Mënyrë Jetese Të tjera Udhëzues

Si dhe Pse Lirova dhe Rregullova Hapësirën Time

Photo by Samantha Gades on Unsplash

Një nga objektivat e mia për vitin 2025 është të mos blej asnjë veshje, qoftë të re apo të përdorur. Kam vendosur vetëm dy përjashtime: ndërresat e brendshme sipas nevojës dhe gjatë udhëtimeve mund të marr veshje apo aksesorë kujtim nga një vend apo kulturë e largët. Ky është një nga zakonet e mia të udhëtimit nga e cila nuk dua të heq dorë.

Për të arritur këtë qëllim, kam disa kohë që përgatitem. Dy vitet e fundit kam investuar vetëm në gjërat që me të vërtetë më duhen. Për shembull, një xhup i mirë, çizme të mira dhe disa veshje bazike që lidhen lehtë me të tjera. Kam blerë gjithashtu gjithçka që më duhet për hobet e mia: këpucë mali, atlete të mira vrapi, syze noti, tuta biçiklete e të tjera si këto. Mendoj se, gjatë gjithë vitit tjetër, nuk do të kem asnjë nevojë që do të ma mbushë dollapin edhe me shumë.

Edhe pse përpiqem të marr vetëm gjëra të domosdoshme, shpesh përfundoj me fustane, funde apo sende të tjera që nuk i përdor kurrë. Për të mos folur për aksesoret, sidomos vathët, disa prej të cilëve janë tek. Shumica e unazave janë të prishura dhe disa varëse nuk janë fare në stilin tim, kështu që nuk i përdor kurrë. Për këtë arsye jo vetëm që kam mjaftueshëm, në të vërtetë kam më shumë sesa duhet. Ndërkohë kuptova që për të arritur objektivin tim, më duhej të hiqja gjithçka që ishte thjesht mbingarkesë për hapësirën time.

Photo by Tomas Yates on Unsplash

Ja pse ky organizim do të më ndihmojë të mos blej më shumë veshje gjatë 2025:

1. Rregulli zvogëlon shpërqendrimin

Gjërat e tepërta krijojnë rrëmujë edhe kur janë të sistemuara, duke më mbajtur vazhdimisht të shpërqendruar. Ndjehem sikur gjithmonë duhet të rregulloj diçka, sepse rremuja krijohet shpejt, veçanërisht në hapësira të vogla.

2. Kufizimi i hapësirës

Nga ana tjetër duhet të kemi parasysh edhe hapësirën që kemi në dispozicion. Nuk mund të shfrytëzojmë çdo centimetër katror të një dhome. Për të ndjerë rehatinë në shtëpi, është e nevojshme të minimizojmë sendet që vetëm zënë hapësirë.

3. Kuptimi i nevojave

Kur ke shumë gjëra, shpesh harron çfarë ke në realitet, duke i lënë mënjanë dhe mos i vënë në përdorimin e përditshëm. Kjo krijon thjesht mbeturina dhe zaptim hapësire. Një seleksionim i vërtetë është i domosdoshëm.

Hapat që ndoqa për të liruar hapësirën time:

1. Frymëzim nga YouTube

Fillova me video mbi lirimin, sistemimin dhe rregullimin e hapësirës. Për ju ndoshta mund të funksionojë më mirë edhe Pinterest. YouTuber-ja ime e preferuar për këtë qëllim është Christine Mychas, e cila ka një qasje “minimalist-ish”. Ajo ndjek parimet kryesore të minimalizmit, pa qenë radikale përsa i përket sendeve që duhet të mbajmë dhe mund të na shërbejnë në një pikë në të ardhmen. Gjithashtu e sheh lirimin dhe rregullimin e hapësirës si një proces pozitiv, ku i japim vlerë të gjitha gjërave që do të mbajmë. Kjo frymë mendimi më dha realisht motivimin për t’ju futur punës. U fokusova tek rëndësia e të gjitha gjërave që vendosa të mbaj, më shumë se sa spastrimi i sendeve të panevojshme.

2. Largimi i mbeturinave

Ashtu sikurse ishte edhe rasti i unazave, hodha të gjitha ato gjëra, veshje, aksesorë dhe orendi, të cilat në këtë pikë ishin thjesht mbeturina. Shumica prej tyre ishin objekte të lëna për t’u rregulluar një ditë që nuk erdhi kurrë. Ku ishte një tregues që këto gjëra nuk ishin të nevojshme për mua, përndryshe do t’i kisha rregulluar një orë e më parë.

3. Përzgjedhje bazuar në përdorim dhe nevojë

Mbajta vetëm ato që më pëlqejnë dhe i përdor shpesh. Largova gjithashtu veshjet që mund të jenë të mira apo të bukura, por që kërkojnë artikuj shtesë për t’u kombinuar. Në këtë pikë, më besoni që nuk ja vlen të blini më shumë rroba për të kombinuar vetëm diçka që nuk duhej ta kishit blerë fare.

4. Objektet sentimentale

Disa gjëra që kanë vlerë sentimentale dhe nuk i përdor më, vendosa t’i mbaj. Jam vërtet një person rraqexhi që po përpiqet të ndryshojë sjelljen time duke ulur konsumin, liruar hapësirën dhe duke vendosur më shumë rregull. Megjithatë, nga ana tjetër jam një person nostalgjik dhe disa sende më kujtojnë çaste të ndryshme të jetës sime, të cilat dua t’i kem. Të gjitha objektet e kategorisë nostalgjia i vendosa në një kuti dhe i hoqa nga komodina apo dollapi ku mbaj gjërat e përditshme. Kështu nuk do të bëhen objekt rrëmuje dhe shpërqendrimi.

5. Kategoria “t’i kem për çdo rast” 😀 

Për mua këtu futen gjëra që mund të përdoren për raste të rralla si Halloween apo festivale të tjera. Këto gjëra edhe pse mund të jenë aksesorë të vegjël, janë të shumtë dhe çuditërisht vetëm shtohen. Kjo kategori duhet monitoruar dhe pastruar rregullisht për të shmangur grumbullimin. Mos më keqkuptoni, disa gjëra vërtet duhen ruajtur për ndonjë rast, për shembull ndonjë fustan mbrëmjeje që nuk e keni veshur mjaftueshëm. Nuk doja të hiqja çdo gjë, vetëm për ta blerë përsëri pas disa kohësh, për hir të të vendosurit rregull.

Photo by Sarah Brown on Unsplash
6. Vlerësimi për shitje

Diçka tjetër që më ndihmoi me seleksionimin e gjërave se çfarë duhet të mbaj dhe çfarë jo ishte edhe kjo linjë mendimi: Cilat janë ato gjëra që do të mund t’i shisja në një “pop-up shop”. Papritur duke marrë parasysh dhe lirimin e hapësirës, avantazhet e tjera, si dhe mundësinë për të bërë disa para, shumë objekte nuk ishin më dhe aq interesante për t’u mbajtur. Shpesh herë veshjet që ne dhurojmë në qendra humanitare përfundojnë në “landfille”. Kjo është një tjetër arsye për t’u menduar dy herë që kur e blejmë një produkt, si dhe kur nuk na nevojitet më. Prandaj të përpiqesh t’i shesësh tek dikush që vërtet i do, është më mirë sesa të gjenerosh thjesht mbetje. Arrita të ndaj mënjanë për shitje rreth 30% të veshjeve dhe shumë objekteve të tjera. Në këtë mënyrë, krijova hapësirë dhe shmanga mbetjet, duke ruajtur vlerën e tyre për dikë tjetër.

7. Çdo gjë në vendin e caktuar

Për të gjitha veshjet dhe sendet që vendosa të mbaj më ndihmoi një rregull tjetër: Çdo gjë duhet të ketë vendin e caktuar. Kur çdo objekt ka vendin e caktuar është shumë e thjeshtë për të krijuar zakone të mira, duke i vendosur lehtësisht në vendin e caktuar pas përdorimit. Kini parasysh cilat janë veshjet me materiale që duhet të qëndrojnë të varura, të palosura, në sirtar etj. Unë duke qenë se kam edhe shumë veshje vrapi, biçiklete e të tjera, më duhen kryesisht hapësira me shumë ndarje. Tani çdo kategori rrobash ka hapësirën e saj. Kjo e bën më të thjeshtë gjetjen e tyre; frymëzimin për ti përzgjedhur çdo ditë; dhe për të mbajtur rregull për një kohë të gjatë. Për ta bërë këtë më duhej të blija edhe një aksesor ndarës, përveç ndarjeve të vetë dollapit. Kjo gjë më krijoi edhe më shumë hapësirë në dollap për gjëra që më parë nuk e kishin një vend të caktuar, por rrinin diku në një cep të dhomës apo korridorit. Duke i caktuar një vend brenda në dollap këtyre sendeve, në rastin tim ishin çantat, lirova më shumë hapësirë në dhomë dhe vendosa edhe më shumë rregull. Nga ana tjetër hapësirën e liruar nuk e përdora për të vendosur gjëra të tjera, të pa nevojshme.

8. Shitja e gjërave të tepërta

Hapin e fundit ende nuk e kam realizuar, por e kam në plan për ta përmbyllur sapo të më jepet mundësia. Po përpiqem të gjej një metodë për t’i shitur të gjitha gjërat e hequra mënjanë. Nuk kam për qëllim fitime të mëdha, por që këto sende të përdoren nga dikush tjetër.

Duke u angazhuar për këtë objektiv, besoj se do të arrij të shmang çdo blerje të re gjatë vitit 2025. Në asnjë nga vitet e kaluara nuk kam pasur një objektiv të kësaj natyre. Shpresoj që kjo të sjellë më shumë rehati në hapësirën time dhe qetësi mendore. Objektivat e tjera për vitin 2025 do t’i ndaj në një artikull të ardhshëm.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *