Pragën e vizitova në një mes tetori në 2022, dhe është një ndër të paktat qytete që me të vërtetë dëshiroj të rikthehem për të zbuluar eksperiencat e reja që ofron. Praga ka një sistem të shkëlqyer të transportit publik, një nga më të saktët në Evropë, por megjithatë do t’ju sugjeroja të zgjidhni një akomodim që ju lejon të lëvizni në këmbë. Ashtu si në shumë qytete të tjera evropiane, shumica e monumenteve dhe muzeve gjenden në Qytetin e Vjetër. Por, për të parë ekspozita apo koncerte, transporti publik është i domosdoshëm.
Mbërritëm në mbrëmje dhe shtëpinë e kishim rreth 30 minuta larg me autobus nga Qyteti i Vjetër. Mbrëmjen e parë vizituam ‘Joystick Arcade Bar‘, një eksperiencë unike pasi në Tiranë nuk kemi një vend të tillë. U argëtuam me lojëra të ndryshme përpara se ta mbyllnim mbrëmjen.






Ditën e parë e morëm me qetësi, dhe vizita jonë e parë ishte në Qytetin e Vjetër. Fillimisht ndaluam tek Ora Astronomike, e ndërtuar në vitin 1410. Ora jo vetëm që tregon ‘Kohën e Vjetër-Bohemiane’ dhe ‘Kohën Babilonase’, por është e vetmja në botë që mund të masë këtë të fundit (Prague.eu, 2024). Megjithatë, nuk duket aq madhështore kur e sheh nga afër, në krahasim me fotot që shihen në internet.
Ndalesa e radhës ishte Katedralja e Shën Vitusit, katedralja më e madhe dhe më e rëndësishme në Pragë. Një shembull i përsosur i arkitekturës gotike, ajo të mahnit me detajet e saj të mrekullueshme, edhe pse, për fat të keq, nuk mund të fotografohet e gjitha për shkak të ndërtesave përreth. Më pas, vijuam shëtitjen nëpër Qytetin e Vjetër dhe kaluam mbi urën e famshme ‘Charles Bridge‘, e cila daton që nga viti 1357. Gjatë kalimit mbi urë, mund të kërkoni për qenin me fat në njërën nga pllakat përgjatë urës, për të cilin thuhet se nëse e prekni, do të merrni fat. Edhe pse nuk ka një legjendë që mbështet këtë traditë, tashmë është një zakon i përhapur midis vizitorëve të qytetit.
Gjatë shëtitjes sonë vizituam edhe statujat ‘Mimina/Bebet’ dhe statujën e ‘Mbretit Wenceslas’, që kalëron një kalë me kokë poshtë, të vendosur në ‘Lucerna Palace’. Këto janë vepra të artistit çek David Černý, së bashku me ‘Kokën e Franz Kafka-s’, të cilën nuk arritëm ta vizitonim këtë herë. Mbrëmjen e dytë e kaluam në ‘Na Břehu Rhôny‘, një vend që ofron verë të përzgjedhur franceze, ku verën e shërben vetë dhe mban shënim sa ke pirë gjatë mbrëmjes.




Ditën e dytë vizituam ‘DOX‘, një galeri me ekspozita të përkohshme, që kishte një sërë instalacionesh dhe skulpturash interesante. Më pas, vijuam drejt parkut ‘Letna’, ku shijuam gjelbërimin dhe pamjen e Pragës nga lart, duke vizituar edhe Metronomin e famshëm të Pragës, 23 metra të gjatë. Në kthim, vizituam statujën në nder të Franz Kafkës dhe ‘Church of Our Lady before Týn‘.
Pas shëtitjeve vendosëm të provonim ‘Thrill Park‘, një shtëpi horrori me një eksperiencë të plotë dhe shumë intensive që zgjaste rreth 25 minuta. Për ata që nuk kishin guxim ta përfundonin, mund të thërrisnin “I’m a chicken” dhe stafi do t’i vinte në ndihmë. Nëse jeni adhurues të eksperiencave të tilla, e rekomandoj shumë. Kjo është hera e dytë që provoj një përvojë të tillë. Herën e parë provova ‘The London Bridge Experience’, por mund të them se përvoja në Pragë ishte më emocionuese. Mbrëmjen e mbyllëm duke ndjekur koncertin e Carpenter Brut, që ishte dhe arsyeja kryesore e vizitës sonë në Pragë. Edhe pse salla e koncertit ishte e vogël, atmosfera ishte e shkëlqyer.



Ditën e fundit e nisa me një vrap në parkun pranë hotelit, parqet nuk mungojnë në asnjë qoshe të Pragës. Më pas u nisëm përsëri drejt Qytetit të Vjetër, dhe këtë herë bëmë një xhiro me varka me pedalim mbi lumin Vltava. Pamja që ofron Praga është magjepsëse në çdo cep të qytetit. Pjesën e mbetur të ditës e kaluam në parkun ‘Královská obora Stromovka‘, ndërsa aventurën tonë në Pragë e përmbyllëm me ‘Signal Light Festival‘, i cili, përveç disa shfaqjeve të hapura nëpër qytet, ofronte ekspozita dhe instalacione drite nga më të ndryshmet për ata që blinin biletën që kushtonte rreth 15 Euro. Të gjithë mbrëmjen e shpenzuam duke eksploruar pikat e ndryshme të ekspozitave të festivalit te dritave.


Pas plot tri ditëve në Pragë, u rikthyem në Tiranë. Kjo ka qenë një nga përvojat më argëtuese dhe interesante që kam përjetuar në Evropë. Është një nga ato qytete që të bën të largohesh me kokën pas. Në vizitën e ardhshme, do të doja të eksploroja më shumë jetën vibrante të natës, si dhe të vizitoja ‘The Head of Franz Kafka’, ‘Dancing House’, ‘Lenon Wall’, ‘Speculum Alchemiae’, dhe muzeun e Franz Kafkës.
