Erdhi përsëri ajo periudhë e vitit kur nevojitet të ndalemi për një moment dhe të reflektojmë mbi qëllimet që i kemi vendosur vetes një vit më parë. Ky rit ka një rëndësi të madhe për mua, pasi më ndihmon të reflektoj mbi zhvillimin që kam pasur gjatë vitit. Në këtë artikull, ashtu si një vit më parë, do të ndaj disa nga qëllimet dhe përmbushjet e mia nga viti 2024.
Një ndër qëllimet më të rëndësishme të vitit 2024 ishte kombinimi i aktivitetit fizik me eksplorimin e natyrës. Në vitin 2023, kisha si objektiv të vrapoja një maratonë të plotë, që përfundimisht e realizova me shumë përkushtim. Për 2024, vendosa të zgjeroj horizontin tim duke përfshirë ngjitjen e tre majave në Shqipëri. Maja e Korrës (1409 m) ishte ngjitja e parë e vitit, një shteg në Elbasan që nuk kërkonte përgatitje të madhe fizike. Ofronte një pamje shumë interesante dhe mundësinë për të zhvilluar biseda me miqtë gjatë rrugës.



Qershori qe rezervuar për Korabin (2764 m), maja më e lartë në Shqipëri. Ishte një sfidë e vërtetë, që kërkonte jo vetëm përgatitje fizike, por edhe durim dhe këmbëngulje. Zbritja ishte pjesa më e vështirë për mua dhe dukej sikur nuk kishte fund. Për këtë aventurë të veçantë, kam shkruar artikullin Mali ma i nalt prej krejtve, Korabi!.
Ngjitja ime e fundit për vitin ishte Maja e Vajushës (2057 m), në Bjeshkët e Kelmendit. Kjo eksperiencë, gjatë muajit tetor, ishte e paharrueshme për mua. E gjithë koha e lëvizjes, vajtje-ardhje ishte rreth 3 orë e gjysëm. Vetëm kur arrin vërtet majën e kupton madhështinë që të ofrojnë Bjeshkët e Namuna që qëndrojnë dramatike dhe madhështore. Ndërkohë rrethohesh nga Maja e Trojanit, Maja e Berizhdolit, Gucia dhe Plava. Për fat të mirë, ditën e ngjitjes nuk frynte erë prandaj e shijuam për një kohë të gjatë pamjen që të linte pa frymë.
Për vitin 2025, synoj të vazhdoj me ecjet malore, por gjithashtu dua të rikthej një objektiv që e kam pasur në vititn 2023. Të bëj një vrap 10K një herë në muaj. Ky zakon me ka ndihmuar në të shkuar të qëndroj aktive edhe ne disiplinën e vrapit.



Objektivat rreth udhëtimeve vijuan edhe për vitin 2024. Vitin e nisa me plane për të vizituar Kenian dhe Ugandën. Objektivi për vitin 2024 ishte të shihja dy shtete të reja dhe të arrija në një total prej 33 shtetesh. Ishte një objektiv modest që e arrita që në muajt e parë të vitit.
Pas udhëtimeve në Afrikën Lindore dhe në SHBA, vizitova gjithashtu Gjermaninë, Rumaninë, dhe Hollandën të cilat nuk ishin planifikuar që në fillim të vitit, por rezultuan të ishin disa nga përvojat më të bukura të vitit. Një prej mësimeve që mora këtë vit ishte të jem më fleksibël dhe të krijoj mundësi edhe për udhëtime të paplanifikuara. Për vitin 2025, kam në plan të eksploroj një shtet Aziatik, duke qënë se nuk e kam vizituar asnjëherë atë anë të botës.



Qëllimi i rradhës ishte në lidhje me leximin, ashtu sikurse edhe ne vitin 2023. Për 2024, qëllimi im ishte i njëjtë me atë të një viti më parë: të lexoja të paktën 5 libra të rinj. Megjithatë nuk isha plotësisht e bindur që ky objektiv ishte i mjaftueshëm, prandaj vendosa të bëhesha pjesë e një klubi libri Bibliophage. Njërin prej librave të këtij viti e kam marrë si rekomandim nga ky klub. Për fat të keq duke qenë se jam gjithë kohës në lëvizje, nuk arrita të shkoj në mbrëmjen e diskutimit të librit. Megjithatë jam shumë mirënjohëse për ekzistencën e një klubi të tillë, që edhe pse nuk kam patur mundësi të shkoj në takimet mujore, më rekomandojnë libra shumë interesant për të lexuar.
Gjatë vitit 2025, do të përpiqem të jem më e përfshirë, me qëllim që ta rris numrin e librave dhe njëkohësisht horizonteve të reja që ato ofrojnë. Ndërkohë përfundimi i librit “Përpara Gijotinës” të Albert Camus vijon të mbetet pezull dhe duke qenë se unë jam njeri kokëfortë dhe nuk heq dorë lehtësisht, do ta kaloj edhe këtë herë në objektivat e vitit pasardhës.


Librat që lexova këtë vit janë:
– Për çfarë flas kur flas për vrapin– Haruki Murakami
– Gënjeshtra e parë gjithmonë fiton – Ashley Elston
– M Train – Patti Smith
– 451 Farenheit– Ray Bradbury
– Kishim një ëndërr– Nasi Lera
– Sekreti – Rhonda Byrne
Midis tyre, ‘Sekreti’ ishte libri që më zhgënjeu më shumë, pasi përmbajtja e tij ishte si një citat instagrami që përsëritej për 180 faqe. Për vitin 2025, planifikoj të lexoj librin ‘1Q84’ të Haruki Murakami dhe ‘Dreri i Trotuareve’ të Diana Çulit. Ky i fundit një rekomandim nga Klubi i Librit.
Viti 2024 ishte një udhëtim i bukur drejt më shumë përmbushjeve personale. Me ndërthurjen e aktivitetit fizik, udhëtimeve, leximit, dhe shumë objektivave të tjerë që nuk preferoj ti ndaj, zhvillova veten time në disa aspekte të jetës. Për vitin 2025, qëllimi im është të qëndroj besnike ndaj vetes, duke shtuar më shumë përvoja të reja dhe përmbushëse.