Amerika Jugut Kolumbi Udhëtime

Odiseja Kolumbiane drejt San Gil

Rruga për në San Gil ishte një aventurë kolumbiane më vete, ose të paktën kështu e përjetova unë. Prandaj vendosa ta ndaj këtë udhëtim në një artikull të veçantë.

U nisëm në orën 10 të mbrëmjes, një orë me vonesë nga stacioni i autobusëve të Kartagjenës. Ishte hera e parë që policia na kontrolloi çantat e dorës përpara se të hipnim në autobus. Më pas, punonjësi i agjencisë së udhëtimit i regjistroi të gjithë pasagjerët me video, ndërsa qëndronin ulur në sediljet përkatëse. Në fillim të videos deklaroi se kjo bëhej për arsye sigurie, çka na bëri të shqetësoheshim. Pas videos, shoferit i bënë një foto jashtë autobusit, duke mbajtur një letër me të dhënat e udhëtimit si numrin e pasagjerëve, itinerarin, shoferin etj. Kishim bërë dy rrugë të gjata me autobus më parë, BogotaPereira, 9 orë e gjysëm dhe Pereira–Medellin, 7 orë, dhe asgjë e tillë nuk na kishte ndodhur. Megjithatë, duke parë që të gjithë pasagjerët e tjerë dukeshin të qetë, vendosëm ta vazhdonim udhëtimin, por nuk ishim të qetë.

Autobusi do të na dërgonte në Santa Marta, vetëm për t’u nisur herët në mëngjes drejt Bukaramangës. Hotelin e kishim rezervuar vetëm 2 km larg aeroportit. Meqenëse autobusi do të kalonte nga ajo zonë, i kërkuam shoferit të na ndalonte pranë aeroporti, që të merrnim taksi për në hotel. Shoferi u habit nga kërkesa dhe na informoi se në orën 2:30 të mëngjesit, kur do të mbërrinim, aeroporti dhe zona përreth do të ishin të mbyllura. Dhe kishte të drejtë: aeroporti i vogël i Santa Martës mbyllej në orën 22:00. Për këtë arsye, vendosëm të ndalonim te terminali i autobusëve, ku kishte dhe taksi.

Me të mbërritur, një turmë taksistësh na rrethuan për të bërë pazar. Situata ishte aq e shpejtë dhe kaotike sa për pak harruam të merrnim valixhet nga bagazhi autobusit. Pasi ramë dakord me taksistin më të qetë, u nisëm drejt hotelit, duke qenë gjithnjë vigjilentë që të mos humbnim asnjë çantë. Rruga për te hoteli kalonte kryesisht jashtë qytetit dhe ishte në errësirë totale. Madje edhe hoteli ishte me drita te fikura dhe derën e jashtme të mbyllur. Taksia priti derisa recepsionisti na hapi derën, një veprim që e vlerësuam shumë, nisur nga e gjithe rruga që kishim bërë deri aty. Pasi mbyllëm derën pas vetes, bëmë ‘check-in’-in. Pranë banakut të recepsionit, një njoftim i vendosur në një kornizë përmbledhja e së cilës ishte që,  nuk mbështesnin prostitucionin e fëmijëve dhe çdo dyshim do të raportohej tek autoritetet.” Nuk më kishte shkuar kurrë në jetën time ndërmend që do të ekzistonte diku nevoja për një njoftim të tillë.

Dhoma ishte e thjeshtë, por e mjaftueshme për disa orë gjumë. Në mëngjes herët, mendja ime “gjeniale” propozoi që të shkonim në aeroport në këmbë, duke qenë se ishte ditë, rruga kalonte buzë detit dhe distanca ishte vetëm 2 km. Ky doli të ishte një gabim trashanik. Rruga ishte buzë detit, por dielli përvëlonte dhe nuk kishte asnjë hije. Herë pas here, rruga dukej e pasigurt dhe po na merrte shumë kohë, ndërkohë që ora e fluturimit po afronte. Mbërritëm në një krah të aeroportit që nuk kishte hyrje, ndaj u detyruam të ecim edhe më gjatë për të gjetur hyrjen kryesore.

Fatmirësisht, nuk u vonuam shumë tek kontrolli dhe fluturimi zgjati pak më shumë se një orë. Me të mbërritur në Bukaramanga, gjetëm vendin ku niseshin fugonët për në San Gil. Pasi hëngrëm diçka të vogël, u nisëm menjëherë. Rruga me fugon zgjati mbi katër orë dhe ishte e lodhshme, por peizazhet gjatë rrugës ishin mahnitëse. Kaluam kodra të mbuluara me kaktuse, një gjysmë-shkretëtirë që gradualisht u shndërrua në një klimë tropikale me gjelbërim të harlisur. Pak para muzgut mbërritëm në qytezë, duke përmbyllur një udhëtim që kishte nisur thuajse 24 orë më parë.

Në artikullin e radhës do të shkruaj për arsyet pse e gjithë kjo aventurë ia vlente plotësisht. Me këtë rrëfim dua të nxis shpirtin aventurier tek kushdo dhe të tregoj se jo gjithmonë gjërat shkojnë sipas planit apo imagjinatës. Por pikërisht këto momente janë ato që na rrisin si njerëz dhe na bëjnë më të plotë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *