Pas mbylljes së kapitullit të Salentos, erdhi momenti për të kapur autobusin, por këtë herë për në Medellin. Udhëtimi zgjati rreth 8 orë, pjesërisht për shkak të punimeve në rrugë në segmente të ndryshme. Fatmirësisht, kur mbërritëm, stacioni i autobusit ishte afër shtëpisë që kishim rezervuar. Qëndruam në Poblado dhe pas darkës, bëmë një shëtitje nëpër lagjen plot gjallëri në qoshka të ndryshme, që deri diku të përngjason me zonën e ish-bllokut në Tiranë.
Të nesërmen në mëngjes, destinacioni ynë i parë ishte muzeu në shtëpinë së ish mafiozit kolumbian. E gjithë vila e cila ishte kthyer në muze dikur ka qene vetëm një magazinë për armë dhe para; ai kurrë nuk kishte jetuar atje. Megjithatë, historia e tij e treguar nga një vendas dhe ekspozita që ofronte muzeu ishte mjaft intriguese.
Në rendin e ditës ishte dhe të gjeja atletet për vrapim të gjatë që do të më shërbenin për stërvitjen dhe Maratonën e Tiranës 2023. Disa mund të pyesin veten pse duhej t’i blija atje. Epo, të jetosh në një vend të vogël si Shqipëria do të thotë akses i kufizuar në lloje të ndryshme të produkteve atletike, veçanërisht për vrapimin në distanca të gjata. Pra, për mua, ishte një blerje e domosdoshme. Për fat të mirë, gjetëm shpejt atë që na nevojitej, që në dyqanin e parë dhe u nisëm për në La Canderlaria ku pamë disa skulptura të tjera Botero.





Drekuam në një vend të qetë vietnamez midis pemëve. Pasdite, rezervuam një guidë për në Komunën 13. Udhërrëfyesja jonë na shoqëroi në rrugicat e lagjes duke ndarë historinë e transformimit të saj. Ky transformim përfshinte shkallët e famshme elektrike, shkallët e para publike elektrike në botë. Pavarësisht shiut që na zuri dhe pelerinave plastike që na u desh të vishnim, e shijuam plotësisht eksperiencën. Të qenit atje, mes jetës së përditshme të vendasve, na bëri të ndiheshim më pak si turistë dhe më shumë si pjesë e komunitetit. Disa momente mund ti përshkruaj vetëm me anë të fotografive më poshtë. Mbrëmjen e mbyllë në një klub të vogël me muzikë elektronike dhe në një vend me muzikë salsa.







Për ditën e dytë, ne rezervuam një guidë tjetër, duke përfshirë mëngjesin dhe drekën, për të vizituar shkëmbin e tretë më të madh në botë, El Peñol në Guatape. Ngjitëm me sukses 740 shkallë deri në majë, por pamja mahnitëse e liqeneve përreth që nga maja e e shkëmbit ja vlente. Shkëmbi ishte mjaft i madh dhe mbi të kishte disa kioska të vogla ofronin ushqime, pije dhe suvenire të ndryshme. Një kuriozitet ishte se për shkak të një mosmarrëveshjeje ligjore që vazhdonte, një pjesë e fjalës “Guatape” e gdhendur në shkëmb është lënë e papërfunduar.




Më pas shkuam në qytezën plot ngjyra dhe zhurmë të Guatape, të mbushur me pika piktoreske për të bërë foto. Bëmë një shëtitje të qetë, duke shijuar kafen dhe duke eksploruar qytezën cep më cep. Megjithëse jo shumë e madhe, qyteza ishte e mbushur me detaje të ndërthurura që tërhoqën vëmendjen tonë.
Si pjesë e itinerarit të guidës, u nisëm në një shëtitje piktoreske me varkë dhe me muzikë në digën e Guatapé, duke parë shtëpitë e largëta të disa figurave të njohura, si rrënojat e Hacienda La Manuela. Destinacioni ynë përfundimtar ishte kopja e fshatit të Vjetër. Në këtë pikë, duhet ta pranoj, lodhja po fitonte dhe unë mezi prisja të kthehesha. Fatmirësisht, kur u kthyem na zbritën në Poblado, afër shtëpisë.
Duke qenë se vizita e parë në Komunën 13 nuk shkoi 100% siç do të donim për shkak të shiut dhe faktit që u err, vendosëm ta eksplorojmë edhe një herë në ditën tonë të fundit përpara se të niseshim për në aeroport. Këtë herë atmosfera ishte elektrizuese, ku çdo cep i pjesës turistike të Komunës 13 ishte plot aktivitete. Madje pata kënaqësinë që të bëja një tatuazh të vogël të përkohshëm. Ishte një përvojë e lezetshme, por edhe dielli ishte shumë i nxehtë. Arti i rrugës që dominon ketë zonë dhe dyqanet e vogla të bënin që të endeshe përqark për orë të tëra.
Kështu, udhëtimi ynë në Medellin përfundoi, në pjesën që ka pësuar transformimin më shpresëdhënës të qytetit. Aventura jonë e rradhës na priste në plazh, dhe këtë herë, ne do të fluturonim atje në vend që të merrnim autobuzin. Po shkojmë në Kartagjenë.