Europa Udhëtime

4 Ditë në Barcelonë: Çfarë të Vizitosh

Barcelonën për herë të parë e vizitova në gusht të vitit 2021, kur kufizimet e pandemisë ende ishin të pranishme. Deri në orën një të mëngjesit mund të ecje lirshëm rrugëve, ndërsa lokalet ishin të hapura deri në mesnatë. Dielli perëndonte pak para orës dhjetë, duke bërë që mbrëmja të ishte relativisht e shkurtër. Po vizitoja një shoqe që kishte shkuar aty për punë. Për fat të mirë ajo kishte kaluar rreth një muaj në Barcelonë dhe kishte zbuluar vendet kryesore që mund të shiheshin gjatë një vizitës sime. Këto vende ofrojnë një përzierje të mrekullueshme të asaj që Barcelona ka për të ofruar, ndaj vendosa t’i ndaj edhe me ju.

Dita e Parë

Dita ime e parë nisi me vizitën tek Casa Batlló, një përvojë vërtet interesante. Sipas narrativës së muzeut, shtëpia është ndërtuar në një mënyrë të tillë që të mundësojë qarkullimin natyror të ajrit përmes arkitekturës. Arkitekti, Antoni Gaudí, kishte për qëllim të imitonte natyrën dhe t’i jepte “frymëmarrje” shtëpisë ku do të jetonin Josep Batlló, Amàlia Godó Belaunzarán dhe fëmijët e tyre. Ngjyrat dhe motivet e gjalla e bënin shtëpinë të dukej si një qenie dinamike që jetonte. Muzeu në katin e fundit ofron një bar dhe mundësi për të bërë foto në një nga ballkonet e vogla të shtëpisë — një përvojë që, edhe pse interesante, nuk ia vlejti për mua.

Më pas, u nisa për në La Rambla, duke kaluar përmes Plaça de Catalunya. Ndalesa tjetër ishte Palau Reial Major, i cili daton që nga shekulli XI. Përballë tij qëndronte Catedral de Barcelona. “Katedralja e tanishme gotike qëndron që nga shekulli i katërt në vendin e një katedrale të hershme të krishterë të shekullit të katërt — mbetjet e së cilës janë ende të dukshme nëntokë dhe në Muzeun Historik të Qytetit,” Barcelo Experiences, 2024. Shëtitjen e vazhdova drejt muralit ‘El Beso’, ku bëra disa foto patjetër. Për darkë, shijuam disa ‘tapas’ të shijshme me fruta deti dhe patate të pjekura teg Gats në qytetin e vjetër.

Dita e Dytë

Mëngjesin e së nesërmes e nisa me një vrap të shkurtër përgjatë La Rambla. Shpesh më pëlqen të shijoj përditshmërinë e një qyteti përmes vrapit, dhe asnjëherë nuk mërzitem kur vrapoj në qytete.

Shetitja e kësaj dite nisi me një ndalesë të shkurtër tek La Pedrera, Casa Milá, një tjetër kryevepër e Gaudí-t. Më pas, vazhdova drejt Harkut të Triumfit, duke ecur përgjatë ‘Paseo de Lluís Companys’. Po më shoqëronin flluska sapuni dhe njerëz që argëtoheshin me to. Harku në vetvete më la shumë mbresa. Ai ishte i dekoruar nga tulla të kuqe, ndryshe nga Harku i Triumfit në Paris, Romë apo në të tjera vende që kam vizituar.

Paseo de Lluís Companys

Për drekë, provuam një paella me pulë në një lokal shumë të thjeshtë. Gatimi ishte vërtet një miks përbërësish me shumë shije. Më vonë, shkuam drejt Sagrada Família. E dinim që kishte një fluks të madh njerëzish, dhe nuk dëshironim të humbisnim kohë në radhë. Për këtë arsye u mjaftuam duke e parë nga përjashta. Pasditen e kaluam në La Barceloneta për plazh. Ai ishte masivisht publik, jo siç jemi mësuar në Shqipëri. Duke qenë se nuk kishim një çadër plazhi, vendosëm ta vizitonim pasdite, kur dielli nuk ishte i fortë dhe mund të shijonim perëndimin. Dielli nuk u largua nga ana e detit, ashtu sikurse gjatë bregdetit shqiptar, por në krah të kundërt. E shijuam shumë atmosferen dhe qetësinë, megjithëse uji i detit nuk ishte dhe aq i qartë. Atë mbrëmje e kaluam në një lokal të vogël, aty buzë detit, duke biseduar dhe shijuar një gotë verë.

Dita e Tretë

Të tretën ditë vendosëm të shkonim me FunicularTibidabo. Përveç katedrales në majë të kodrës, shumicën e kohës e kaluam në parkun e lojërave, ku provuam disa atraksione tërheqëse si ‘Diavolo’ dhe ‘Muntanya Russa’. Më pas, vizituam Mirador De Horta, një pikë mbi një kodër të zhveshur, që ofron një pamje të mrekullueshme të qytetit.

Pasdite, kaluam kohën duke shëtitur në “Barrio Gótico”, ku shijuam gjallërinë e jetëve të vendasve dhe turistëve të ndërlidheshin. Për darkë, morëm përsëri ‘tapas’ në një lokal në Plaza Real.

Fatkeqësisht, nuk arritëm të vizitonim Park Güell, pasi biletat që kishim blerë online, në një faqe ndërmjetëse, rezultuan të pavlefshme. Kur arritëm aty, recepsioni nuk shiste bileta dhe refuzonte të tregonte faqen zyrtare ku mund të merrnim bileta të tjera. Më pas lexova disa komente online dhe një gjë e ngjashme u kishte ndodhur shumë turistëve. Nuk e di se si mund të ndodhë diçka e tillë në një qytet europian, nëse nuk është e qëllimshme. Nuk më ka ndodhur në asnjë vend tjetër. Bileta kushton 10€, dhe ju rekomandoj të lexoni dëshmitë e atyre që kanë blerë më parë.

Dita e Katërt

Të nesërmen, para se të kthehesha në Tiranë, shkuam për një mëngjes të vonë tek Billy Brunch. Shijuam një puding me fara chia dhe petulla me fruta, por mimosa. Këto të fundit nuk ishin të mira, pasi lëngu i portokallit ishte i thartuar.

Kam dhe një rekomandim të fundit për mbrëmjen e ditës së katërt. Më pas, në një nga vizitat e mia në Barcelonë, kur isha tranzit për në Kolumbi, vizitova Bar Marsella. Ky vend ishte i njohur si Bar-i më të vjetër i qytetit dhe që frekuentohej nga vetë Hemingway. Nga brenda ishte vërtet i vjetër, me mure të rrethuara nga material druri dhe shumë i thjeshtë në arredim. Një vend interesant për të kaluar një mbrëmje mes miqsh.

Gjatë të dyja vizitave, kisha shumë dëshirë të vizitoja Muzeun e Picassos, por nuk arrita dot për shkak të kohës që shpenzova duke bërë edhe pazare. Tashmë kam një arsye më shumë për tu rikthyer.

Pamje nga Tibidabo

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *