Amerika Veriut Europa Udhëtime

5 momentet më të sikletshme gjatë udhëtimeve të mia

Kushdo prej nesh që ka një valixhe me udhëtime, ka përjetuar të paktën një moment të sikletshëm ose ka ndjerë një lloj parehatie. Është plotësisht normale të hasësh situata të tilla kur përballesh me skenarë të rinj, vende të ndryshme, popuj dhe kultura të panjohura. Gjatë udhëtimeve të mia në Shqipëri dhe në 33 shtete të tjera, kam përzgjedhur pesë nga përvojat më të vështira që kam përjetuar. Për habinë tuaj, asnjëra prej tyre nuk ka ndodhur në Shqipëri. Në të gjithë Shqipërinë ndihem si në shtëpi dhe nuk kam përjetuar asgjë që të më ketë vënë në pozitë të vështirë apo të më ketë bërë të ndihem keq, aq sa momentet që do të ndaj me ju tani. Megjithatë çdo ndodhi më ka përgatitur më shumë udhëtimin e rradhës, praktikisht dhe emocionalisht. Ngjarjet janë renditur në mënyrë kronologjike.

1. Ohër, Maqedonia e Veriut, Verë 2000

Udhëtimet e mia të para jashtë Shqipërisë kanë qenë me prindërit. Shkuam në Ohër për pushimet verore. Unë isha rreth 8 vjeç dhe kjo për ne konsiderohej një aventurë, pasi nuk kishim kaluar kurrë aq shumë kohë pranë një liqeni, aq më pak për të bërë plazh. Duke qenë nga Durrësi, për mua plazhi ishte sinonim me ujin e kripur. Në ato vite nuk ekzistonin GPS, Google Maps, Uber, e as shërbime të tjera moderne. Kishim vetëm telefona celularë, por jo “smartphone”, dhe nuk kishte paketa “roaming” si sot.

Një mbrëmje morëm një taksi për të shkuar nga resorti në qytet për darkë. Kur vendosëm të ktheheshim, ecëm në drejtim të hotelit, por nuk po dukej asnjë taksi. Vazhduam të ecim dhe, në një moment, e humbëm rrugën. Isha me motrën dhe prindërit dhe rrugët ishin të shkreta. Fakti që kishim humbur më frikësonte shumë. Prindërit po bënin ç’të mundnin për të gjetur një zgjidhje, por asgjë nuk varej më prej nesh. Na u desh thjesht të prisnim për një taksi. Edhe pse mua mu duk një përjetësi, për konceptin tim të kohës, në një pikë kaloi një taksi dhe shpëtuam nga sikleti.

2. Moskë, Rusi, Verë 2007

Shumë vite më pas, kur isha në klasën e tetë, udhëtova sërish me familjen, këtë herë për në Rusi. Qëndruam në Moskë për plot nëntë ditë dhe një ditë në Shën Petersburg. Moska më dukej si një botë e re. Qyteti ishte madhështor dhe kishte sistemin më të madh të metrove që kam parë ndonjëherë, me kate të shumta nën tokë. Në disa zona, mungonte edhe oksigjeni për shkak të thellësisë së katit, dhe njerëzit nxitonin të largoheshin. Gjithsesi, ky nuk ishte momenti më i vështirë.

Një pasdite, duke ecur në një rrugë të gjerë me dyqane, diçka e ngjashme me Oxford Street në Londër, na humbi babi nga sytë. Isha me mamin dhe motrën. Babi, me sa duket, ishte futur në një dyqan pa na njoftuar. Ne e kuptuam mungesën e tij pasi kishim ecur ca dhe vendosëm të mos lëviznim më dhe të prisnim në një vend. Zakonisht kishim rregullin që, nëse humbnim, të caktonim një pikë takimi, por këtë herë nuk e kishim bërë. Pas një pritjeje të gjatë dhe pa ndonjë rezultat, filluam ta kërkojmë përgjatë rrugës. Pas gati një ore kërkimi, ai na thirri nga krahu tjetër i rrugës dhe u ribashkuam. Gjithsesi, për mua ky ishte një moment paniku dhe ndarjeje që nuk do ta harroj lehtë, pasi jetonim ende në një kohë pa akses të pandërprerë në internetin e sotëm.

Brukseli ishte udhëtimi im i parë jashtë vendit, vetëm, pa familjen dhe pa shkollën. Natyrisht, do të kishte një moment të vështirë. Në këtë rast, kisha akses në Google Maps, por si studente nga Shqipëria në vitin 2013, nuk kisha një kartë debiti, dhe për kartë krediti as që bëhej fjalë. Të gjitha paratë i kisha “cash”.

Ditën e fundit, shpenzova të gjitha paratë për çokollata dhe birra për familjen dhe miqtë në Tiranë. Më pas mësova se treni për në aeroport nuk përfshihej në kartën e metrosë dhe kushtonte 7 euro. Unë kisha të mbetura vetëm 2 euro. Miqtë që ishin me mua në hotel nuk po më ndihmonin. Duke mos pasur zgjidhje tjetër, vendosa të kthehem tek dyqani i fundit ku kisha bërë blerjet. Fatmirësisht, zotëria në dyqan pranoi të më kthente disa produkte dhe mora para mjaftueshëm për të marrë trenin. 

4. Vjenë, Austri, Tetor 2013

Pas Brukselit, vizitova Vjenën dhe qëndrova për një javë në një hostel. Në një prej netëve, ndërsa po ecja pranë MuseumsQuartier, dëgjova muzikë elektronike dhe pashë një turmë njerëzish që po kërcenin. Muzika vinte nga një platformë, që e tërhiqte një furgon shumë ngadalë. Mbi platformë ishin vendosur boksat e mëdhenj dhe në krah DJ. Shumë shpejt u mblodhën edhe më shumë njerëz që kërcenin dhe ndiqnin ngadalë furgonin. Duke qenë prag Halloween-i, atmosfera ishte festive dhe u bashkova dhe unë.

Gjithçka dukej në rregull deri në momentin kur pashë disa persona që filluan të bëjnë “graffiti” në muret e ndërtesave. Shpejt pas kësaj, një grup policësh filloi të shtyjë turmën për të çliruar rrugën. Kjo ishte një festë spontane dhe pa leje nga autoritetet me sa dukej. Ndërsa përpiqesha të largohesha, situata u përkeqësua dhe policia nisi të përdorë forcë për të shpërndarë turmën. Arrita në kohë të shmangem dhe zbrita në stacionin më të afërt të metrosë për t’u larguar nga zona.

5. Los Angeles, SHBA, Tetor 2018

Los Angeles ishte qyteti i parë që vizitova në SHBA. Një mbrëmje shkuam në Santa Monica dhe darkuam në një restorantin “Bubba Gump”, marka që u frymëzua nga filmi “Forrest Gump”. Duke biseduar dhe duke shijuar shëtitjen, mbërritëm në Venice Beach pas 45 minutash. Edhe pse kishim ecur gjatë gjithë ditës, biseda po na pëlqente dhe vendosëm të ecnim përsëri drejt Santa Monica Pier. Aty më në fund hipëm në Uber për t’u kthyer në shtëpi, isha e lodhur dhe më zuri gjumi.

Duke qënë se shtëpinë e kishim rreth një orë larg, përdornim “Uber Pool” për të kursyer disa para. Shoferi i Uber-it, për fat të keq, pranoi disa kërkesa të tjera gjatë rrugës. Papritur zgjohem nga gjumi dhe nga dritarja shoh që pas një ore e gjysëm, ndodheshim përsëri në Santa Monica Pier. Nuk jam ndjerë më kurrë aq e rraskapitur. Atëhere isha mbi peshë dhe nuk bëja asnjë aktivitet fizik. Mungesa e gjumit dhe intensiteti i udhëtimit ishin të papërballueshme për mua. Kjo përvojë më mësoi sa e rëndësishme është të jesh mirë fizikisht për të udhëtuar mbarë.

Santa Monica, Los Angeles, SHBA, Tetor 2018

Secila nga këto përvoja ka një karakter të veçantë dhe ka ndodhur në momente që më kanë ndihmuar të kuptoj dhe të mësoj diçka për udhëtimet dhe për veten. 

Po ju, cila ka qenë një përvojë e sikletshme që nuk do ta harroni?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *