Berlini dhe Gjermania, në vetvete, janë vende që i kam shmangur deri diku pa vetëdije. Asnjëherë nuk ka qenë një destinacion primar për mua. Gjithmonë mendoja që do të më binte rruga andej ndonjë ditë, qoftë për çështje pune apo qejfi. Gjermaninë e shkela për herë të parë më pak se një vit më parë, për disa orë në Frankfurt, kur po kthehesha nga SHBA-të. U deshën 32 vite, por më në fund ftesa për të bërë një udhëtim të shkurtër në Berlin erdhi. Qëllimi kryesor i vizitës ishte koncerti i Pantera-ve, një grup metali me influencë të madhe në vitet ’90.
Mbërritëm në Berlin një të premte pasdite, në Aeroportin e Brandenburgut. Për të mbërritur në qytet përdorëm trenin S9, duke qenë se trenin me më pak ndalesa, REG, nuk e kapëm dot në atë moment. Bileta me një hyrje kushtonte 4.7 euro (që përfshinte zonat A, B dhe C, ku ndodhej aeroporti), ndërsa ajo 24-orëshe kushtonte 12.3 euro për këto tre zona. Thuhet që Berlini e ka transportin publik “falas”, megjithatë, edhe pse nuk na rastisi të na afroheshin, kontrollorët e biletave i shihje shpesh në stacionet e metrosë, sidomos në orët e vona të natës. Gjoba për mungesën e biletës është 60 euro, prandaj mund të provoni fatin nëse do të qëndroni të paktën një javë në Berlin, pasi gjoba dhe bileta nuk kanë një diferencë të madhe. E them këtë për njerëzit që marrin adrenalinë nga eksperienca të tilla, dhe jo ankth si në rastin tim.





Fokusi për ditën e parë ishte koncerti, kështu që, sapo bëmë check-in, hëngrëm drekë dhe u nisëm drejt “Max-Schmeling-Halle“. Dyert hapeshin në orën 6 dhe koncerti fillonte në 7 me grupet King Parrot dhe Power Trip. Më në fund, ishte radha e Pantera-ve. Hapja ishte elektrizuese. Gjatë shfaqes bën homazhe herë pas here për vëllezërit Abbott (kitaristi dhe bateristi që kanë humbur jetën). Për një orë e gjysmë të gjithë u përfshimë nga atmosfera, edhe pse mosha mesatare e turmës ishte shumë më e madhe se e jona. Kur koncerti mbaroi, ndjenim se nuk ishim ngopur ende. Natën e parë na shoqëruan miq që jetonin aty dhe darkën e mbyllëm në Burgermeister Schlesisches Tor, me burgera shumë të shijshëm dhe në një atmosferë të vërtetë berlineze.
E shtuna ishte e vetmja ditë e plotë që kishim në dispozicion për këtë udhëtim. Shpëtimi i mëngjesit ishte një kafeteri italiane, Cicala, që ndodhej midis hostelit dhe Alexanderplatz. Stacionet e para turistike të ditës ishin Berlin TV Tower, Neptune Fountain, Berliner Dom, Ishulli i Muzeve dhe Brandenburg Gate, ku po zhvillohej një protestë paqësore. Berlini ishte gjatë fushatës për zgjedhjet qendrore dhe atmosfera e zgjedhjeve ndihej edhe nga posterat elektoralë të partive të ndryshme, që vinin me propozime shumë të ndryshme dhe ekstreme nga njëra-tjetra.




Më pas vizituam Memorialin e Hebrenjve të Vrarë të Europës dhe u nisëm drejt monumentit të Murit të Berlinit. Për mua, që nuk më ka tërhequr asnjëherë historia në shkollë, mësimi i së shkuarës së vendeve gjatë udhëtimeve jo vetëm që më pëlqen, por edhe më ndihmon ta mbaj mend dhe ta përvetësoj informacionin për një kohë të gjatë. Kur mëson për detajet e së shkuarës, mëson edhe të mos çuditesh nga detajet e së tashmes. Rrugës për te Checkpoint Charlie, kaluam në ekspozitën e jashtme të “Topography of Terror”, pranë ish-zyrave qendrore të Gestapos.
Pas një ndalese të shkurtër në Checkpoint Charlie, u nisëm drejt East Side Gallery, ku soditëm të gjitha muralet që shtriheshin përgjatë murit mbi 1 km të gjatë. Edhe pse të rikrijuara nga vetë artistët dhe jo versionet origjinale, mesazhet e tyre përsëri të shkaktonin emocione të forta. Për ta mbyllur mbrëmjen buzë lumit, u nisëm drejt Holzmarkt 25, një vend shumë i këndshëm me gjelbërim buzë lumit dhe me lokale e dyqane shumë të lezetshme. Për herë të parë këtu provova verë të bardhë të ngrohtë. Nuk ishte aq e shpifur sa mund të tingëllojë, përkundrazi. Shijuam verën buzë lumit dhe, shumë rastësisht, ndeshëm edhe një nga Telediscot e Berlinit, diskotekat më të vogla në botë. Për 4 euro, nuk kishim si të mos e provonim. Pas një dite shumë aktive ndaluam tek Buya Ramen Factory, një vend që e rekomandoj plotësisht nga të gjitha aspektet.




Mbrëmjen e kaluam në hostel, duke pushuar për t’u nisur në orët e para të mëngjesit drejt Tresor Club. Pse ky dhe jo një klub tjetër? Disa prej tyre ishin të mbyllur për sezonin dimëror dhe rihapeshin në mars, ndërsa një pjesë tjetër, si Watergate, ishin mbyllur përfundimisht. Prandaj, vendosëm për klubin e parë që na u duk i përshtatshëm dhe pa rradhë të gjata. Mbërritëm aty rreth orës 2 të mëngjesit dhe rradha zgjati rreth një orë. Duke qenë se ishim dy vajza, nuk patëm probleme për t’u futur, por dy grupe me djem para nesh nuk i lejuan të hynin brenda, pa ndonje arsye specifike. Këtë duhet ta keni parasysh përpara se të mbani radhën në vende të tilla.
Të nesërmen në mëngjes, sërish ndaluam për kafen tonë te Cicala dhe nisëm kthimin për në shtëpi, duke marrë me vete një shije të përgjithshme të gjithçkaje që Berlini ka për të ofruar.