48 orë diku Lindja e Mesme Udhëtime

Petra, Mrekulli e Lavdisë së Shkuar

Petra, qyteti antik i humbur për më shumë se 10 shekuj, është shpallur pjesë e trashëgimisë botërore nga UNESCO vetëm në vitin 1985 dhe së fundmi është renditur mes 7 mrekullive të botës. Qytetërimi i lashtë Nabatean ka fillimet rreth shekullit të katërt para erës sonë. Edhe pse alfabeti i tyre konsiderohet pararendës i shkrimit arab, historia e Petres është ruajtur më shumë nga fqinjët dhe pushtuesit sesa nga vetë ata. Emri origjinal i qytetit ishte “Raqmu”, ndërsa “Petra” është emri në greqishten e lashtë që do të thotë ‘shkëmb’.

Përveç pozicionit strategjik për tregti, ajo që e veçonte këtë qytet ishte mjeshtëria e rrallë në ndërtimin e sistemeve të kullimit dhe depozitimit të ujit, të fshehura në shkëmbinjtë madhështorë të shkretëtirës. Ata krijuan një sistem ujitjeje aq të avancuar dhe e komplikuar për kohën, sa e shndërruan qytetin e Petrës në një oaz për tregtarët që vinin nga Jemeni, Egjipti dhe India. Ky sistem mundësonte ujitjen e pemishteve edhe gjatë viteve me thatësirë të madhe. Menaxhimi i ujit, burimit më të çmuar në shkretëtirë, u dha pushtet, por gjithashtu i bëri shënjestër të lakmuar për fqinjët. Fatmirësisht, kanioni i ngushtë që e rrethonte nga lindja dhe pasuria e qytetit i ndihmuan të ruajnë pavarësinë deri në ardhjen e Perandorisë Romake.

Gjatë periudhës së mbretit Aretas IV Philopatris, i cili arriti të ruante autonominë përmes marrëveshjes me romakët, u ndërtuan monumentet më të mëdha të qytetit si Thesari dhe varret e famshme të gdhendura në shkëmb. Më vonë, ndikimi romak zhvendosi qendrën tregtare në Siri dhe Petra filloi të braktisej. Dy tërmete dhe mungesa e mirëmbajtjes së kanaleve dhe digave sollën shkatërrimin e sistemit të mbledhjes së ujit dhe qyteti u zhduk nga harta pas shekullit VI të erës sonë.

Sekreti i ekzistencës së Petres u ruajt për më shumë se 12 shekuj nga beduinët lokalë, për t’u zbuluar vetëm në shekullin XIX. Sot, vetëm 15% e saj është gërmuar; pjesa tjetër vijon të mbulohet nga rëra. Për mua, vizita në këtë qytet ishte mbresëlënëse, saqë vendosa të qëndroja një ditë më shumë për të eksploruar qytetin e lashtë, të fshehur mes kanioneve dhe shkëmbinjve të thepisur që vijojnë për kilometra të tërë. Nëse kërkoni një përshkrim më të detajuar të shtigjeve në Petra, mund të lexoni artikullin “The Best 9 Petra Hiking Trails from the Main Trail to the Monastery”. Në këtë artikull kam për qëllim të ndaj përvojën time personale gjatë dy ditëve të eksplorimit.

Ishte fillim prilli kur vizituam Jordaninë, përfshirë edhe Petrën. Mënyra më praktike ishte qëndrimi në Wadi Mousa, qyteza që ndodhet menjëherë pranë hyrjes së zonës arkeologjike. Rekomandoj te merrni ‘Jordan Pass’, që ofron hyrje për 1, 2 ose 3 ditë në Petra, por edhe në shumë pika të tjera turistike. Për mua, dy ditë ishin mëse të mjaftueshme. Klima e nxehtë, terreni sfidues dhe përmasat e qytetit arkeologjik e bëjnë të pamundur të përthithësh gjithçka në një ditë të vetme. Nga ana tjetër lodhja e akumuluar e dy diteve, nuk do të ofronte një përvojë të këndshme për një ditë të tretë.

Dita e parë nisi në orën 06:30 të mëngjesit. Ashtu sikurse pritej, numri i turistëve ishte shumë i vogël në atë orë dhe mund të shijoje të gjithë kanionin në qetësi. Shtegu kryesor, rreth 4.5 km, nis nga qendra e vizitorëve në Wadi Mousa dhe kalon midis kanioneve që të shpien fillimisht te Thesari i famshëm. Al-Khazneh, kjo mrekulli e gdhendjes në gur, mendohet se është një mausoleum i ndërtuar në kohën e mbretit nabatean Aretas IV. Beduinët besonin se në kupolën e sipërme të fasadës ndodhej një thesar i fshehur, ndaj ajo është qëlluar për vite me rradhë, vetëm për të zbuluar se ishte veçse një fragment shkëmbi.

Pasi kalon Thesarin, rruga të çon në një shteg më të gjerë me tezga vendase që ofrojnë “souvenirs” ujë dhe ushqime. Rreth 500 metra më tutje ndodhet Teatri Nabatean. Kapaciteti fillestar i këtij amfiteatri (jo-Romak) ishte 3000 vende të shpërndara në 45 rrjeshta. (Lonely Planet, 2025). Pak më poshtë, një devijim në të djathtë të çon tek Varret Mbretërore, deri diku masive. Më duhet të them se strukturat më të ruajtura në Petra janë varret e mëdha të gdhendura në shkëmb.

Duke ndjekur shtegun kryesor, mbërrin tek Kisha Bizantine në të djathtë. Kjo kishë edhe pse e rrënuar, ende ka mozaiket origjinal në dysheme, që paraqesin një diversitet kulturash. Në krahun tjetër të shtegut gjendet Tempulli i Madh, me nje siperfaqe masive prej 7,560 metra katror. 

Degëzimi i radhës me drejtim nga Veriu, të çon drejt Vendit të Sipërm të Sakrificave. Këtë shteg e kishim lënë për ditën e dytë. Pak më poshtë ndodhet një urë dhe një zonë pushimi me pemë dhe restorante. Vijimi i rrugës të çon te simotra e Thesarit, Manastiri, ose Ad Dayr. Nëse deri në atë pikë mund të zgjidhje një shofer me makinë të vogël të hapur për të kursyer lodhjen, nga ky moment e tutje të presin rreth 800 shkallë ngjitjeje. Edhe pse shtegu gjarpëron mes shkëmbinjve dhe kalon pranë shitësve vendas, ngjitja ka hapësira për pushim dhe nuk të duket e lodhshme. Alternativën për të hipur mbi mushkë nuk e konsideruam fare dhe nuk mund e di se sa kushtonte. E vetmja gjë që di të them është se të paktën tetë persona atë ditë më ofruan këtë shërbim, duke e ekzagjeruar ndjeshëm kohën e nevojshme të ngjitjes për të më bindur që të blija shërbimin e tyre.

Kur më në fund përfunduan shkallët, në të djathtë të shfaqet madhështor Manastiri. Edhe pse njihet me këtë emër, funksioni i kësaj vepre ende nuk dihet me siguri. Fasada e saj, njësoj si gjithë qyteti, përmban një miks elementesh të Mesopotamisë, Fenikasve, Greqisë së Lashtë, Arabisë Jugore dhe më vonë të Romës. Ju rekomandoj të eksploroni përreth asaj zone. Vetëm shtatë minuta larg ndodhen disa pika panoramike mbresëlënëse që ofrojnë pamje të gjerë mbi kanione dhe shkretëtirë.

Kthimin e bëmë nga e njëjta rrugë, që përfshinte zbritjen e 800 shkallëve. Këtë rradhë ndaluam tek “Qasr al-Bint” një nga strukturat e ndertuara të ruajtura në Petra është tempulli kryesor i qytetit të lashtë. Emri nga legjenda është Qasr al-Bint Far’un, Kështjella e Bijës së Faraonit. Gojëdhënat thonë se Aretas IV kishte sfiduar kantidatët për martesë të së bijës, me detyrën e ndërtimit të një monumenti të tillë.

E gjithë ecja vajtje-ardhje, përfshirë devijimet për të parë monumentet, zgjati rreth katër orë e gjysmë. Së bashku me ndalesat për pushim, koha totale shkoi në shtatë orë e gjysmë. Me vete kishim marrë mëngjesin, drekën dhe ujë të mjaftueshëm. Gjithsesi, përgjatë rrugës gjen pafund tezga dhe restorante që ofrojnë ushqim dhe pije të ndryshme. Gjatë kthimit, temperaturat kishin kaluar 30 gradë Celcius. Pjesa e fundit përfshinte ecjen nën hijen e ngushtë të kanionit. Atë mbrëmje hëngra dy shawarma të merituara.

Dita e dytë nisi rreth orës 09:00 me mëngjesin dhe më pas mikrobusin falas për në “Little Petra”, që niset çdo 15 minuta nga Qendra e Vizitorëve. Për të fituar kohë, nga ndalesa e mikrobuzit, morëm një taksi që na dërgoi në hyrjen e pasme të Petrës përmes shkretëtirës.

Kjo rrugë ishte më sfiduese, ndoshta sepse e ndjenim lodhjen e ditës së parë. Gjatë gjithë rrugës shoqërohesh me pamje dramatike dhe pika panoramike që të ftojnë për të bërë fotografi. Pasi mbërritëm tek Manastiri pushuam pak dhe nisëm zbritjen. Më pas nisëm shtegun Wadi Farasah për tek Vendi i Sipërm i Sakrificës.

Në fillim të shtegut hasëm gjatë rrugës një “Necropolis”, pjesë e të cilit ishin edhe Varri i Rilindjes dhe Varri i Ushtarit Romak. Më tej nis ngjitja e disa shkallëve të thepisura dhe të ngushta, ndryshe nga ato që të çonin tek Manastiri. Edhe pse dielli në atë orar përvëlonte, shkëmbinjtë ofronin herë pas here mbrojtje nga rrezet dhe vende ku mund të pushoje për të rigjetur forcat. Në krye të shkallëve të shfaqeshin dy obeliskë prej guri dhe pikërisht Vendi i Sipërm i Sakrificave, që ofronte një pamje përrallore. Ky vend, duke qenë se ndodhet në majë të shkëmbit, nuk ofron asnjë mundësi për t’u strehuar në hije. 

Pasi shijuam për disa çaste panoramën, filluam zbritjen nga krahu tjetër. Zbritja, sërisht, ofronte hijen bujare të shkëmbinjve deri në pikën ku shtegu bashkohet me atë kryesorin, shumë pranë Thesarit. Aty bëmë dhe ndalesën e fundit për të pushuar dhe për të nisur rrugën e kthimit. Atë pasdite konsumuam drekën dhe vijuam udhëtimin tonë drejt aventurës së radhës në Wadi Rum, ku na priste një mbrëmje si asnjëherë më parë.

Petra është një përvojë që të sfidon fizikisht, por të pasuron në çdo hap. Nuk është vetëm një vend që viziton, por një qytet i tërë igdhendur në shkëmb, që flet ende për madhështinë e një qytetërimi të zhdukur pavarësisht shekujve të pluhurit që u përpoqën ta mbulonin. Kjo të bën të reflektosh mbi idenë se asgjë nuk është përjetshme dhe çdo moment i lulëzuar, ndiqet nga momente shkatërrimi.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *