Unë kur apasionohem pas diçkaje, përpiqem ta bëj pjesë të jetës sime në sa më shumë aspekte. Kështu ndodhi edhe me vrapin. Fillimisht ishte thjesht një traditë vjetore për të vrapuar 10K në Maratonën e Tiranës. Më pas fillova të merrja pjesë në gara të ndryshme në vende të ndryshme. Megjithatë, vrapimi i parë i vështirë më ka ndodhur në Tiranë, kështu:


1. Tirana Marathon 2019: Ky ishte i treti vit që unë merrja pjesë në garën 10K. Për herë të parë mora pjesë në 2017 dhe përfundova me kohë 1:05, Ritmi 6:31. Megjithatë, tashmë isha rreth 20 kg mbi peshë dhe nuk isha stërvitur thuajse fare. Me shumë vështirësi arrita ta mbyll për 1:21, Ritmi 8:09. Pësova një zhgënjim të thellë nga kjo eksperiencë dhe u demoralizova shumë. Më pas të gjithë e dimë çfarë ndodhi dhe Tirana Half-Marathon 2020 nuk u organizua. Falë kësaj eksperience, unë u motivova për të marrë pjesë në Gjysmë-Maratonën e Tiranës në garën 21K për herë të parë.

2. Pikërisht përpara garës së parë 21K, mora pjesë në një Vrapim Malor 10K, drejt Majës së Berizhdolit, në Lëpushë. Ishte hera ime e parë në një garë malore dhe realisht nuk isha e përgatitur për atë nivel vështirësie, për më tepër që isha shumë pranë Gjysmë-Maratonës së Tiranës. U nisa me vrap të lehtë deri sa u ndesha në disa shtigje me malore te forta të cilat nuk i bëja dot me vrap. Shtegu ishte i shenjuar shumë keq dhe në disa raste humba rrugën. Vazhdova deri në një pikë dhe më pas vendosa të heq dorë nga gara dhe të shijoja ecjen dhe pamjet e Kelmendit. U bashkova me një grup që ishin gjithashtu duke ecur dhe e njihnin shtegun për tu rikthyer ngadalë në fshat. Ngjitja ishte 709 m, distanca 11.4 Km, të cilat unë i bëra për 2:23.


3. Eksperienca e radhës na çon në Përmet, ku për herë të parë në Shqipëri (në dijeninë time) bëhej një Garë me Pengesa. Ishte fund Qershori i 2022. Unë isha stërvitur mjaftueshëm për një garë 5K me 18 pengesa. Sapo filloi gara, ndesha një të rrëpirë të madhe me gure te medhenj. Që aty të gjithë garuesit u bllokuan dhe mezi e kaluam si segment. Duke qenë se nuk e njihja terrenin, po përpiqesha të menaxhoja fuqitë që pas 5K të kisha energji edhe për pengesat. Këtu erdhi surpriza, vrapimi zgjati rreth 1.3 KM dhe më pas mbërrita tek pengesat. Në fillim u ndjeva keq, mendova se kisha ngatërruar rrugën dhe i kisha rënë për shkurt. Në konfuzion e sipër, fillova të bëja pengesat. Ato ishin të ndryshme, si Ngjitje Litari, Mbajtje Balance, Ecje në Ujë, Tërheqje Thesi e të tjera. Pengesat ishin vendosur në disa rrjeshta, njëra pas tjetrës në një fushë, e cila nuk kishte asnjë pemë dhe dielli i qershorit të digjte edhe pse s’kishte shkuar ora 10:00. I kalova të gjitha pengesat me sukses, dy prej tyre i kalova me dënim duke bërë 15 ‘burpees’, edhe pse gjyqtarët nuk është se të ruanin seriozisht. E gjitha ishte 2.3 Km dhe zgjati 39 minuta. Edhe pse më pëlqen shumë kjo lloj gare, nuk u ndjeva mirë në përfundim të saj. Kjo sepse isha përgatitur goxha për këtë eksperiencë dhe nuk ishte aspak sfiduese nga ana sportive.
4. Sfida e radhës më ka ndodhur në Nairobi, Kenia. Isha regjistruar në një ‘Fun Run’ me temën ‘Sweet Valentine’s Run’. Vendi ishte rreth 30 km larg qendrës së Nairobit, në një bujtinë në mes të gjelbërimit. Unë isha regjistruar në distancën 8 Km, por ndërkohë kishte edhe grupe për 21 Km dhe 31 Km. Atmosfera ishte shumë e këndshme dhe isha shumë entuziaste. Megjithatë, entuziazmi nuk zgjati shumë, sepse pas 5.5 Km kuptova që i isha bashkuar grupit të gabuar që do të bënin 31 Km. Në atë moment mora rrugën e kthimit vetëm, duke qenë se isha e vetmja që isha ngatërruar. Duke qenë se 31 Km nuk janë pak, i gjithë itinerari ishte buzë rrugës së makinave dhe ishte disi i rrezikshëm. Si përfundim, bëra 11 Km, për 1:19, në 2,107 metra mbi nivelin e detit.


5. Gjysmë Maratona Enkelana, Pogradec: Pas dy vitesh pritje, më në fund arrita të marr pjesë në gjysmëmaratonën në Pogradec, e cila ishte vendosur në një nga rrugët më të bukura të Shqipërisë, nga fshati Lin në Pogradec. Përvoja ishte unike, pasi ishte një garë nate që fillonte në orën 19:00, duke sjellë një atmosferë magjike me dritat përgjatë rrugës. Edhe pse kisha pritshmëri të larta për të vendosur një rekord personal, përfundova me kohën më të ngadaltë deri në atë moment, koha 2:33, ritmi 7:16. Ndikuan faktorë si stërvitja e pamjaftueshme në muajt e nxehtë të verës, pushimet e paplanifikuara dhe disa zgjedhje të gabuara në lidhje me regjimin ushqimor. Sidoqoftë, e ktheva këtë sfidë në një eskursion të këndshëm, duke shijuar fundjavën në qytetin e bukur të Pogradecit dhe notin në liqen përpara se të kthehesha në Tiranë.
Pavarësisht vështirësive që kam hasur gjatë këtyre vrapimeve, secila prej tyre ka qenë një përvojë e pasur me reflektime. Kam mësuar rëndësinë e përgatitjes fizike, mendore dhe shpirtërore kur përballesh me të papritura. Vrapi është bërë një pjesë e pandashme e jetës sime, jo vetëm për garat, por edhe për lidhjen që më krijon me veten, natyrën dhe vendet e reja që zbuloj përgjatë rrugës.
P.S.: Bashkohu me Tirana Fun Run, çdo të dielë!