48 orë diku Lindja e Mesme Udhëtime

Armenia: Aty ku tradita takon mikpritjen zemërgjerë

Udhëtimi ne Armeni ishte një udhëtim vajzash. Shoqja jonë që po qëndronte prej disa muajsh aty, na rezervoi makinen nga aeroporti për në shtëpi përmes aplikacionit gg-Transportation Service. Kështu filloi vizita e lezetshme e Jerevanit. Kosto ishte afërsisht 2000–3000 Dram (5–7,5 dollarë), një tarifë mëse e arsyeshme.

Pavarësisht lodhjes edhe nga mungesa e gjumit, dita në Jerevan nisi me një ‘brunch’ të shkëlqyer në kompleksin Cascade. Unë porosita vezë me salcë domate, një pjatë vendase që dukej shumë e shijshme. Çuditërisht gjetëm tre statuja të Boteros (piktori dhe skulptori i famshëm kolumbian) pjesë të kompleksit. Nuk e di lidhjen e tij me Armeninë, por mund të thuash lehtësisht se armenët ishin artdashës në përgjithësi. Zbulimi i Murit të Alfabetit na mahniti, duke shfaqur shkrimin e lashtë dhe intrigues të Armenisë, i renditur si gjuha e 4-të më e vjetër në botë, sipas një artikulli të botuar në Science.org. Kapja e emrit tim përmes fotografive të çdo shkronje u bë një kujtim i dashur.

Dita jonë vijoi të zhytej në kulturën armene: nga ndezja e qirinjve në një kishë/manastir të qetë, tek shijimi i piteve tradicionale në një furrë buke tipike armene e deri tek shtëtitja pranë kinemasë sovjetike “Moskva”. Pika kryesore ishte vizita në Kompleksin Memorial të Genocidit Armen. Duke u endur përreth na u ngjallën emocione të forta. Një i moshuar që dukej shumë i prekur përcolli peshën e historisë pavarësisht nga sfida e gjuhës, duke qënë se nuk dinte mirë anglisht. Ai arriti të shpjegojë disa pjesë të historisë dhe të gjithë atyre që dhuruan dhe mbështetën çështjen armene.

Meqenëse duhej të ndryshonim pak energjinë, vizituam tregun Vernissage. U kënaqëm duke ecur përreth dhe duke blerë suvenire të vogla armene. Më pas u ndalëm tek Sheshi i Republikës për të bërë disa foto dhe arritëm në kohë, përpara se të errësohej plotësisht jashtë, në Xhaminë Blu, e ndërtuar në mesin e viteve 1700.

Një festë kulinare na priste në restorantin Ktoor, ku shijuam kuzhinën e larmishme dhe të shijshme armene. Çdo pjatë ishte një dëshmi e trashëgimisë së tyre të pasur gastronomike. Nuk kishte një gjë që nuk na pëlqeu. Ndërsa binte nata, zbuluam bare dhe klube të lezecme që gjallëronin Jerevanin, duke ndaluar përfundimisht në një vend pak më të qetë për të përfunduar mbrëmjen tonë.

Në ditën tonë të dytë, morëm makinë me qira dhe shkuam në Katedralen Zvartnots, një vend tërheqës që përfshinte gjithashtu një muze të vogël arkeologjik. Duke ndjekur rekomandimin e Google Maps, përfunduam në një rrugë shumë të keqe dhe humbëm hyrjen kryesore, kështu që na u desh të futeshim nga fusha e pasme. Itinerari ynë përfshinte ndalesa në Kishën e Shën Gayane (Սուրբ Գայանե եկեղեցի) ku po ndodhte një ceremoni martese. Më pas vizituam Katedralen Etchmiadzin (Էջմիածնի Մայր Տաճար), e cila shpesh përmendet si katedralja më e vjetër në botë. Ndërtesa origjinale u përfundua në vitin 303 pas Krishtit, një dëshmi për mrekullitë e lashta arkitekturore dhe rëndësinë fetare në Armeni. Ishte shumë e bukur, por fatkeqësisht në restaurim dhe nuk mundëm të hynim. Pas një shëtitje të shkurtër dhe një tjetër dasme, filluam udhëtimin tonë për në Gyumri.

Na u desh pak kohë për të mbërritur atje, kështu që kishim vetëm një orë dritë dielli. Nxituam të arriinim në Rrënojat e Spitalit të Vjetër. Ndoqëm një rrugë shumë të keqe dhe asgjë interesante, por shijuam emocionin e eksporimit. Më pas nxituam për tek monumenti i Nënës Armeni dhe Fortesës së Zezë, e cila ishte e mbyllur, kështu që bëmë disa foto nga larg. Për të plotësuar udhëtimin tonë, hëngrëm një darkë modeste, por të shijshme, me një eksperiencë të paharrueshme në Restorant Kumayri. Ngrohtësia dhe muzika tradicionale na bënë të ndihemi si udhëtarë në kohë. Ata kishin disa dhoma private, me një arredim si ai i viteve ’90. Stafi nuk fliste anglisht, por ishin shumë të këndëshëm dhe miqësorë, sa në fund kërcyem me ta nën ritmin e muzikës tradicionale armene. E rekomandoj 100% këtë restorant nëse vizitoni Gyumri-n. Mbyllëm vizitën tonë në Gyumri me Kishën e Zezë dhe Shatërvanin e Hekurt. Ky i fundit ishte plotësisht në errësirë, por përsëri ishte e këndshme vozitja nëpër qytet, në kërkim të tij.

Për të ndihmuar udhëtarët e ardhshëm, unë po përmbledh disa informacione të përgjithshme që do të jenë të dobishme:

  • Mund të paguani me kartë pothuajse kudo përveç taksive dhe në Kumayri.
  • Nuk pranojnë asnjë monedhë tjetër përveç Dramit, kështu që më mirë të keni disa me vete në çdo kohë. Mos merrni Euro me vete, pasi i vetmi vend ku mund t’i ndërroni ato është në Aeroport ku tarifat janë të çmendura. Dollari Amerikan është monedha që pranohet në zyrat e këmbimit.
  • Muzika live në baret e rock-ut është zakonisht deri në orën 11:00-12:00 të natës, por baret janë të hapura deri në orën 2:00-4:00 të mëngjesit të paktën gjatë fundjavave.
  • Nuk kuptojnë anglisht në shumicën e vendeve, duke qenë se nuk ka frekuentim të lartë turistësh, kështu që nëse nuk dini Armenisht ose Rusisht, merrni një aplikacion që do t’ju ndihmojë me përkthimin. Megjithatë, shumica e menuve në restorante kanë përkthime në anglisht.
  • Taksitë janë shumë të lira, kështu që nëse nuk keni shumë kohë për të ecur nga një vend në tjetrin, mos u mendoni dy herë për të marrë një përmes aplikacionit “gg“, që përmenda më parë.
  • Për të marrë një kafe shumë të këndshme, unë do të rekomandoja Coffe House, e cila është një kafene e drejtuar nga të rinjtë. Vetëm kini parasysh se shija e tyre e ëmbël është e ndryshme nga ajo në vendet perëndimore. Një kapuçino e mesme dhe ishte shumë e ëmbël.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *