Europa Itali Udhëtime

Në ndjekje të 9 shesh-xhirimeve nga filmi “Roman Holiday”

Roma për mua ishte dashuri me shikim të parë, një dhjetor të butë dhe magjik. Një qytet ku çdokush mund të ndihet në shtëpi, ose të paktën mëse i mirëpritur. Një galeri arti e hapur e së shkuarës, ku çdo kthesë ka potencialin për të të mbërthyer.

Qëndrova në Romë për rreth një javë për të prezantuar si sipërmarrëse në konferencën Rome MED ’19. Gjatë atyre ditëve, përveç konferencës, qëllimi im ishte të vizitoja të gjitha vendet ku është xhiruar “Roman Holiday” me Audrey Hepburn dhe Gregory Peck.

Për ata që nuk e dinë, ky film i William Wyler është xhiruar në Romën e viteve ’50 dhe fitoi tre çmime Oscar. Njërin prej tyre e mori pikërisht Audrey Hepburn si Aktorja më e Mirë. Princesha Ann ishte roli i saj i parë në film, ndërsa Gregory Peck ishte një nga yjet e momentit. Gjatë xhirimeve, ai këmbënguli që Audrey të prezantohej e barabartë me të përpara titullit të filmit. Kur agjenti i tij i tha se nuk mund ta bënte këtë, ai u shpreh: “Oh po mundem. Dhe nëse nuk e bëj, do të turpërohem, sepse kjo vajzë do të fitojë një Oscar në performancën e saj të parë.” (Slashfilm, 2022) Dhe ashtu ndodhi vërtet. Ky film ikonë ka frymëzuar shumë të tjerë, por askush nuk ka arritur ta tejkalojë magjinë e tij nën performancën e Audrey Hepburn.

Filmi rrëfen një ditë nga jeta e një princeshe të re. E lodhur nga jeta mbretërore, Princesha Ann arratiset nga ambasada e shtetit të saj në Itali. Rastësisht takon Joe Bradley-n, një gazetar që fillimisht e sheh si një mundësi për të përfituar, por më pas magjepset prej saj. Së bashku, përjetojnë një ditë të paharrueshme mes rrugëve të Romës, vetëm që princesha i rikthehet detyrës së saj përsëri. Ajo ishte një princeshë, por pas asaj dite u bë një grua e pavarur dhe një udhëheqëse e ardhshme. Një histori e ëmbël dhe melankolike, sa vetë Roma.

Nëse do të endeshe pa asnjë plan në qytetin e vjetër të Romës, do të ndeshje shumë prej monumenteve dhe shesheve ku është xhiruar filmi, dhe shumë më tepër. Teksa Ann shëtit në Romë, ne shohim shpirtin e qytetit, njerëzit e thjeshtë: një berber, një shitës lulesh dhe shumë të tjerë si ata. Ndërkohë, arkitektura përreth është mbresëlënëse, në çdo qoshe të qytetit.

Skena e parë jashtë, ku Ann ndeshet me Joe Bradley, është në:

1. Roman Forum

Mbrëmja në Roman Forum është e magjishme edhe sot. Një mozaik i madhërishëm rrënojash që tregojnë histori perandorësh, triumfe dhe fjalime që ndryshuan botën. Në muzg, ndërsa drita e artë përkëdhel rrënojat, Forumi shndërrohet në një skenë poetike ku e kaluara dhe e tashmja bashkëjetojnë në harmoni.

2. Fontana di Trevi

Gjatë pasdites, Ann vendos të shëtisë vetëm dhe të përjetojë çaste të thjeshta në Romë, duke kaluar pranë Fontana di Trevi. Një ëndërr e gdhendur në mermer, një simbol i qytetit. Sipas zakonit, një monedhë e hedhur mbi supe premton rikthimin në Romë.

3. La Scalinata di Trinità dei Monti

Këtu, Ann ulet të shijojë një akullore. “La Scalinata di Trinità dei Monti” është një përqafim prej guri që lidh sheshin Spagna me Via Condotti, rrugën e modës. Pavarësisht orës, ky është vendi ku Roma të fton të ulesh dhe të ndihesh pjesë e magjisë së saj të përjetshme.

4. Pantheon

Një tjetër skenë e filmit zhvillohet në një kafene pranë “Pantheon”. Një nga ndërtesat më të ruajtura të Romës së lashtë, fillimisht një tempull pagan dhe më pas i shndërruar në kishë. U rindërtua rreth vitit 126 pas Krishtit dhe ka qëndruar në këmbë për gati dy mijë vite.

5. Colosseo

Sigurisht që nuk mund të mungonte “Colosseo”. Amfiteatri më i madh i ndërtuar ndonjëherë, u përurua në vitin 80 pas Krishtit. Me një kapacitet deri në 50,000 spektatorë, ai ishte qendra e argëtimit të Romës së lashtë dhe mbetet një nga simbolet më madhështore të historisë dhe arkitekturës romake.

6. Vittoriano

Gjatë shëtitjes me ikoniken Vespa, në film shfaqet edhe “Vittoriano”. Një monument madhështor kushtuar mbretit të parë të Italisë, Vittorio Emanuele II, që strehon Muzeun e Risorgimentos dhe rrëfen historinë e bashkimit italian. Megjithëse sot është një nga monumentet më ikonike të Romës, kontrasti i tij arkitekturor me mjedisin përreth e ka bërë atë objekt debatesh.

7. Bocca della Verità

Ky vend është shndërruar në simbolin e filmit. “Bocca della Verità” është një skulpturë në formë disku, në portikun e Bazilikës së Santa Maria in Cosmedin. Sipas legjendës, kushdo që vendos dorën në gojën e saj dhe thotë një gënjeshtër, rrezikon ta humbasë atë. Ishte pikërisht “Roman Holiday” që rriti popullaritetin e këtij vendi mes vizitorëve të Romës.

8. Wall of Wishes

Skena tjetër na zhvendos te Muri i Dëshirave, në Via Luigi Petroselli përballë Tempullit të Vestës. Një vend ku njerëzit linin mesazhe dhe dëshirat e tyre. Sot nuk ndodhet më aty dhe është zhvendosur brenda Santuario della Madonna del Divino Amore.

9. Castel Sant’Angelo

Skena më komike dhe kulmore e filmit zhvillohet pranë Ponte Sant’Angelo, me sfondin e Castel Sant’Angelo. Fillimisht kështjella u ndërtua si mauzoleum për Perandorin Hadrian në shekullin II dhe më pas ka shërbyer si fortesë, burg dhe rezidencë papale. Sot, kjo kështjellë madhështore ofron një pamje mahnitëse mbi qytetin dhe lumin Tevere.

Roma më mbërtheu dhe mua, ashtu si Princeshën Ann. Kushdo do të dëshironte disa çaste në qytetin e përjetshëm. Çdo rrugicë të fton të humbësh mes historisë, ndërsa çdo monument të kujton madhështinë e së kaluarës.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *