- Transporti publik i Stokholmit është shumë i zgjeruar, përfitoni nga kjo
- Vera ofron ditë të gjata për të shëtitur, përfitoni nga kjo
- Pagesat me kartë janë norma, por paratë mund të jenë të dobishme në tregjet e rrugës.
- Një vizitë enkas për të vizituar Stokholmin nuk ja vlen. Përpiquni ta kombinoni vizitën me një koncert, ndeshje sporti apo garë. 🙂
Aktivitetet që nuk i realizova, por mund të jenë interesante për ju:
- Muzeu Vasa: Pasi kam vizituar më parë një muze të ngjashëm në Oslo, vendosa të eksploroj aspekte të ndryshme të Suedisë.
- Gjurmimi i kafshëve të egra: Unë i dhash përparësi garës në ishull.
Shpresoj që përvojat dhe njohuritë e mia të jenë të vlefshme për ty që dëshiron të eksplorosh këtë destinacion skandinav.