Amerika Jugut Europa Itali Kolumbi Udhëtime

5 nga 35, Shtetet me Vlerësimin Më të Lartë

Hollanda ishte pikërisht shteti i 35-të i huaj që unë vizitova. Ky numër më bëri të reflektoj për të gjitha këto vende dhe e kisha shumë të vështirë të bëja një zgjedhje mes tyre. Për këtë arsye, zhvillova një sistem vlerësimi për ta bërë renditjen sa më objektive. Pavarësisht sistemit, vlerësimet mbeten subjektive, të bazuara në përvojën time dhe informacionin e përgjithshëm që kam për to. Çdo vend është vlerësuar nga 1 deri në 10 në shtatë kategori kryesore: njerëzit (mikpritja dhe sjellja), arkitektura, natyra, pastërtia, atmosfera e përgjithshme për rastet e vizitës, tradita/historia dhe ushqimi. Për një listë të plotë të 35 shteteve, klikoni këtu. Të gjitha këto kategori janë kombinuar për të dhënë një total të përgjithshëm, ku shtetet me pikët më të larta janë renditur si më poshtë:

Stamboll, 2009

5. Turqia

Në vend të pestë renditet Turqia me 54 pikë nga 70. Është shteti i parë i huaj që kam vizituar. Gjatë udhëtimit isha vetëm 5 vjeç dhe gjithçka që mbaj mend është ndjesia dhe lojërat me fëmijët e tjerë. Më pas e kam vizituar sërish në vitin 2009 me prindërit. Atëherë konfirmova që Stambolli është vërtet kryeqyteti i botës. Aty ke një përfaqësim origjinal të thuajse çdo kulture dhe kushdo mund ta gjejë veten në këtë qytet. Turqia vlerësohet me 7 për njerëzit dhe pastërtinë. Gjithashtu, natyra dhe ushqimi vlerësohen me 7. Ajo ofron peisazhe emocionuese dhe brigje të tëra që lagen nga 4 dete. Patjeter që mund të gjesh alternativa shumë të mira për të ngrënë, por kuzhina turke përgjithësisht është e rëndë. Arkitektura dhe vlerësimi i përgjithshëm janë vlerësuar me 8. Xhamitë përrallore, por edhe gërmimet e fundit arkeologjike janë të rralla. Për këtë dhe për historinë legjendare që mbart, e kam vlerësuar me 10 pikë përsa i përket traditës.

4. Spanja

Shkojmë në gadishullin Iberik. Edhe pse kam vizituar vetëm Barcelonën dhe njerëzit i kam vlerësuar me 6 pikë dhe pastërtinë me 8, Spanja arriti ta merrte vendin e katërt. Arkitektura është fantazi, jo vetëm në Barcelonë, por thuajse kudo, e sidomos në zonën e jugut. Natyra gjithashtu nuk mbetet mbrapa, me një klimë të ngrohtë dhe shumë plazhe. Me një vijë të gjatë bregdetare dhe gjeografi të favorshme, Spanja ishte një nga pionierët e eksplorimit. Për këto arsye e kam vlerësuar me 9 pikë përsa i përket arkitekturës, natyrës, traditës/historisë dhe vlerësimit të përgjithshëm. E vetmja fushë ku Spanja ka një vlerësim maksimal të padiskutueshëm është ushqimi. Me “paella” në krye, çdo pjatë e servirur në Spanjë kishte një shije absolute.

3. Portugalia

Portugalia gjithashtu mori zemrën time me herën e parë. E renditur e treta, është një ndër të paktat vende që mezi pres të rikthehem dhe të eksploroj më shumë. Natyra dhe pastërtia e Portugalisë kanë marrë 8 pikë. Njerëzit, arkitektura, tradita/historia dhe vlerësimi i përgjithshëm janë vlerësuar me 9 pikë. Kur e vizitova në pranverë 2018, njerëzit më përcillnin një ndjesi lumturie dhe optimizmi. Me një mot të mrekullueshëm dhe vetëm në çastet e para të popullaritetit. Arkitektura ka një martesë të shumë stileve, megjithatë përsëri arrin të krijojë identitetin e saj. Pllakat shumëngjyrëshe në kënde të ndryshme të bëjnë të buzëqeshësh sa herë që i ndesh syri. Portugalia gjithashtu ishte një nga eksploratorët e parë dhe si rrjedhojë, një vend me histori të pasur. Së fundmi, ajo vlerësohet me 10 për ushqimin e mrekullueshëm. Në rrugicat e Lisbonës kam ngrënë “mousse” me mango më të shijshmin në botë.

2. Kolumbia

Në 2023 vizitova për herë të parë Amerikën e Jugut dhe pikërisht Kolumbinë, që zë vendin e dytë. Aventurat e atij udhëtimi ma mbushin zemrën plot edhe sot. Kolumbia vlerësohet me 7 për pastërtinë dhe arkitekturën. Në qytete të tëra me miliona banorë është vështirë të mbash pastërti të madhe. Arkitektura, edhe pse shumë interesante, ishte e përsëritur. Përgjithësisht, të gjithë fshatrat dhe qytezat kishin të njëjtën planimetri dhe stile të ngjashme. Tradita dhe historia ta mbajnë kuriozitetin peshë gjatë gjithë kohës dhe për këtë marrin 9 pikë. Njerëzit, natyra, ushqimi dhe vlerësimi i përgjithshëm marrin të gjitha nga një 10 absolute. Aty e gjeta veten pranë njerëzve që ishin të gatshëm të bënin përtej mundësive të tyre për të të ndihmuar. Natyra ishte një mrekulli. Kolumbia ofron pyje, plazhe, parqe natyrore, ujvara e shpella pa fund. Edhe brenda në qytete mund të gjeje një xhungël të vogël, me pemë disa metra të larta. Ushqimi, edhe pse ndryshe nga shija mesdhetare dhe turke që jam mësuar unë, ishte shumë i shijshëm. Mbi të gjitha, frutat ekzotike ishin një mrekulli dhe lehtësisht të aksesueshme kurdo.

1. Italia

Vendi i parë i përket vetëm Italisë, me 64 pikë nga 70. Për herë të parë kam vizituar Romën në vitin 2019 dhe më pas Milanon, Riminin, Bolonjën dhe Firencën. Italinë e kam vlerësuar me 9 përsa i përket njerëzve dhe arkitekturës. Është një vend ku ti gjithmonë ndihesh si në shtëpi. Njerëzit janë të sjellshëm. Arkitektura është krejtësisht pa koment. Diçka me shije dhe shumë origjinale. Të bën të ndihesh si pjesë e një filmi të Cinecittà gjatë gjithë kohës. Natyra dhe pastërtia janë vlerësuar me 8, bazuar në vizitat e mia. Kategoritë që e bëjnë Italinë të dominojë ndaj vendeve të tjera janë tradita/historia, ushqimi dhe vlerësimi i përgjithshëm. Një mjedis ku gjithçka shijon dhe tregon histori.

Dua gjithashtu të përmend edhe dy shtete që kanë lënë mbresa tek unë, por për shkak të pikëve të ulëta në arkitekturë dhe pastërti, nuk arritën kurrsesi të renditen në ‘top 5’. Ato janë Kenia dhe Uganda. I kam shkruar artikujt me përjetimet e atyre udhëtimeve e për këtë arsye nuk do të zgjatem shumë këtu. Gjithsesi, dua të them se një udhëtim në Afrikën Lindore mund të të ndryshojë jetën.

Secili nga këto vende ka veçantinë dhe bukurinë e tij. Përmes këtij sistemi vlerësimi, kam përmbledhur disa nga vendet më të mira për të udhëtuar, por në fund të fundit, çdo vend ka diçka të veçantë për të ofruar. Çfarë e bën një destinacion të paharrueshëm nuk është vetëm arkitektura apo ushqimi, por emocionet dhe kujtimet që krijojmë gjatë udhëtimit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *