Mënyrë Jetese Opinione Vrapi

9 Arsye pse Gjysmëmaratona në Pogradec nuk shkoi siç e Prisja

Kisha rreth dy vite që prisja të merrja pjesë në këtë garë. Rruga nga Lini në Pogradec është një nga rrugët më të bukura në Shqipëri për mendimin tim, sidomos në mbrëmje kur ndizen dritat përgjatë rrugës. Kjo garë ishte pikërisht e shtrirë gjatë këtij segmenti për rreth 20 km dhe pjesa tjetër mbyllej brenda në qytet. Ç’është më e bukura, ishte një garë nate që fillonte nga Lini në orën 19:00.

Dy edicionet e kaluara nuk kisha mundësi të shkoja dhe për këtë arsye, mund ta kuptoni se sa me padurim po e prisja edicionin e këtij viti. Shpirtërisht, prisja të vendosja një rekord të ri personal, nga 2:10 (me një mesatare të ritmit 6:12) në 2:05. Megjithatë, jo vetëm që nuk arrita të kaloj këtë limit, përfundova duke bërë gjysmëmaratonën më të ngadaltë të jetës sime. Ishte hera e parë që disa segmente i bëja duke ecur në një gjysmëmaratonë. Rezultati përfundimtar ishte 2:33 me një mesatare të ritmit 7:16.

Por çfarë ndodhi me mua? Mendoj se ka një sërë faktorësh që mund të kenë ndikuar në performancën dhe përgatitjen time, kush më shumë e kush më pak.

1. Stërvitja gjatë verës: Gara u zhvillua më 27 korrik, prandaj stërvitja ishte e shtrirë gjatë muajve të verës dhe gjatë valëve të të nxehtit, kur që në orën 8 të mëngjesit temperaturat kapnin 28 gradë Celsius. Për këtë arsye, nuk ishte një stërvitje e mirëfilltë rigoroze. Përgjithësisht, jam fokusuar më shumë tek energjia që më duhej të shpenzoja dhe distanca deri diku, se sa tek shpejtësia.

2. Pushimet në Korfuz: Gjatë javës së parafundit përpara garës, nuk dola asnjë ditë për vrap. Kjo për shkak të pushimeve në Korfuz. Edhe pse i kisha marrë atletet me vete që të vrapoja atje, nuk e krijova dot mundësinë. Ato ditë kishte një valë të tmerrshme të nxehti, aktivitetet gjatë ditës ishin shumë të lodhshme dhe nuk do të zgjohesha herët në mëngjes gjatë pushimeve.

3. Vesi im: Ndoshta nuk e kam ndarë pë parë, por kam disa muaj që përpiqem t’i bëj ballë varësisë nga nikotina. Edhe pse vrapoj, ky është një ves që unë kam. Pas udhëtimit tim të fundit në SHBA, jam përpjekur në forma të ndryshme të ndaloj, por nuk kam pasur sukses. Kam kaluar nga konsumimi i cigareve elektronike, vape, në cigaret tradicionale, një disfatë shumë e madhe. Mendoj se kjo ka qenë një nga faktorët kryesorë që kanë kontribuar në regresin tim.

4. Regjimi ushqimor: Javën e garës nuk jam përpjekur të kujdesem veçanërisht për regjimin ushqimor, kam konsumuar ushqime të zakonshme. Kjo ishte gara ime e parë gjatë mbrëmjes, prandaj nuk e kisha të qartë se si duhet të veproja me ushqimin gjatë ditës së garës. Konsumova drekën rreth 4 orë para startit, një supë dhe pasta. Nuk e di nëse bëra gabim me zgjedhjen e orarit apo ushqimit, por edhe kjo mund të ketë ndikuar.

5. Vrapi i gjatë: Dy javë përpara garës, përpara se të nisesha për pushime, bëra 18 km vrap. Logjika pas kësaj ishte se duke ditur që një javë nuk do të kisha mundësi të bëja vrapime të gjata, mendova se 18 km do t’i jepnin muskujve të mi sinjalin e duhur për një rezistencë më të lartë dhe do të kisha kohën e mjaftueshme për të pushuar. Ndoshta kjo nuk ishte llogjika e duhur e stërvitjes. Unë jam thjesht amatore.

6. Maloret e forta: Nuk jam e sigurt nëse ka qenë faktor ndikues apo jo, megjithatë po e marr në konsideratë. Gjysmëmaratona ku kam përfunduar më mirë ka qenë në Tiranë, me një ngjitje prej 110 m, ndërsa kjo garë kishte vetëm 89 m ngjitje. Gara në Tiranë nuk ka malore të forta, ato janë të shpërndara gjatë gjithë segmentit dhe janë të buta. Rruga nga Lini në Pogradec kishte malore të forta që më bën të ul ritmin aq shumë sa kalova në ecje.

7. Pesha trupore: Ndonëse ndjehem në formë të mirë fizike, duhet të jem 3-4 kg më shumë se sa gjatë periudhës kur kam realizuar kohën time më të mirë në gjysmëmaratonë. Ky është një faktor që ndikon shumë në performancën e një vrapuesi.

8. Ftohja gjatë pushimeve: Gjatë pushimeve në Greqi, përballja me temperatura ekstreme më la me hundët e bllokuara dhe një kollë të tmerrshme. Edhe pse lexova që është në rregull të vraposh nëse je sëmurë vetëm në pjesën e kokës, vrapi prej 21 km ishte i vështirë duke marrë frymë me gojë dhe me kollën që më ngacmonte herë pas here. Gjatë gjysmës së dytë të garës, kur u erresua, temperaturat ranë dhe ndjeva të ftohtin në stomak.

9. Ngarkesa muskulare: Që nga Tetori 2023, kur bëra maratonën time të parë, 42 km, kam bërë vetëm një seancë fizioterapie për të liruar muskujt e këmbës së djathtë. Pas maratonës, përveç vrapit tim të përjavshëm, kam bërë një gjysmëmaratonë tjetër në prill dhe kam ngjitur majën e Korabit për 1800 m. Gjatë garës në Pogradec, këmbën time të djathtë, që mban ngarkesën më të madhe, e ndjeja gjatë gjithë kohës në dhimbje të lehtë. 

Këto janë faktorët që mund të kenë ndikuar në performancën time gjatë gjysmëmaratonës Enkelana.

Megjithatë, u përpoqa që këtë përvojë, përveç garës, ta shndërroja në një eskursion të bukur për të shijuar qytetin e Pogradecit. Të shtunën, u nisa me autobusin e orës 10:30 nga Tirana dhe mbërrita në kohë për një drekë tek Rosa e Tymosur. Më pas bëra një shëtitje buzë liqenit deri sa erdhi ora që të na merrte autobusi dhe të na dërgonte në Lin. Të nesërmen, mora një krep për mëngjes tek Square Crepes. Krepin e mora me vete dhe ju drejtova zonës së plazhit të liqenit. Gjeta një vend me hije ku lashë gjërat, bëra not në ujin e freskët të Liqenit të Ohrit dhe më pas hëngra krepin dhe lexova një libër që kisha marrë me vete. E shijova shumë atmosferën përqark ku dominonte gjelbërimi. Ngadalë shkoi ora për të marrë përsëri autobusin për t’u kthyer në Tiranë.

Pogradec, Korrik 2024

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *